Edhe BDI-së i doli boja ...

Fillimi | Lajme | Maqedoni | Edhe BDI-së i doli boja ... | Add to Facebook Share
image

Koment nga Almakos

Që nga mëvetësimi i Maqedonisë e këtej, asnjë parti shqiptare nuk ka pasur aq “kredi” sa BDI-ja. Ajo  kishte besimin e plotë të popullit dhe përkrahjen ndërkombëtarëve që shpresonin se më në fund shqiptarët e këtushëm nga “dënesës” të përhershëm do ngrihen në rrafshin e faktorit që do drejtojë me shtetin e përbashkët.

Por çka ndodhi? Mbase, duke menduar se populli ushqehet  me fjalë e premtime,  e jo me vepra, se veprat janë të dukshme edhe kur vepron sipas parimit “puno, e heshtë”, kryesuesit e BDI—së filluan të sillen si “mbretër” që mbështeten në vullnetin e Zotit,  jo te votuesit.  

Pra, ata harruan se po ua hoqe emblemën partiake, menjëherë do shihet se janë atdhetarë të pamohueshëm, se bëhet fjalë për misionarë të përkushtuar, por që nuk mund të përballnin mjeshtërinë politike. Andaj, ata bënë të mundshmen që u mbetej: heshtjen ta përdorin si mbulesë për injorancën dhe duke “heshtur e punuar” të  marrin haraçin për vitet që i kishin kaluar në ekzil. Me çka medoemos duhej një ditë t’u dilte boja e të shihej se jo çdokush mund t’i shpëtojë “helmimit” të përjetshëm nga ushqimi i tepruar që ofron sofra e të qenurit pushtetar. Pra, kryesuesit e BDI-së bënë atë që shqiptarët e këtushëm e kishin jetuar dy dekada me radhë: partitë të jenë si arë të cilën e punon populli, por frutet e së cilës i mbledhin vetëm kryesuesit e saj. Dhe më në fund BDI-ja arriti këtu ku ndodhet sot, të jetë parti e cila nuk i përgjigjet popullit për te bëmat e veta, por merret me opinionistët, me çka arriti aty ku ishin partitë pararendëse shqiptare: të shpik “tradhtarë” e “masha”, vetëm për ta mbuluar vasalitetin e saj ndaj Gruevskit.  

Sa i përket kredisë së dytë, që i mundësonte BDI-së ta mbante veten si “parti serioze”, pra sa i përket përkrahjes së ndërkombëtarëve, shumë të dhëna flasin se edhe ajo kredi më është e harxhuar dhe kryesuesit e saj edhe atë e përdorën si mbulesë për paaftësitë e veta. Pa dyshim se edhe nuk mund të ndodhte ndryshe në rrethana kur drejtuesit e kësaj partie dinin të thonë vetëm një frazë: “Se janë parti serioze dhe se së bashku me miqtë ndërkombëtarë do i arrijë qëllimet e veta”. Dhe e thoshin paturpshëm këtë e në ndërkohë u bënë shërbëtorë të përulur të Gruevskit. E thoshin këtë duke menduar se “miqtë ndërkombëtarë”  janë ata që do i  nxjerrin nga pozita e vasalit, duke mos e kuptuar se“miqtë” ndërkombëtarë  s’kanë si të të shpëtojnë kur je ulur në prehrin e Gruevskit i cili duke të pasur në prehër, kur t’i teket të urdhëron të votosh për mbylljen e medieve, apo kur don të përdorë si bashkëbisedues me Shoqatën e Gazetarëve vetëm sa për të mbuluar vetveten.

Pra, miqtë ndërkombëtarë s’mund të të ndihmojnë kur voton për mbylljen e TV A2  – me përjashtim të të riut, por të vetmit që u mundua të mbrojë dinjitetin e kësaj partie, Zamir Mehmeti –, pra kur për mbyllje mediesh votojnë edhe gazetarë të kalibrit të Salajdin Xhezairit, i cili mbase kështu i mbron vlerat e BBC-së ku ka punuar me vite. 

Si qo që të jetë, BDI-ja sot ngjanë në shoqëri e aksionarëve të pasur, por që e kanë bankrotuar “kompaninë” e tyre. Ku ta dish, ndoshta shqiptarët paguajnë çmim për besimin e tyre të kotë  se ata që kishin në prapavijë aurën e ish UÇK-së dhe përkrahje ndërkombëtarëve, do bënin diçka më shumë seç kishin bërë partitë e tyre të mëparshme. Mund të ndodh që shqiptarët e Maqedonisë me vonesë ta kuptojnë se krerët e BDI-së ndoshta edhe s’kanë gjithaq faj: çasti historik i ngarkoi me barrën për të cilën nuk kishin shpatulla ta bartnin. Apo mendonin se demokracia e leninizmi dallojnë vetëm në atë që e para ndërtohet me përkrahjen e “miqve ndërkombëtarë” e  dyta me mbështetjen e  “Xhaxhit Enver”.  Si do që të jetë, kështu siç shkojnë punët do mund të ndodh që nga gjitha partë e deritanishme që kanë pasur shqiptarët e Maqedonisë,  BDI-ja do mbahet mend si partia e shpresës së madhe dhe e dëshpërimit më madhorë që kanë përjetuar  shqiptarët e këtushëm. Gjë që do përfundojë me atë që shqiptarët e Maqedonisë të jenë gjithnjë e më mosbesues ndaj gjithë politikanëve të tanishëm e të ardhshëm. Sa keq për shqiptarët e këtushëm të cilët në mos më shumë, këtë nuk duhet tia falin kurrë BDI-së. Sa mëkat për BDI-në dhe për shqiptarët e këtushëm të cilëve kjo parti vetëm ua sforcoi bindjen se çdo gjë ndryshon e ecë përpara, por vetëm gënjeshtrat e politikanëve të shqiptarëve të Maqedonisë mbeten të përjetshme.

ALMAKOS 

 

Kurse matematikore
Me te lexuarat sot dhe te muajit
ALMAKOS ALMAKOS