Mosha dhe kualifikimet e femrave të pushtetshme shqiptare në politikë

Fillimi | Lajme | Shqipëri | Mosha dhe kualifikimet e femrave të pushtetshme shqiptare në politikë | Add to Facebook Share
image

Ato janë të suksesshme në politikë dhe janë të pozicionuara në poste të larta shtetërore. Disa pëlqehen më shumë, e disa përkrahen më pak. Mirëpo, pavarësisht kësaj, ato ia arrijnë të depërtojnë dhe të imponohen në skenën e egër politike shqiptare. Por, çfarë moshe dhe profili kanë disa nga femrat e suksesshme të politikës shqiptare. Ne kemi zgjedhur disa nga rajone të ndryshme.

Një prej grave më të njohura padyshim se është shkodrania, kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli. E lindur më 15 tetor të vitit 1963, 50 vjecarja Topalli e cila është kryetarja e parë femër e parlamentit shqiptar, ka kryer studimet e larta në dy fakultete; në atë të Matematikës dhe të Drejtësisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër. Studioi për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Padovës, në Itali dhe u diplomua për master “Administrim publik” në Universitetin e Tiranës. Aktualisht është master-kandidate në “Studime europiane”.

Pashmangshëm, shkaku i pozitës së lartë shtetërore, gruaja e dytë politikane shqiptare aktualisht është presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. E lindur në fshatin Rashkoc të Gjakovës, presidentja kosovare është 38 vjeçare. 

Ajo më parë ishte zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, ndërkohë që, fillimisht shërbeu si police, duke përparuar në nivel rajonal dhe në atë të Shtabit të Përgjithshëm. Ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, Aktualisht vazhdon studimet e Magjistraturës në drejtimin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare 

Mirë e pozicionuar është edhe Mimoza Kusari-Lila, zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht ministre e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë të Kosovës.

35 vjecarja Kusari - Lila ka magjistruar për administrim biznesi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë kësaj kohe ajo vijoi studimet në Institutin Ekonomik, Universiteti i Kolorados dhe Universitetin e Duquesne në Pittsburg, ku përfundoi magjistraturën në e-biznes. Studimet e larta, Mimoza Kusari-Lila, i kreu në Univeristetin e Prishtinës në Fakultetin Ekonomik, ku diplomoi në sistemet e menaxhimit dhe informatave. 

Një tjetër femër e pushtetshme në Kosovë është edhe Edita Tahiri. E lindur në vitin 1956, zëvendëskryeministrja kosovare nga Prizreni, njihet për përvojën e saj të gjatë në politikë. 

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka mbaruar studimet pasuniversitare në Universitetin e Harvardit, Shkolla John F. Kennedy për Qeverisje në vitin 2002 dhe mbanë titullin Magjistër e Administratës Publike. 

Po ashtu ka diplomuar në programin Edward S. Mason për Politika Publike dhe Menaxhment, 2002. 

Vlora Çitaku është një prej femrave më të reja të suksesshme në politikë. Nënkryetarja e partisë kosovare në pushtet, PDK-së, është  32 vjeçare. Ajo njëkohësisht është në postin e ministres për integrime evropiane. Çitaku ka të mbaruar një MA në Medie dhe Gazetari. Para se të angazhohej në politikë ka punuar si gazetare dhe përkthyese për disa medie perëndimore gjatë luftës në Kosovë në periudhën 1998 – 1999.

Majlinda Bregu, ministre e Integrimit e Shqipërisë është e lindur me 19 maj, të vitit 1974.  

Gjatë viteve 1992 - 1996 ndjek studimet universitare në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Sociale. Më pas studioi për titullin Doktoraturë në Sociologji me temën "Fenomene kulturore dhe procese normative" si dhe mbron titullin Master në Shkencat Sociale pranë Universitetit të Tiranës.

Tetovarja, Teuta Arifi, ka lindur me 19 tetor të vitit 1969. Kjo 44 vjecare është doktor i shkencave në fakultetin Filologjik. Është nënkryetare e partisë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim, si dhe deri pak kohësh ishte zëvendëskrzeministre për Integrime Evropiane në qeverinë e Maqedonisë./ Almakos 

 

Me te lexuarat sot dhe te muajit
struga
ALMAKOS
tav
ALMAKOS ne FACEBOOK
Powered by Disqus