Planifikimi urban spontan

Fillimi | Opinione | Planifikimi urban spontan | Add to Facebook Share
image

Daut EMINI

Vitet e fundit, spontanisht, janë  krijuar qendra të reja të banuara, të paplanifikuara, painfrastrukturë dhe shërbime tjera të nevojshme për zhvillim të jetës normale. 

Tash, kur e gjithë shoqëria gjindet përpara një sfide të madhe, drejtë stabilizmit të një shoqërie të hapur demokratike, ku prona private dhe ekonomia e tregut normalisht konsiderohen të shejta mbi të cilat ndërtohet ardhmëria. Në mënyrë që këto të jenë sa më të qëndrueshme, padyshim, shteti është i detyruar të ndërtojë institucione me mentalitet progresist, me vizione dhe instrumente të mirëpërcaktuara. Njëjtë mund të thuhet edhe per planifikimin dhe administrimin i territorit. Ky i fundit është bazamenti mbi të cilën ndërtohet e tashmja dhe perspektiva e shoqërisë. Në ndryshim nga shoqëritë diktatoriale, në demokraci, administrimi i territorit bëhet më kompleks dhe më i vështirë. Kjo edhe për faktin se interesi publik duhet të mbrohet duke respektuar maksimalisht edhe të drejtat e njeriut-individit.

Megjithë, vitet e fundit, në Maqedoni administrimi dhe zhvillimi i territorit është në një gjendje mjaft kritike. Planifikimi urban gjindet përpara një gjendje alarmante, me gjasa maksimale të dështojë tërësisht. Në të vërtetë tashmë nuk bëhet fjalë për lëshime të vogla ose krizë të momentit, por është evidente, planifikimi urban në Maqedoni është përpara një kollapsi të përgjithshëm! Për një gjendje të tillë, sinjalet paralajmëruese kanë filluar para shumë vitesh dhe dekadash, por askush nuk ka dashur t’i vërej dhe të besoj, ose dhe më keq, nuk kanë dashur të dinë për këto probleme aq të ndishme për shoqërinë. Dhe, derisa nuk mundësohet një sistem  ri dhe modern i planifikimit urban, si dhe menaxhim i mirëfilltë i territorit, gjendja e tanishme dita-ditës do bëhet edhe më e vështirë për të  projektuar të ardhmen. Pra, mund të konstatohet se planifikimi urban në Maqedoni është shëndrruar në "mbetje toksike“ e ish-sistemit, duke u bë një kërcënim shumë shqetësues për zhvillimin normal me standarde të avansuara demokratike për vendin. 

Për të provuar këtë, mjafton që t'i hedhim një vështrim ambientit që na rrethon, pa analizuar ligjet dhe institucionet që i drejtojnë politikat e zhvillimit të territorit, apo ndikojnë në vendim-marrje. 

Vitet e fundit spontanisht janë  krijuar qendra të reja të banuara, pa patur planifikimin, infrastrukturën dhe shërbimet minimale të nevojshme për një jetë normale. 

Fshatra dhe pjesë të tëra të vendit janë braktisur nga qytetarët, si mungesë elementare për jetesë si dhe me infrastruktur rrugore të shkatërruar. 

Nëpër qytetet e Maqedonisë po krijohet nje model urban jo-funksional dhe i rrezikshëm, sidomos në aspektin ambiental. Trafiku nëpër qytetet e vendit në përgjithësi, dhe në qytetin e Shkupit në veçanti, është bërë i papërballueshëm,  me ambient më të ndotur në Europë, me ujra helmues, mbitokësor dhe nëntokësor. 

Ndërsa fenomeni  që e ka bë shumë të vështirë planifikimin urban, pas viteve të tranzicionit (1990) janë ndërtimet informale ose pa leje. Ky fenomen ndodhi kryesisht për disa arsye:

-Nga kërkesat e shumta për strehim, të akumuluara me shekuj, gjatë ish-sistemit në ish-Jugosllavi, por dhe të motivuara edhe nga nevoja për të siguruar një jetë më të mirë, sipas standardeve të avansuara të jetesës, si dhe

-Për shkak të paaftësisë së Qeverisë së Maqedonisë, për të siguruar alternativa ligjore , përfshirë edhe kontrollin e plotë të territorit nga njëra anë dhe plotësimin e kërkesave  të qytetarëve, si e drejtë e tyre legjitime për jetë normale, duke përfshi punësimin, strehimin, infrastrukturen, shërbimet publike dhe sociale, nga ana tjetër.

-Për shkak të një mentaliteti konservator institucional, si bartës të mentalitetit nga ish-sistemi, në ish-Jugoslavi të cilët shumë ngadalë dhe me vështirësi i pranojnë ndryshimet demokratike të sistemit. 

Institucionet përkatëse shtetërore të Maqedonisë, në fillim të viteve të tranzicionit, kanë egzistuar vetëm formalisht, ndërsa më tepër janë marrë me ngritjen dhe formimin e institucioneve shtetërore, dhe nuk kanë patur mundësi elementare për të siguruar kushte për plotësimin e kërkesave reale të qytetarëve, kështu që gjithçka është lënë spontane, dhe një zhvillimi të pa organizuar, dhe tërësisht të paplanifikuar. Në këto kushte, qytetarët kanë vepruar sipas dëshirës së tyre.

Pas gjithë kësaj gjendje spontane, e cila ka zgjatur me vite, është shumë vështirë të gjindet zgjidhje, për një planifikim urban, me standarde të avansuara urbane, qoftë edhe sjellja dhe miratimi i ligjeve të planifikimit, përfshirë edhe ligjin për legalizimin e Objekteve informale, i cili është në fazën e implementimit të tij, e cila do ti plotëson kushtet minimale të planifikimt urban nga njëra anë dhe të qytetarëve nga ana tjetër!

 Vendbanime të izoluara dhe injoruara

E gjithë kjo gjendje, ka krijuar dhe po krijon një kategori vendbanimesh të izoluara dhe të  injoruara që rezikojnë të krijojnë precedentin e rezikshem të segregacionit social, duke krijuar brenda vendit dy botë rrënjësisht të ndryshme, ligjore dhe ekstraligjore. Ky dallim ose hendek në rritje, mund të çojë, në mënyrë të pashmangshme drejt konflikteve të mprehta sociale. Tashmë për të gjithë është e qartë se llogjika e forcës nuk mund të funksionojë për zgjidhjen e problemeve. Prandaj, e vetmja alternativë shpresëdhënëse e mbetur duket se është integrimi-kapitalizimi me rregulla adekuate dhe demokratike loje. 

Është emergjente të inicohet një reformë e menjëhershme dhe e plote e institucioneve politikëbërsëse, shkencore dhe akademike që lidhen me fushën e planifikimit, zhvillimit dhe administrimit të territorit. Duke ndjekur përvojën e vendeve të tjera të ngjajshme. Maqedonia ka nevojë për një investim kolosal për ngritjen e kapaciteteve lokale në fushën e planifikimit dhe menaxhmit të territorit. Një numër i konsiderueshëm profesionistësh duhen ekspozuar ndaj praktikave dhe shkollave botërore pasuniversitare. Paralelisht me këtë nevoiten që të merren edhe disa masa të tjera thelbësore: 

1. T'i jepet fund zvarritjes të procesit të decentralizimit në mënyrë që përgjithmonë t'u ndërpritet rruga kepërdorimeve centralizuese dhe monopoleve individuale në sferën e planifikimit dhe administrimit të territorit, duke hartuar një paketë të re ligjore shumë-sektoriale e cila duhet të organizohet si një proçes i hapur gjithëpërfshirës për të gjithë palët e interesuara dhe në bazë të orientimeve sektoriale të EU-së. Në këtë mënyrë do të mundësohej që të interesuarit dhe pushteti vendor të ishin pjesëmarrës dhe bashkëpunëtorë aktiv dhe të përgjegjshëm në çështje të zhvillimit lokal. Për këtë është me interes që sa më pare, qartë të ndahen kompetencat e qeverisë qëndrore në hartimin e legjislacionit-politikave shtetërore dhe koordinimin-monitorimin e tyre, nga kompetencat e administratave lokale në hartimin dhe zbatimin e planeve urbane, gjegjësisht të përmbyllet implementimi i ligjeve të decentralizimit të pushtetit qendror, përfshirë edhe ligjin për menaxhim me tokën ndërtimore. Sot për sot, pushteti lokal në fushën e menaxhimit të territorit është i parealizuar nga logjika e disa ligjeve që rregullojnë planifikimin urban, që çuditërisht shkon edhe kundër ligjit për vetëqeverisje lokale që ja njeh këtë komptencë pushtetit lokal.

2. Akoma më emergjente është ndërhyrja që nevojitet për rivendosjen e një situate normale në sistemin kyç të rregjistrimit popullsisë dhe të pasurive të paluajtshme. Ky institucion duhet të jetë vendi ku garantohet qëndrueshmëria e sitemit të ekonomisë së tregut. Në të vërtetë ai është shndërruar në një strukturë tërësisht birokratike dhe e politizuar që financon-mbron interesa të lobeve të caktuara që synojnë të ruajnë monopolet në tregun imobiliar. Loja me këtë sistem është mjaft e rrezikshme dhe sjell dëme të pallogaritshme.

 Të  pasurit në periferi – të varfërit në qendër!

3.Të analizohen-sqarohen, sa më pare, arsyet pse disa plane-strategji të zhvillimit të territorit-infrastrukturës për rajonin e Maqedonisë perëndimore hartuar gjatë 15 viteve te fundit, janë injoruar, harruar, zvarritur por edhe xhvendosur. Kjo, për më tepër, kur pretendohet se nuk kemi plane zhvillimi për këtë rajon! Qeveria nuk ka nevojë dhe nuk i lejohet që ti politizoj projekt-strategjitë zhvillimore me të vetmin qëllim që më pas ti ndryshoj ato.

Planifikimi urban ka të bëjë, mbi të gjitha, me qytetarin dhe me plotësimin e nevojave të tij humane. Kjo do të thotë që para legalizimit të objekeve informale, më parë duhet të mendohet se si duhet të përmiresohen kushtet e jetesës së qytetarëve. Për këtë qëllim duhet, të planifikohet e sotmja dhe ardhmja e tyre, të sqarohet çfarë është publike dhe çfarë është private, të investohet në infrastrukturë dhe shërbime publike-sociale. Pas këtyre veprimeve dhe qëndrimeve mund të diskutohet për formën e pronësisë mbi tokën dhe regjistrimin e pasurive të paluajtëshme. Vetëm kjo mënyrë e veprimit që është e kushtueshme por e qëndrueshme, do të krijojë mundësi për tu shmangur reziku i segregacionit social dhe konfliktualiteti. Kjo do të integrojë, më mirë me njera-tjetrën, dy botërat që po ndahen në mënyrë alarmante në shoqërinë tonë.

 

Sub-urbanizimi - Nëse autoritet nuk do të ndërhyjnë në kohë, problemet si : parkimi i vështirë, trafiku i madh, ndotja e ajrit, mungesa e hapësirave publike, degradimi i banesave që shkaktohet nga mungesa e kulturës së banimit dhe mos-respektimi i ligjeve të mirëmbajtjes së pronës së përbashkët-kolektive do ta përkeqësojnë situatën në pjesët qendrore të qyteteve deri në atë shkallë sa do të humbet interesimi për të banuar  në këto pjesë. Kështu, familjet me të ardhura më të larta do të tregojnë interesim për lëvizje në periferi të qytetit, ku do të dominojë gjelbrimi,  qetësia dhe ajri më i pastër. Me qëllim të uljes së kostos të infrastrukturës dhe të krijimit të ndjenjës së sigurisë kjo shtresë e popullsisë do të vetëorganizohet në zona banimi vilash suburbane, të ngjashme me modelin e zhvillimit të qyteteve amerikane. Kjo formë jetese dhe komoditeti që ofron dhe krijon periferia, shumë shpejt do të kopjohet edhe nga shtresat e popullsisë me të ardhura më të ulëta, duke nxitur një kërkesë në treg për banesa individuale periferike. Ndërkohë, për shkak të përkeqësimit të kushteve në qendra të qyteteve, çmimet e banesave do të bien gjithnjë e më shumë. Kështu, në mënyre të qetë dhe pa u hetuar do të vijë në shprehje stimulimi dhe dëshira e shtresave të varfëra për lëvizje nga periferia e qytetit në qendër të saj, ndërsa familjet në gjendje të mirë ekonomike gjithnjë e me shumë do të zhvendosen në periferi. Ky lloj zhvillimi do të nxisë përmirësimin e infrastrukturës në periferi por do të shkaktojë edhe dukurinë e çuditëshme dhe një lloj ndarje klasore të popullsisë. Nga ana tjetër, nëse nuk do të krijohen politika të qarta dhe efikase parandaluese, mund të vijë deri në situatë të haosi nëpër qendra urbane me paraqitje të  një gjendje të rezikshme sociale dhe e kriminalitetit. 

Qendrat urbane, ditën mund të jenë një ambient i zhurmshëm dhe dinamik për shkak të biznesit, por pas përfundimit të orarit të punës rezikojnë të kthehen në një vend bosh dhe të frikshëm prej ku gjithkush do të dëshironte të largohet sa më parë.  

Me te lexuarat sot dhe te muajit
ALMAKOS