Këmbëza e ndryshkur e Policisë

Fillimi | Opinione | Këmbëza e ndryshkur e Policisë | Add to Facebook Share
image

Artur ZHEJI

Situata e rendit në Shqipëri ka kohë që ka dalë jashtë kontrollit. Por kjo vihet re edhe më shumë në periudhën e verës. Ardhja e dhjetëra mijë emigrantëve dhe fluksi i pafund i turistëve shqipfolës, krijojnë realisht një situatë të jashtëzakonshme. Gjëja e parë që bie në sy është shfryrja dhe ‘tërbimi’ dhe qejfi i mbërritjes në Atdheun pa semaforë dhe pa rregulla dhe pa një polici të fortë. Frustrimi i një viti të jetuar në vende me rregulla të forta që mbrojnë shumicën e popullsisë nga vandalizmi, shpërthen si një orgazëm e hareshme dhe vrastare. Makinat ulërijnë, kaosi dhe ndjenja e ‘lirisë’ deri në absurd, ulërijnë gjithashtu.

Por ky është vetëm një dekor me tipare histerike dhe me polici të fshehur s’dihet ku, me të cilin tanimë jemi mësuar deri diku. Dhuna agresive me tipare huliganizmi është bashkudhëtare e kahershme, ndaj dhe dua t’i mësoj sa më shpejt djalit tim karate dhe artet marciale, po ashtu edhe Besianës së vogël. Që të vetëmbrohen sa më shpejt dhe sa më mirë nesër, mundësisht që sot. Sepse muskujt e mi prej babai 50-vjeçar, nuk e kanë më fibrën dhe reflekset e dikurshme. Sepse muskujt e shtetit, e Policisë së Shtetit, nuk kanë lindur ende, sepse fatkeqësisht, mungon ende morali i tyre në mbrojtje të qytetarit.

Por përsëri kjo është akoma një pako gjë. Gangsterizmi, huliganizmi dhe kaosi spontan i rrugës apo i bulevardit, është, thënë me eufemizëm, një aspekt edhe temperamental mesdhetar. Një pubertet i zgjatur dhe primitiv i një moszhvillimi, apo i një keqzhvillimi nacional. I dëmshëm, por më së shumti i zhurmshëm.

Ringritja e sistemit të të Fortëve, kjo po është tashmë e papranueshme në një shoqëri me kaq ngërçe, me kaq vrasje dhe me kaq viktima.

Të Fortët kanë rilindur përsëri dhe në stil të gjerë, në çdo ind të jetës ekonomike dhe sociale shqiptare. Ata janë tre sojesh kryesore.

Soji i parë i të Fortëve, ngre krye, hedh rrënjë dhe zbaton antiligjin e forcës, si një zgjatim në terren i politikës. Në vitin 2008-2009, qeveria Berisha, ia mbërriti të shfarosë ca banda droge, trojesh dhe ca të Fortë lokalë, që ishin zgjatime në terren, të eksponentëve të ndryshëm të Partisë Socialiste. Dihej që në këmbim të ‘lirisë’ për të kontrabanduar dhe zhvatur, ata siguronin zona të sigurta elektorale. Ata përdornin forcën e tyre të paligjshme, për të siguruar para dhe vota, për ligjvënësit e ardhshëm. Kjo kategori ishte në shënjestrën e qeverisë Demokrate dhe pothuajse u eliminua; ndërsa sistemi i tyre, rrënja e mekanizmit të tyre, gradualisht polli filiza të rinj, me partnerë të rinj në pushtet. Këta të Fortë sot, veprojnë lirshëm. Unë nuk kam ndërmend të bëhem një bashkëpunëtor vullnetar i Policisë dhe i Prokurorisë, sepse edhe unë kam familje e fëmijë, por ata njihen. Kanë zonat e tyre dhe burimet e tyre ekonomike dhe imunitetin e paprekshmërisë së garantuar nga referentë politikë të niveleve të ndryshme dhe, kuptohet, në pushtet.

Këta të Fortë, janë një pushtet paralel antiligjor dhe Policia nuk i prek dhe policët, përgjithësisht njerëz të varfër dhe shumë të varfër, do ta quanin një shans të punësoheshin dhe të kryenin shërbime për Ta. Andaj dhe në Shqipëri, përveç ndonjë shuku me kanabis, nuk kapet asnjë gram drogë e shtrenjtë, e cila dihet që kalon, jo e paktë në korridoret shqiptare. Trojet, zhvaten dhe falsifikimi i tapive, është një sistem i mirëfilltë mafioz, që këmben pronarin me drogmenin dhe të Fortin. Dhe paratë e pista shpëlahen dhe sendërtohen në prona të patundshme, ditën për diell. Dhe unë, dhe ne rrimë e shohim makinat e shtrenjta, shumë të shtrenjta të kësaj shtrese, që na parakalojnë në mënyrë harbute, në Shqipërinë tonë pa semafor dhe me polici të fshehur nuk dihet se ku.

Soji i Dytë i të Fortëve, është një kategori edhe më e vrazhdë. Kryesisht me prejardhje rurale dhe me një ndjesi hakmarrëse ndaj qytetit, të kultivuar që në fëmijëri. Ata kanë lindur nga hiçi, duke ndjekur ligjet e përgjakura të xhunglës. Kanë vrarë dhe fshehur, kanë vjedhur dhe grabitur me sukses në vendet ku kanë emigruar si dhe në Shqipëri. Kanë krijuar bandat e tyre dhe klanin e tyre të fortë, duke luftuar dhëmb për dhëmb për territore dhe trafikime gjithfarësh. Edhe këta njihen. Vrasin me pagesë, vrasin për të mbyllur gojë, vrasin për të grabitur troje, vrasin për hakmarrje.

Janë tashmë profesionistë. Zgjedhin viktimën. Studiojnë huqet dhe lëvizjet e tij. Studiojnë oraret më të përshtatshme. Sigurohen që as edhe formalisht dhe rastësisht të mos gjendet aty rrotull këmbë polici. Dhe qëllojnë. Në shenjë. Për vdekje. Rastet janë pafund. Njeri më i bukur dhe më virtuoz se tjetri…

Janë korruptues të talentuar të segmenteve të policisë dhe kanë, kuptohet, ‘agjentët’ e tyre në radhët e ‘armikut’ të tyre teorik, në radhët e Policisë së Shtetit. Këta të Fortë, janë edhe mercenarë, kërcënojnë policinë, hedhin në kanal ndonjë polic të pabindur. Por nuk janë arrogantë, sepse nuk kanë një mbështetje të mirëfilltë politike, ata mbijetojnë në sajë të parave, të forcës dhe të gjakësisë së tyre.

Soji i Tretë, i të Fortëve, është kryesish klanor. Janë ‘kapedanë’ vëllazërish që kanë si bazë lidhjeje gjakun e farefisninë apo lidhje krahinore. Kanë rrënjë të forta lokale. Grabisin toka dhe troje turistike. Venë gjoba dhe infiltrohen rregullisht në policinë lokale. Kanë lidhje të forta me politikën dhe janë referentë aktivë në proceset elektorale. Nuk kanë një ngjyrë të qëndrueshme politike, përkundrazi janë kamaleonë perfektë dhe ndjekin si peshkaqenë më të vegjël vazhdën e peshkaqenëve më të mëdhenj, për të zhvatur llokmat që lenë pas më të fuqishmit. Korruptues të gjykatave dhe komunave lokale, sidomos të kadastrave dhe regjistrimit të pronave të patundshme. Pushtojnë detin dhe bregdetin në verë dhe komandojnë segmente të mëdha të turizmit, duke mos lejuar biznesin e madh ndërkombëtar apo kombëtar të hapë udhë e shteg aty ku janë ata. Janë të lidhur fort me tokën dhe bregdetin dhe mund t’i ndeshësh si biznesmenë, nga Ksamili në Velipojë. Praktikisht të pathyeshëm dhe të pakapshëm, sepse janë bejlurçinat e rinj lokalë që trafikojnë interesa grupi, në mënyrë të jashtëligjshme por me përfitim të mirë lokal.

Nëse Policia dhe Shteti do të donte të ndërhynte, për të zbatuar një plan kombëtar, për reformimin e turizmit për shembull, do të ngecte në rrjetën e të fortëve.

Nëse aksidentalisht policia do të ndërhynte qoftë edhe për të vënë një kufi të vockël, në arrogancën përherë e më të padurueshme të kësaj kategorie, do të zbythej. Ose nga një telefonatë e lartë, ose nga forca e tyre superiore, ose nga frika e hakmarrjes së tyre të nesërme.

Mund të arsyetojmë në gjithfarë mënyrash, por nuk mund ta mohojmë dot realitetin e kësaj bote paralele, që vret biznese, vret njerëz të thjeshtë, vret policë dhe mban në ngërç dhe moszhvillim jetën e përditshme të shqiptarëve.

Duhet pra një reagim.

Një shkundje kombëtare përtej të Majtës dhe të Djathtës, sepse përparimi i Botës së Krimit, e cila çel qindra lule gjaku në verë, duhet ndalur.

Policia mund të ketë një këmbëz të ndryshkur, por duhet ta shkrepë! Të krijojë nderin e saj dhe të mbrojë nderin e saj.

Dhe mundësisht të mbrojë edhe sigurinë tonë. Qytetarë familjarë dhe paqësorë. Të paarmatosur, pa truproja dhe pa ndonjë shpurë të armatosur. Të mbrojë edhe ne shumicën, zërin e së cilës po mundohem të përfaqësoj në këtë shkrim.

Me te lexuarat sot dhe te muajit
ALMAKOS