Bukuritë natyrore të Malit Sharr në pritje të investimeve, dhe jo të promovimeve nga Qeveria

Fillimi | Opinione | Bukuritë natyrore të Malit Sharr në pritje të investimeve, dhe jo të promovimeve nga Qeveria | Add to Facebook Share
image

Daut EMINI

Pamjet e bukura të Malit Sharr, shekuj më parë janë të zbuluara dhe si të tilla të promovuara, prandaj sot, njihen dhe mësohen në tërë botën. Prandaj, Mali Sharr ka pasur epitete të ndryshme, nga vizitorët e huaj, në mesin e tyre nga francezët, si është rasti me majen më të lartë të tij, të quajtur maja e Lubotenit, e cila rrjedh nga shprehja franceze “le bon ten”, ose  “pamje e bukur”, e përkthyer në gjuhën shqipe. Çdo pjesë e Malit Sharr, karakterizohet me tipare të veçanta natyrore, dhe secila prej tyre ka shumë elemente që reflektojnë pamje të bukura, dhe të gjitha këto, padyshim janë dhuratë natyrore.

Po të merren parasysh, ndërhyrjet, që kanë ndodhë nëpër periudha të caktuara kohore, në disa pjesë të vogla të Malit Sharr, mund të konkludohet se nuk ka pasur një strategji të mirëfilltë, dmth, kanë munguar kornizat e një planifikimi afatgjatë, të nevojshëm, përpara shumë dekadave apo shekujve, siç është vepruar, për raste të ngjajshme nëpër botë, për zhvillimin e turizmit si një industri e rëndësishme fitimprurëse. Nëse merret parasysh niveli aktual i zhvillimit, të turizmit dimëror dhe veror, në të gjitha pjesët e Malit Sharr, mund të konkludojmë se ka një nivel të pa përfillshëm të përdorimit, në krahasim me mundësitë e shumta që i ofron. Nga hapësirat e Malit Sharr, janë përdorur vetëm pjesërisht, dy pika turistike, Kodra e Diellit në Tetovë dhe Brezovica në Kosovë, të cilat, nëse krahasohen me mundësitë e ofruara të Mali Sharr, këto kapacitete të shfrytëzuara ishin minimale, ndërsa kur të shtoj, dhe faktin,  se këto dy pika turistike, nuk janë përdorur në parametrat e tyre të mundshëm, atëher mund të konkludojmë se Mali Sharr, bashkë me bukuritë e tij natyrore, është ende i “virgjër”.

Mungesa e vullnetit politik, pengesë për zhvillimin e turizmit në Malin Sharr

Padyshim, shkaku kryesor, për vonesat në zhvillimin e turizmit në Malin Sharr ka qenë, dhe vazhdon të jetë, i natyrës politike, nga fakti se Malit Sharr rrethohet, kryesisht, nga shqiptarët, në të dy anët e kufirit, dhe ata, kurrë nuk kanë qenë në një pozicion për të vendosur për ndonjë strategji, për zhvillimin e turizmit nëpër pjesët ku ata kanë jetuar, në dhe rreth Malit Sharr. Deri përpara një kohe, as Kosova, nuk ka pasur mundësi të vendosë për strategjinë e zhvillimit të Malit Sharr, për pjesët e saj, pasi ka qenë nën mbikqyrje ndërkombtare. Kosova, ende vazhdon të ballafaqohet me pengesa subjektive, të natyrës politike, për menaxhim të një pjese të territorit të saj, probleme këto, që përfshijnë një pjesë të konsiderueshme edhe të Malit Sharr, nga ana e Kosovës, të cilat janë të populluara nga pakica sërbe. 

Kosova me këto pengesa do të ballafaqohet me vite, por jo me dekada apo shekuj, si deri më tani, 

ndërsa, Mali Sharr, nga pjesa e Maqedonisë, e cila është kryesisht e banuar nga popullata shqiptare, nuk janë në pozicion për të sjellë një strategji dhe një planifikim të duhur urban, për zhvillimin e ekonomisë, bujqësisë, kulturës dhe  turizmit. 

Investime minimale në drejtim të zhvillimit të turizmit, janë bërë në ish-Jugosllavi, në dy pika të caktuara, ideale për turizmin dimëror, në Malin Sharr. Në Kodrën e Diellit (Popova Shapka siç quhej në ish-Jugosllavi), në Tetovë, nga pjesa e Maqedonisë, dhe Brezovica nga pjesa e Kosovës. Këto dy pika turistike, janë zgjedhur, kryesisht për të plotësuar nevojat e zyrtarëve të lartë të ish-Jugosllavisë, për pushimet e tyre dimërore. Përkundër faktit se investimet kanë qenë minimale, duke u bazuar në mundësitë e ofruara nga këto dy vende turistike, pozita dhe kushtet ideale për zhvillimin e sporteve dimërore, mundësuan që këto dy vende turistike, sidomos Kodra e Diellit, të njihen, shumë shpejtë në gjithë botën. 

Me kalimin e kohës, në fund të shekullit 20, dhe më saktësisht nga viti 1980, këto dy vende të njohura turistike, filluan të harohen nga pushteti i ish-Jugosllavisë, investimet u ulën në kuotën zero, kështu që për disa vjet, numri i turistëve të huaj ra në minimum, nëse jo zero. 

Pas pavarësisë së Maqedonisë, kur të gjithë prisnin që Qeveria e Maqedonisë do të investon në zhvillimin e turizmit, në Malin Sharr, të paktën ta kthen Kodrën e Diellit, atje ku ajo ishte disa vjet më parë, ajo e haroi plotësisht, dhe e la në mëshirë të kohës, ku dita-ditës të bëhet shkatërrimi edhe i asaj që ka ngelur nga më herët! Kodra e Diellit, nuk u harua rastësisht, por ishte një vendim politik i Qeverisë së Maqedonisë, përfundimisht të tërhiqet nga Kodra e Diellit, për të ndërtuar një qendër të re turistike, dimërore, në Maqedoninë jugore (sa më largë shqiptarëve), atje ku mund të kultivohen pemët tropikale, por jo të ndërtohet një qendër turistike dimërore, për të zëvendësuar Kodrën e Diellit ose Qendrën turistike të Mavrovës,  pra u shpenzuan disa milona euro, për ndërtimin e infrastrukturës përcjellëse të qendrës turistike dimërore të Kozhufit, në afërsi të qytetit të Gjevgjelisë! 

Shqiptarët, nga ky vendim i Qeverisë së Maqedonisë, nuk u befasuan, ashtu siç edhe nuk ishin kundër vendimit për ndërtimin e Qendrës dimërore të Kozhufit, por insistojnë, në atë që u takon si qytetarë të Maqedonisë, në ndarjen e barabartë të fondeve buxhetore të Qeverisë,  për rindërtimin e qendrave egzistuese dimërore, ndër të cilat ishte edhe Kodra e Diellit, plotësisht e amortizuar. Ky qëndrim i Qeverisë së Maqedonisë, i befasoi qytetarët në përgjithësi dhe shqiptarët e Maqedonisë në veçanti, sepse nuk i trajtoi të gjithë qytetarët, kudo që janë, në jug apo në veri, lindje apo perëndim, të barabartë, duke mos e bërë shpërndarjen proporcionale të fondeve nga Buxheti i Maqedonisë, ashtu si ata trajtohen nga ligjet dhe Kushtetuta e Maqedonisë, në rastin e detyrimeve qytetare ndaj shtetit dhe kuntributit për mbushjen e thesarit shtetëror.  

Planifikimi urban, kusht i nevojshëm dhe i domosdoshëm, për zhvillimin e turizmit në Malin Sharr

Koha që ka kaluar nuk kthehet mprapa, por nuk duhet të lejohet që të vazhdojë, të humbet akoma në të ardhmen. Prandaj, përfaqësuesit shqiptarë në Qeverinë e Maqedonisë, të angazhohen në përputhje me mandatin që e kanë marrë nga votuesit shqiptarë, të insistojnë, dhe jo të kërkojnë, atë që qytetarëve u takon të marrin në mënyrë proporcionale nga Buxheti i Maqedonisë.

Në buxhetin e Maqedonisë, si pikë e veçantë, duhet të jetë, përcaktimi dhe planifikimi i mjeteve për hartimin e Strategjisë dhe planifikimit urban, për zhvillimin e turizmit në Malin Sharr, njëjtë si parashiheshin mjete për zonat ekonomike në Maqedoni, Planifikimet për ritjen e kapaciteteve energjetike,  etj. Kjo Strategji, e hartuar nga ekspertë përkatës, do të përfshijë tërë hapësirën e Malit Sharr, që i takon Maqedonisë. Grupi për punimin e Stategjisë, detyrimisht, të udhëhiqet nga ekspertë, të cilët u përkasin pjesëve të Malit Sharr, si njohës të mjedisit, kulturës dhe specifikave natyrore të Malit Sharr. Strategjia për zhvillimin e turizmit në Malin Sharr, bashkë me planifikimin urban adekuat, hapësinor dhe urbanistik, do t’i vendos kornizat për një zhvillim afatëgjatë të turizmit, dhe jo vetëm, në Malin Sharr, me bukuri të ralla natyrore, të pa shfrytëzuara deri tani. Si çdo Strategji, dhe kjo duhet të jetë e ndarë në faza, afatëshkurtë, afatëmesme dhe afatgjate. 

Fillimisht, pas hartimit dhe miratimit të Strategjisë dhe Planifikimit urban, implementimi i fazës së parë, do të jetë obligim i Qeverisë së Maqedonë, e cila nga fondet buxhetore do të ndërtoj gjithë rrjetin e nevojshëm të infrastrukturës, me të gjithë elementet përcjelëse, në tërë hapësirën e Malit Sharr, nga ana e saj (Maqedonisë). Bazuar në planifikimin hapësinor dhe urban, si dhe në përputhje me Stategjinë e miratuar, hapësira e Malit Sharr, e cila i takon Maqedonisë, do të ndahet në sektorë, në përputhje me Ligjin për ndarjen teritorjale të Maqedonisë, ku secili sektor do të përbën një tërësi të pavarur turistike, dhe do të jenë të lidhur ndërmjet tyre, sikur të ishte një sektorë i vetëm. Planifikim i duhur për të gjithë Malin Sharr në përgjithësi dhe sektorëve në veçanti, krijon kushtet për investitorë, vendas dhe të huaj, për të përfunduar këto sektorë me të gjitha objektet përcjellëse të nevoshëm për të përmbushur kërkesat e turistëve, në sezonën verore dhe dimërore. 

Mënyra e investimeve, bazuar në përfitimet e shumta që do kenë, banorët lokal, komunat dhe shteti, nuk duhet të ketë ndonjë pengesë reale, por duhet të jetë një zgjidhje formale. Kjo do të përcaktohet në përputhje me interesin e përbashkët, ndërmjet palëve. 

Nuk ka nevojë për të qenë ekspertë profesional, për të kuptuar se pjesa e Malit Sharr, që i takon Maqedonisë, në gjatësi prej 60 km, dhe gjërësie midis 10 dhe 20 km, paraqet një hapësirë gjigante turistike, për Maqedoninë me dy miljon banor, me mundësi për thithje të shumta të investimeve, nga investitor të vendit dhe të huaj, nga ku, do të përfitonin të gjithë, shteti në rradhë të parë, por dhe të gjitha komunat që ndajnë këtë hapësirë, si dhe banorët vendës, duke mos haruar numrin e vendeve të punës të nevojshëm për të përmbushur të gjitha nevojat turistike, ku në pamundësi të mbulohen nga banorët vendës, do të vijnë nga pjesët tjera të Maqedonisë, por pse jo, edhe nga shtetet fqinjë.

Rëndësi të veçantë, për grupin e ekspertëve, ka bashkëpunimi dhe koordinimi i mirëfilltë me grupin e ekspertëve të Kosovës, për të caktuar një planifikim të përbashkët me pika të shumta të takimeve ndërkufitare, në shërbim të zhvillimit të turizmit,  dhe lëvizjes së lirë të turistëve, në dy anët e kufirit. Një përvojë e tillë, nuk do ishte e zbuluar në Maqedoni dhe Kosovë, por me dekada egziston dhe funksionon në shtetet Evropjane, si p.sh, ndërmjet Italisë dhe Zvicrës, dhe jo vetëm.  

Gjithashtu, në bazë të planifikimit urban,  të planifikohet shëndrimi i fshatërave malor, gjysëm të shprazët dhe me varfëri të skajshme, si pjesë e Malit Sharr, në fshatra turistik, dhe të cilët për një periudhë të shkurtë do të mund të tejkalojnë problemin e varfërisë shekullore. 

Dhe në fund, nuk do të befasohem, nëse ndonjë lexues, i cili nuk ka dalë nga Maqedonia, të trajtoj këtë artikull si një ëndërr e parealizuar, ose një utopi, sepse ata nuk kanë pasur mundësi për të parë fshatrat malor, të ndërtuar në terene të vrazhdë shkëmborë, gjithëandej nëpër  Evropë, dhe të cilët, tani janë shëndruar në qendra, ose fshatra turistik, të vizituar nga turistë të shumtë, të ardhur nga e gjithë bota, por në fakt, befasohem me sjelljet e zyrtarëve të lartë shtetërorë, të Maqedonisë, të cilët shkojnë në, seminare, simpoziume, kongrese, takime të ndryshme, ose në pushime, dimërore dhe verore, nëpër ato qendra dhe fshatra turistik, të ndërtuara nëpër vende shkëmbore, nga investime maramendëse, dhe nuk angazhohen, për të bërë një krahasim mes atyre zonave shkëmbore, dhe Malit Sharr me bukuri të shumta natyrore, të pa përdorura. Ndoshta, mendojnë se ato vende shkëmbore, nëpër Evropë,  janë shëndruar në qendra dhe fshatra turistik, nga “zoti”, dhe jo nga puna dhe investimet e nevojshmet të shteteve respektive dhe investitorëve të ndryshëm.

 

tav
Me te lexuarat sot dhe te muajit
ALMAKOS