Rreziku dominues i kulturës së huaj

Fillimi | Opinione | Rreziku dominues i kulturës së huaj | Add to Facebook Share
image

Jeta STAROVA-MEHMETI

Në kohën e globalizimit, në periudhën e dominimit të kulturave të mëdha ndaj atyre të vogla mënyra e vetme e shteteve me kapacitete të brishta ekonomike, politike e kulturore është të bëjnë kujdes maksimal, investime kapitale dhe njerëzore, strategji, përgjegjshmëri dhe vigjilencë. Në artikullin pararendës unë i mshova idesë se duhet të investojmë në krijimin e institucioneve, duhet të përkrahim artistet e këngëtarët, regjisorët e kineastët. Por, duhet akoma më shumë, investime serioze për një sistem arsimor i cili tu sigurojë gjeneratave te reja, dije, disciplinë, rregull, njohuri dhe aftësi për të nesërmen. Kjo mos të behet me fjalë, por me vepra që nuk duken askund. Si pasojë e mungesë së prodhimtarisë artistike detyrohemi të ngushëllohemi me nostalgjinë e periudhës para demokracisë. Tani nuk prodhohen filma, teatri vegjeton, muzika të cakërdon mendjen, e arsimi mbetet një plagë për shoqërinë. Kjo zbrastirë, ky boshllëk ka avantazhuar dominimin e të tjerëve të cilat kanë mbërritur në shtëpitë tona përmes ekranëve televizive, apo në lagjen tonë përmes kolegjeve të ndryshme.

Nuk është teori, as paranojë, por një realitet që ndodh ditën e natën. A nuk janë telenovelat ato të cilat mbajnë “peng” amviset, femijët, e deri tek të ashtuquajturit intelektualë. A nuk janë telenovelat një shërbesë për të injektuar traditën dhe kulturën e tyre. A nuk janë këto prodhime kinse artistike që kanë për qëllim të lartësojnë kulturat e tyre dhe të përthajnë kulturat e tjera në rastin konkret tonën. Përgjigja është po. Për ta zhvilluar këtë shkrim duhet te mërremi me sindromën e telenovelave të cilat kanë arritur të depërtojnë kudo. Nuk kam asgjë më telenovelat qofshin ato turke, megjithëse nuk jam idhtare e tyre. Problemin e kam me institucionet tona, problemin e kam me mungesën e një strategjie që ne të kemi prodhimet tona artistike. Vazhdoj të këmbëngul , nuk na mungojnë as regjizoret as kineastët, as aktorët që ne të kemi produktin tonë autokton, që ne t’a ftojmë shoqërinë tonë që të ulet para ekranit dhe të ndjekë televonela, teatro, apo filma shqiptarë.

Por, mungojnë, sepse askush nga politika dhe insitucionet nuk e kanë një strategji për mbajtjen në këmbë të kulturës dhe traditës tonë. Në Maqedoni dhe në Kosovë kjo verehet më së shumti, por edhe në Shqipëri nuk leviz asgjë. Ca iniciativë private regjizorësh arrijnë të shfaqen para publikut, ndërsa tradita e kinostudios, e teatrit popullor ka humbur. Një fjalë e urtë popullore thotë: “kur të tjerët gjejnë shesh ata bëjnë përshesh”. Kështu po ndodh, telenovelomania ka mbërritur kudo ku ka shqiptarë, ata tani janë pengu i tyre, ata tani shohin e meditojnë për të tjerët dhe jo për vetën. Unë nuk dua të besoj se është vetëm pushtimi 500 vjecar që ndikon, kryesorja mungon insitucioni ynë, prodhimtarija jonë, mungon strategjia për të folur shqip me aktorë shqiptarë për probleme sociale, e ekonomike, për cështje sentimentale, për doke e zakone që tonat janë të mrekullueshme. Ne flasim për kombin, për gjuhën, për traditën, për historinë, për artin e për kulturën, ne mburremi me ato dhe mirë bëjmë, por puna është sesa investohet për ta ruajtur dhe forcuar. Nuk mund të ruhet tradita e historia, kombi e gjuha, duke u lenë shtegun e hapur dominimit të kulturave të tjera.

Politika flet për cilësi në arsim, invstime në shkolla, por kolegjet e huaja janë më të frekuentuarat. Pse mos të kemi ne kolegjet tona, cfarë na mungon, thjeshtë nuk ka vullnet , nuk ka strategji, nuk ka dëshirë e etj. Ky shkrim është për një hapësirë mbarë shqiptare, sepse e gjithë hapësira ka problem të cilat janë të kupshtueshme. Ne vazhdojmë ta kërkojmë fajin tek të tjerët duke e shfajësuar vetën. Konica ka patur të drejtë kur ka thënë dikur problemi i shqiptarëve janë vetë shqiptarët. A nuk jemi në gjendje ne si shqiptarë të realizojmë një film për epopenë e luftës për çlirim të Kosovës? A nuk jemi ne në gjendje të prodhojmë një serial edukues e formues për gjeneratat e reja? A nuk jemi në gjendje në Maqedoni të realizojmë një dramë për problemet e mëdha që kemi si në aspektin etnik, por dhe në atë social dhe ekonomik? Po, jemi në gjendje, por mungon strategjia insitucionale, mungon vullneti dhe dëshira. A nuk dimë dhe nuk jemi në gjendje të forcojmë cilësinë në arsim, apo tju ofrojmë femijeve tanë kushte dhe standarte të mira në shkolla. Përgjigja është po, por mungon strategjia institucionale dhe vullneti politik. Kjo është e rrezikshme sepse ballafaqohemi me rrezikun e dominimit të kulturave të huaja.

Me te lexuarat sot dhe te muajit
ALMAKOS ALMAKOS