Mediat si zgjatime autoritetesh
Salajdin SALIHU
Një spikere koreane-veriore flet me patos e emfazë, me gjasë, për “të arriturat e vendit të saj”. Nuk e kuptojmë se çfarë thotë por ndjehet se e sfidon “botën tjetër”, duke lartësuar vendin e saj, të cilit nuk ja duan të mirën “armiqtë”.
Mund të bëjmë humor me ekzaltimin e spikeres, sikur mos na kujtohej se, në forma të sofistikuara, çdo ditë shohim spikerë e spikere që flasin për të arriturat kolosale të vendit, nëpërmjet gjuhës që e kuptojmë dhe gjithnjë e më shumë i besojmë.
E si të bëjmë humor kur dihet botërisht se në Maqedoni dominojnë mediat që janë bërë zgjatime jo të shqisave, sikurse thotë McLuhan-i, por zgjatime autoritetesh politike. Sa më shumë lavdërojnë, aq më shumë përfitojnë prej reklamave të paguara nga taksapaguesit.
Në kohë censure ekonomike të refuzosh propagandën, rrezikon mbijetesën në botën e egër mediale, ku nuk varesh nga përmbajtjet që ofron, por nga përmbajtjet që t’i servirin t’i shumëfishosh, me paketim optimist...
Në Maqedoni janë mbyllur media, janë censuruar emisione, është shtuar vetëcensura, si pasojë e frikës nga ndëshkimet, qoftë brenda apo jashtë redaksive, mbase dhe redaksive alternative që as të punësuarit në media të caktuara nuk e dinë se ku gjenden. Janë sulmuar gazetarë, kemi prej atyre që bëjnë biznese nëpërmjet “gazetarisë” ose më saktësisht, falë propagandës që bëjnë për parti të caktuara politike.
Kjo gjendje shkon duke u rënduar, kurse raportet e organizatave ndërkombëtare mbi lirinë e medias, dëshmojnë se Maqedonia bëhet vend i papërshtatshëm në rajon e më gjerë për funksionimin e mediave të lira. Sipas raportit të “Reporterëve pa kufij”, ajo shënoi rënie të frikshme për 22 vende dhe renditet e 116 në indeksin e lirisë së medias. Një raport i ngjashëm erdhi nga Freedom House. Të dhënat e fundit e shqetësuan dhe komisarin europian për zgjerim të BE-së, Stefan Fyle. Sipas tij, liria e medias është një nga vlerat themelore të Bashkimit Evropian dhe mbetet njëra prej sfidave kryesore të vendeve partnere dhe aspirantë në BE.
Shoqata e gazetarëve thotë se “liria e mediave është cenuar seriozisht”; se gjendja nuk do të ndryshojë për sa kohë “Qeveria dhe partitë politike do t’i trajtojnë mediat si mjet për manipulim me opinionin dhe për larjen e hesapeve me kundërshtarët”. Por shpesh, në përpjekje për të gjetur zgjidhje, ajo ka rënë në gracka. Nga takimet me autoritetet, fituese ka qenë qeveria dhe jo mediat...
Në rrethana të këtilla sot pakkush beson se ajo që shkruan nuk është porositur nga ndonjë parti e caktuar politike. Të qenit gazetar barazohet me të qenit tellall apo mashtrues. Dyshimi i njerëzve është i justifikuar. Gazetarët nuk mund të mburren shumë, për sa kohë mediat shkojnë përtej kornizave të etikës mediale. Ky mosbesim nuk është i keq për rrethanat tona. Më keq është kur mediave u besohet verbërisht, për sa kohë devijojnë nga misioni i tyre dhe janë bërë zgjatime autoritetesh politike. Por dyshimi po fashitet me kalimin e kohës. Njerëzit gjithnjë i besojnë një realiteti të konstruktuar politik. Gjithnjë e më shumë i shkëpusin kontaktet me realitetin. Gjithnjë e më pak e shohin se bashkë me humbjen e lirisë së mediave, dobësohen kapacitetet demokratike në vend.
Demokracia është e kushtëzuar nga shkalla e lirisë së medias. Mungesa e demokracisë është vdekjeprurëse për shtypin e lirë. Mungesa e shtypit të lirë është tregues i saktë i mungesës së lirisë në një vend. Historia ka dëshmuar se aty ku mungon liria e shprehjes, nis robërimi i mendjes, kurse ata që ecin kundër rrymës dhe e kundërshtojnë një sistem të rremë politik rrezikojnë gjithçka.
Sot dihet botërisht se po rrezikohen mediat e lira dhe triumfojnë mediat e kontrolluara. Ndërmjet mediave të lira dhe të kontrolluara ka dallim thelbësor: të parat e konsiderojnë njeriun si qenie që mendon, të dytat e trajtojnë si qenie që duhet të udhëhiqet. Të parat bazohen në paanshmëri, baraspeshë e vërtetësi, të dytat bazohen në njëanshmëri, mungesë baraspeshe dhe mashtrime. Për momentin kjo po ndodh në hapësirën mediale maqedonase. Mediat në gjuhën shqipe në Maqedoni, përkundër mangësive dhe vështirësive, profesionalisht qëndrojnë më mirë në raport me mediat maqedonase. Kjo sepse pushteti kontrollohet nga elitat politike maqedonase, që nuk shohin rrezik nga mediat shqiptare, bile përfitojnë nga kritikat e tyre. Por, mediat në gjuhën shqipe, për shkak të vështirësive ekonomike, nuk mund të zhvillohen. Në këtë gjendje i ekspozohen rrezikut të bien nën kthetrat e ndikimeve politike.
Në përgjithësi, në Maqedoni, qeveria nëpërmjet kontrollit të mediave, synon t’i kontrollojë mendjet e njerëzve. Kjo sepse, nëse i referohemi Tuholskit, as teologët që predikojnë në altarë, as oratorët në parlament, as profesorët në shkollë nuk kanë më shumë ndikim se sa mediat. Sot shumica e mediave, me përjashtime, kanë tradhtuar misionin e tyre. Çdokush e di, se sot detyrat e gazetarisë në Europë janë të informojë individët për punën e institucioneve publike dhe veprimtarinë e sektorit privat; t’u mundësojnë qytetarëve të krijojnë mendimin e tyre për këto veprimtari; t’u mundësojë individëve dhe organizatave që të shprehin mendimin e tyre dhe ta bëjnë publik atë, si për shoqërinë publike dhe private, po ashtu të nxitin mendimin kritik ndaj veprimtarive të ndryshme pushtetare; të ndikojnë pra në stimulimin dhe ruajtjen e vlerave në një shoqëri dhe në zhvillimin e demokracisë.
Kur gazetarët punojnë ndershëm, kur i respektojnë parimet themelore të gazetarisë, sjellin ndryshime pozitive në shoqërinë njerëzore. Ata bëhen kasnecët e lirisë, prandaj pushtetet autoritarë kanë qenë në konflikt të përhershëm me ata. Gazetari ka armë të fuqishme në dorën e tij - faktet relevante, por në çastin kur heq dorë nga profesionalizmi, atëherë e dorëzon këtë armë dhe bëhet i pafuqishëm kundrejt një pushteti që abuzon.
Në gjendjen ku ndodhemi mund të gjejmë ngushëllim tek thënia se pushtetet armiqësore ndaj mediave të lira u ngjajnë fëmijëve, që besojnë se bëhen të padukshëm duke mbyllur sytë. Personalisht besoj se sa më të dukshëm bëhen politikanët në shoqëri dhe cenojnë autonominë e sferave të ndryshme shoqërore, po aq më i padukshëm bëhet njeriu. Sa më shumë ka gazetarë që ta neveritin profesionin, aq më shumë dendësohet terri informativ. Të heshtësh përballë humbjes së kësaj lirie do të thotë t’i kontribuosh ardhjes së një kohe kur nuk do të mund të flasësh atë që e mendon. Do të thotë të bëhesh si spikerja që mbase dhe beson se vendi i saj është më i bukuri, për sa kohë nuk ka parë vende më të bukura.
Pse janë kosovarët pro Berishës
François Hollande , normali i këtyre kohëve anormale
Disa pyetje për Ju, z. Edward Joseph
Gjakova ime, si nëpërmjet lotëve!
Toleranca kritike
Krimet e luftës dhe EULEX-i
Respekt për misionin e Xha Brankuas
Qeveria e Kosovës terrorizon shqiptarët e Luginës
Kombi dhe feja
- Kryeministri japonez tenton t'ia kap prapanicën Merkelit, ndalohet nga Putini
- Plagosje me armë në Shkup
- Shkupjani i zhdukur gjendet i mbytur
- Ahmeti takohet me Zhernovskin, rivalin e partnerit të tij – Gruevskit
- Vlora Çitaku, zyrtarja e parë e Kosovës në Serbi
- Ajo shtatzënë me një tjetër, ai e rreh për të abortuar
- Merr hov tregu me prostituta shqiptare të Kosovës
- Arta heq dorë nga muzika?
- Pesë këshilla për të mbijetuar vapën tropikale
-
Erdogan: Falemenderit Shkupi për përkrahjen (FOTO+VIDEO)
- Shqiptarët ortodoksë në Maqedoni u kthehen rrënjëve
- Pamje eksluzive të arrestimit të Sali Berishës
- Rrahje masive në Gostivar
- Erdogan: Shqiptarë jemi një, ju qëndrojmë në dispozicion në çdo kuptim
- Intervista/ "Më thonë Branko Manojlovski, por unë jam shqiptar"
- Prapanica e Tunës(FOTO)
-
Berisha te “Zonë e Lirë”, Çani e kontrollon për antiplumb (VIDEO)
- Telefonon policinë sepse nuk i pëlqeu prostituta

Share



















