Sektori joqeveritar në shërbim të politikës

Fillimi | Lajme | Maqedoni | Sektori joqeveritar në shërbim të politikës | Add to Facebook Share
image

SEFER TAHIRI 

Në Maqedoni ekzistojnë shumë organizata joqeveritare, por ka shumë pak aktivizëm qytetar. Ky do të ishte përkufizimi më i shkurtër që del nga qëndrimet dhe pikëpamjet e “qytetarëve joqeveritarë”, të cilët drejtojnë organizata të ndryshme në sektorin, i cili nuk kërkon pushtet, por tenton të jetë pjesë e pandashme e formimit të opinionit publik, midis tjerash edhe lidhur me politikat qeveritare. Në Regjistrin Qendror, institucion ky që regjistron subjektet e ndryshme juridike, evidentohen 11 mijë e 500 organizata joqeveritare, nga të cilat disa janë aktive e disa të tjera funksionojnë në mënyrë “sezonale” apo vetëm kur kanë projekte nga të cilat financohen. Vitin e kaluar u miratua Ligji i ri për sektorin joqeveritar dhe deri në prill të vitit të kaluar të gjithë duhej të riregjistroheshin. Qendra për Zhvillim Institucional, që është një organizatë që jep grante për iniciativat qytetare vlerëson se sektori joqeveritar nuk ka përfshirë qytetarët në nivelin e duhur në nisma të ndryshme, andaj mobilizimi i tyre është i domosdoshëm me qëllim që të luajë rolin e korrigjuesit të politikave publike, apo të ndërmarrin nisma që janë në të mirën e qytetarëve. Për shkak të pozitës së dobët që ka sektori qytetar në sistemin shoqëror, mospasjes së fondeve vetanake financiare dhe marrjen e tyre nga Qeveria si dhe për shkak të koordinimit të aktiviteteve publike me subjekte të caktuara politike, mbizotëron bindja se në Maqedoni sektori civil funksionon nën “ombrellën” e partive politike më të mëdha. 

Njëri ndër njerëzit më me ndikim në këtë sektor Vlladimir Millçin, drejtor i Fondacionit Shoqëria e Hapur “Soros” konstaton se pushteti ka arritur që një pjesë të sektorit qytetar ta frikësojë, ndërsa një pjesë ta “blejë”. Por, Millçin thotë se pushteti aktual i VMRO-DPMNE-së po zhvillon fushatë të “egër”, e orientuar ndaj Fondacionit Shoqëria e Hapur-Maqedoni, e themeluar në vitin 1992 nga filantropi Xhorxh Soros dhe ndaj 20 shoqatave të qytetarëve, nismave qytetare dhe Fondacionit “Metamorfozis”, të themeluara dhe të ndihmuara nga “Sorosi”. Ngjashëm ndodh edhe me mediat që i ndihmon financiarisht ky fondacion. Rasti i fundit ishte portali në gjuhën shqipe “Portalb”, i cili u gjend në fokusin e kritikave të pushtetit. “Fondacioni ynë dhe organizatat e ngjashme nuk janë nën kontrollin e asnjë partie politike, por realizojnë prioritetet që çojnë drejt realizimit të misionit, i cili shpie drejt idealit të quajtur “shoqëria e hapur”. Por, VMRO-DPMNE-ja ka ambicie të kontrollojë edhe sektorin joqeveritar si komponentë e shoqërisë qytetare. Shembull më i mirë për instrumentalizimin e organizatave joqeveritare mund të jetë organizata e formuar nga kjo parti me emrin Zëri i dritës”, thotë Millçin.

Por, Zhidas Daskallovski, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Krijimin dhe Hulumtimin e Politikave thotë se problem i madh i sektorit joqeveritar është ndikimi i Fondacionit Shoqëria e Hapur, i cili bën granatimin dhe rigranatimin, ndërsa udhëheqja e saj është politikisht e përcaktuar dhe aktive. 

Në Maqedoni si në çdo fushë tjetër, ashtu edhe në atë të sektorit joqeveritar funksionojnë dy botë paralele, ajo shqiptare dhe maqedonase. Një pjesë e shqiptarëve të cilët nuk e panë veten të përfaqësuar në organizatat qytetare që funksiononin, më 5 maj të vitit 2006 në Shkup themeluan Lëvizjen Qytetare ZGJOHU! Kjo organizatë në programin e saj theksonte se formohet si pasojë e partizimit të skajshëm të shoqërisë shqiptare në Maqedoni. “Të nxitur nga mosekzistimi i zërit paralel në shoqëri, të brengosur nga rrezikimi i identitetit kombëtar si dhe përvetësimi dhe zhbërja e trashëgimisë tonë kulturore dhe shpirtërore, u mblodhëm për të vënë themelet e veprimit civil ndër shqiptarët e Maqedonisë dhe për të sfiduar apatizmin qytetar”, thuhej në njoftimin e ZGJOHU-t.  

ZGJOHU! kishte për qëllim themelimin e një mase kritike si zë paralel civil në një shoqëri jashtëzakonisht të partizuar. Por, kjo zgjati vetëm deri në maj të vitit 2011. 

5 vjet pas themelimit të kësaj lëvizje, menjëherë pas dështimit të nismës për unifikimin e votës shqiptare, disa aktivistë të “ZGJOHU-t" vendosën që në zgjedhjet e 5 qershorit të vitit 2011 t’i bashkëngjiten listave për deputetë të BDI-së. Kreu i lëvizjes “Zgjohu”, Artan Grubi ishte i katërti në listën e kandidatëve për deputetë në njësinë zgjedhore numër 2, që nuk mjaftoi të fitojë karrige në Kuvendin e Maqedonisë. Artan Grubi sqaronte: “Pas vlerësimeve për atë se kush ofron mundësi më të mëdha për t'i realizuar qëllimet tona, vendosëm që të bashkëpunojmë me Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, partinë më të madhe shqiptare në Maqedoni, partinë e cila bëri kthesën vendimtare për shqiptarët, partinë e cila hapi dyert për ne si veprimtarë të rinj dhe parti nëpërmjet së cilës ne jemi të bindur se angazhimi jonë do të realizohet plotësisht drejt avancimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, e ajo parti është Bashkimi Demokratik për Integrim”. Por Grubi konsideronte se bashkëpunimi me BDI-në nuk do të dëmtoj OJQ-në që ai përfaqësonte dhe drejtonte për shkak se ky bashkëpunim paraqiste siç deklaronte ‘bashkëpunim individual’. 1 vit më pas kreu aktual i Lëvizjes “ZGJOHU”, Bekim Hoxha mendon se edhe pse pushteti në mënyrë sistematike po e ngulfat dhe po e uzurpon hapësirën, e cila natyrisht duhet t’i takojë sektorit joqeveritar, kjo nuk ka ndodhur me “ZGJOHU-n”. “Nëse flasim rreth Lëvizjes Qytetare “ZGJOHU!”, ne nuk kemi lejuar pushtetin e as ndonjë faktor tjetër që të ushtrojë ndikim mbi aktivitetet dhe veprimet tona, të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë 100% autoktone dhe vullnetare”, tha Hoxha. 

Hoxha ka komentuar edhe kritikat që iu bënë kësaj organizate, në të cilat nënvizohej se me përfshirjen e saj në politikë “ZGJOHU!” dëshmoi se ka funksionuar nën diktatin e partisë shqiptare në pushtet-Bashkimi Demokratik për Integrim. Hoxha thotë se fatkeqësisht ekziston një perceptim i këtillë i krijuar nga ana e disa qendrave margjinale politiko-mediale dhe opinionformuese në vend. “Me plot përgjegjësi deklaroj se “ZGJOHU!” është një organizatë e pavarur dhe autoktone në idetë e veta dhe veprimtarinë e vet. Këtë e kemi dëshmuar shumë herë gjatë aktiviteteve tona të kaluara 6-vjeçare”, tha Hoxha duke konkluduar me bindje të plotë se “themeluesi dhe ish-kryetari i Lëvizjes Qytetare “ZGJOHU!”, Artan Grubi, vendosi të transferohet në politikë, ndërsa “ZGJOHU!” vazhdon me misionin e vet. Komentet në këtë drejtim janë tërësisht të pabaza, thelbin e kanë në subkulturën lokale politike në vend dhe në faktin se jetojmë në një shoqëri ekstremisht të partizuar. Injoranca dhe etiketimi shumë i lehtë janë sfida me të cilat duhet të kacafytet çdo qytetar dhe secila OJQ e cila dëshiron të lërë gjurmë në shoqërinë tonë”.

Ngjashëm edhe OJQ “Realiteti” nuk arriti tu përballojë erërave politike që vazhdimisht frynin ndaj sektorit qytetar. 

Organizata Joqeveritare “Realiteti”, e formuar në vitin 2009, ishte organizatë në Maqedoni e cila mision afatgjatë kishte ndërtimin e një rrjeti të qëndrueshëm të personave me vizion. OJQ-ja në veçanti kishte për qëllim analizimin e situatave aktuale dhe vëzhgimin e proceseve zhvillimore dhe shoqërore (politike, ekonomike, kulturore) si dhe hartimin e raporteve dhe qëndrimeve kritike ndaj proceseve të vëzhguara dhe aktualiteteve të ndryshme.

Kreu i kësaj shoqate Valon Bela më 28 nëntor të vitit 2010 vendosi që të themelojë partinë e re politikë shqiptare me emrin “Lidhja Shqiptare”, e cila në programin e saj kishte nënvizuar se angazhohet për kantonizimin e Maqedonisë. Bela sqaronte për publikun se: “Çështja shqiptare duhet të zgjidhet mbi parimin e thjeshtë për shndërrimin e Maqedonisë në shtet kantonal. Modeli më i suksesshëm për zgjidhje të antagonizmave ndëretnike që shfaqen ore çast në Maqedoni është modeli kantonal, pra ndarja e Maqedonisë në tre kantone: një kanton maqedonas, një shqiptar dhe i treti, etnikisht i përzier. Ky model zgjidh të gjitha dilemat dhe padrejtësitë qofshin mbi baza etnike, financiare apo të natyrave të tjera”.

Por jetëgjatësia e kësaj partie zgjati vetëm disa muaj, pasi pak para zgjedhjeve parlamentare të 5 qershorit të vitit të kaluar subjekt i ri, Lidhja Shqiptare iu bashkëngjit Partisë Demokratike Shqiptare të opozitës. Bela mëgjithë shkrirjen e “REALITETIT” në PDSH nuk arriti të përfshihet si bartës liste për deputet në zonën e tij. Menjëherë pas zgjedhjeve Bela u largua edhe nga PDSH-ja, por më nuk iu kthye aktiviteteve të organizatës që drejtonte. Me këtë “REALITETI” u shua së ekzistuari, ndërsa me vetë faktin që “ZGJOHU-t” iu vu njolla politike, në njëfarë mënyrë u shkaktua paralizimi i sektorit joqeveritar.

Nga ana tjetër kryetari i Organizatës Joqeveritare “Iliricum Libertas”, Valon Kurtishi shprehet se kohëve të fundit vërehet një dobësim i zërit alternativ dhe i sektorit civil, pasi një numër i madh i shoqatave e kanë ndërprerë veprimtarinë e tyre. “Një pjesë janë bashkuar me partitë, por ne si  “Iliricum Libertas” nuk planifikojmë të shkrihemi apo të ndërmarrim një veprim të tillë, por do të vazhdojmë funksionimin tonë”, tha Kurtishi.

Kurtishi thotë se fuzionomi i organizatave joqeveritare në subjekte politike është një fenomen i pakëndshëm dhe nuk është në interes të shoqërisë sonë.  

Kryetari i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, Skender Hasani konsideron se rrethanat politike, kriza ekonomike dhe problemi i emrit që po shfaqet me krizën e identitetit të popullit maqedonas, shpien në konstatimin se politika ndikon drejtpërdrejt ndaj shoqërisë civile. Hasani madje konstaton prerazi se organizatat joqeveritare janë drejtpërdrejt në funksion të kornizave të vëna nga politika. “Këto dy organizata joqeveritare, “ZGJOHU” dhe “REALITETI” nuk ishin  të iniciuara nga partitë politike, sepse ekzistonte hapësirë e zbrazur në këtë fushë të veprimit dhe ato arritën që pak nga pak të profilizohen. Por, këto dy organizata dështuan në momentin kur filluan të profilizohen dhe dështimin e tyre e shoh tek mospasja e vizionit për veprim të mëtejshëm”, tha Hasani për të përfunduar se kjo gjendje mundësoi që organizatat qytetare të përvetësohen dhe të bëhen pjesë e disa subjekteve politike.

Bashkim Bakiu, drejtor ekzekutiv i Institutit të Qeverisjes së Mirë dhe Krijimit të Politikave mendon se “përfshirja e dy udhëheqësve të te dyja organizatave në politikë nuk është gabim, sepse bëhet fjalë për vendime personale, por situata tregon se sa i zbehtë është sektori joqeveritar dhe është dëshmuar se organizatat kanë funksionuar në stilin ‘Njeri-Organizatë’. Domethënë nuk janë krijuar kapacitete organizative dhe grupore, por të njëjtat kanë qenë të lidhura me persona. Largimi i liderëve të tyre ka ndikuar që të shuhen organizatat e tilla, sepse personave u lejohet të bëjnë zhvendosje apo largim nga organizata në parti, por organizatat së paku të jenë funksionale”.

Nazim Rashidi, analist politik që ka shkruar për çështjen e politizimit të sektorit joqeveritar analizon se “ZGJOHU” më tepër dhe “REALITETI” shumë pak, sepse u shfaq më vonë ne opinion, kanë pasur edhe rol civil. Disa iniciativa të “ZGJOHU”-t realisht merrnin përkrahje nga qytetarët siç ishin ato rreth Nënë Terezës. “Më shumë problematik ishte momenti ose më mire thënë mënyra e shkëputjes së liderëve të këtyre OJQ-ve nga veprimi civil në atë politik. Parimisht gjithçka është politikë, sepse OJQ-të në fakt duan të ndikojnë tek politika, por shkëputjet jo të qarta, lënë përshtypjen se në fakt OJQ-të kanë pasur si qëllim përfshirjen në politikë dhe jo veprimin civil”, tha Rashidi. Analisti Rashidi më tej në analizën e tij konkludon se roli i organizatave joqeveritare është problematik, kur pas përfshirjes së liderëve të këtyre organizatave në “ujërat” politik, reagimet e OJQ-ve përkatëse thuajse u shuan ose janë në linjë me qëndrimet e partive, ku u përfshinë drejtuesit e organizatave. “E gjithë kjo ka ndikuar ne mosbesimin ndaj OJQ-ve. Por nga ana tjetër duhet të jetë edhe një nxitje e fuqishme për gjeneratat që realisht duan të kenë veprime civile, për tu treguar të gjithë skeptikëve se OJQ-të nuk do të thotë se formohen për qëllime politike. Por paralelisht me procesin e përfshirjes së OJQ-ve në politikë, ne kemi edhe procesin e mosangazhimit, që është një çështje tjetër”, tha Rashidi.

Publicisti dhe analisti Salajdin Salihu, është një ndër kritikët e ashpër të sektorit qytetar, ndërsa është drejtor i Institutit për Demokraci dhe Zhvillim, me seli në Tetovë. Salihu është i prerë se fatkeqësisht sektori joqeveritar është i ngulfatur nga kthetrat e pushtetit dhe më shumë mbron interesat e tij se sa të grupeve qytetare. “Pushteti pasi ka ngulfatur çdo sferë shoqërore, në mënyrë të tërthortë e ka vënë nën kontroll edhe sektorin joqeveritar. Kjo situatë ka shkaktuar një ndjenjë mosbesimi te qytetarët ndaj OJQ-ve të ndryshme. Në Maqedoni ka ndodhur që lëvizjet qytetare të formoheshin për të shërbyer si trampolinë që disa udhëheqës të tyre të katapultoheshin në politikë. Dy lëvizjet, fillimisht të përkrahura, veçanërisht nga të rinjtë, “ZGJOHU!” dhe “REALITETI” u shndërruan në filiale partiake. Liderët e tyre, pas një sërë aktivitetesh qytetare, gjetën çastin që të merrnin me vete këto organizime dhe t’u bashkëngjiteshin partive politike, njëra BDI-së, kurse tjetra PDSH-së. Tani shpesh dëgjojmë se “ZGJOHU” ekziston si lëvizje qytetare, por në fakt këtë askush nuk e beson”, tha Salihu. 

Publicisti Salajdin Salihu ofron fakte konkrete që dëshmojnë politizimin e sektorit joqeveritar. “Drejtuesi i “ZGJOHU-t”, Artan Grubi, tani është shef kabineti i kryetarit të BDI-së dhe synon të bëhet deputet i kësaj partie. Shfrytëzimi i kësaj lëvizje për të bërë karrierë politike, sigurisht shkaktoi pakënaqësi te shumë të rinj të cilët u angazhuan të kontribuonin përtej kuadrateve partiake. Kalkulimet e këtilla i sollën dëm të madh pikërisht sektorit joqeveritar, sepse qytetarët humbën besimin dhe tashmë është zor të rikthehet ky besim, ngase mendohet se shfrytëzohen si trampolinë për karriera politike të drejtuesve të tyre”, tha Salihu. 

Analisti politik dhe aktivisti për të drejtat e njeriut, Artan Sadiku është edhe më kategorik në vlerësimin e tij. Sipas tij ky sektor është inekzistent në Maqedoni. “Nga dukja e jashtme e këtyre OJQ-ve, nga modeli i zbatuar i veprimit dhe forma e deklarimit mund të konstatojmë se fokusi i vetëm i tyre ka qenë gjithnjë vetja e tyre, rejtingu i paramenduar ose statusi shoqëror. Këto organizata joqeveritare, siç u vërtetua, nuk kanë pasur asgjë qytetare në to, përveç pretendimit të rremë, si pretekst për të mbuluar, dhe atë në mënyrë të pasuksesshme, ndërtimin e ndonjëfarë imazhi, i cili më pas do të bartet në njërën nga partitë”, deklaroi analisti Sadiku duke konkluduar se me këto veprime OJQ-të jo që e kanë tradhtuar idenë e qytetarisë, sepse asnjëherë nuk kanë qenë pjesë e saj, por e kanë mallkuar këtë ide. Sadiku shton se këto fakte nuk duhet të na dëshpërojnë, sepse ka shumë aktivistë që nuk lodhen të organizojnë konferenca të kota shtypi, por bëjnë punë qytetare dhe tek ata qëndron shpresa e aktivizmit dhe e vërteta politike.

Lidija Dimova, drejtore ekzekutive e Qendrës Maqedonase për Edukim Evropian konsideron se partitë politike në Maqedoni, veçanërisht ata që janë në pushtet nuk e kuptojnë rolin e organizatave joqeveritare ose nuk duan ta kuptojnë, prandaj tentojnë në çdo mënyrë të ndikojnë ndaj tyre. “Me një pjesë të organizatave pushteti tenton të pastrojë hesapet më anë të etiketimit, diskreditimit por edhe me anë të lustrimit siç ndodh kohëve të fundit. “Pushteti duke tentuar t’i arsyetojë politikat e tij, tenton të vendos kontroll ndaj një pjese të organizatave që të punojnë në funksion të tij. Përfundimisht një pjesë e organizatave janë të krijuara në mënyrë qëllimore nga partitë politike qeveritare me qëllim që të krijohet pasqyrë artificiale se gjoja ekziston balancim në sektorin qytetar dhe të krijohet pasqyrë se pas çdo organizate joqeveritare qëndron ndonjëra nga partitë”, tha Dimova. Si njëra ndër aktivistet më me përvojë në këtë sferë, Dimova konsideron se sjellja e tillë e Qeverisë është e dëmshme për vetëorganizimin qytetar për ndonjë qëllim jopartiak, por politik. Sipas Dimovës nuk është i kontestueshëm ndikimi i ndërsjellë politik midis partive dhe organizatave joqeveritare, por i kontestueshëm është ndikimi partiak dhe tentimet për partizimin e tij.

Edhe Zhidas Daskallovski, drejtor i Qendrës për Krijimin dhe Hulumtimin e Politikave ka ardhur në përfundimin se për fat të keq politizimi i shoqërisë është aq i madh, saqë një numër i madh i organizatave joqeveritare veprojnë si njësi të shpërndara të partive. “Edhe pse veprimi i organizatave në parim dhe në praktikë në botë nuk përjashton qëndrimin ideologjik dhe politik, tek ne situatat janë ekstreme, në atë mënyrë që ekzistojnë organizata joqeveritare për një përdorim sipas dëshirave, përkatësisht interesave të partive kryesore”, është decid Daskallovski.

Udhëheqësi i programit kombëtar nga Zyra për bashkëpunim e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Ibrahim Mehmeti thotë se sektori joqeveritar edhe pse ka pasur një rol shumë të rëndësishëm në procesin e demokratizimit të shoqërisë.

i njëjti “gëzon një nivel të ulët besimi te qytetarët, për shkak se shpesh organizatat joqeveritare ndërmarrin projekte që nuk janë pjesë e veprimtarisë së tyre, ose ato keqpërdoren për qëllime politike, me çka shkaktohet mosbesim ndaj tyre”.“Pushteti jo rrallëherë mundëson që ata të mos i realizojnë obligimet e marra në një afat më të gjatë. Duket qartë se është joproduktive edhe për vetë OJQ-të”, thekson Mehmeti.

Dimitar Apasiev nga Lëvizja Qytetare për Drejtësi Sociale “Lenka” në vështrimin e tij thotë se roli i gjoja partnerit në negociatat dhe marrëveshjet ceremonialisht i takoi organizatave joqeveritare, kryetarët poltronë të së cilave, me dozë të mahnitjes ishin dukshëm të gëzuar se nga estabilishmenti dhe “opinioni profesional” i sponsorizuar u perceptuan si partnerë të politikanëve në krijimin e opinionit publik. “Me fjalë të tjera këta të rinj dhe kapacitete shpresëdhënëse, u ngatërruan në burokracinë e OJQ-ve, të cilën vetë e krijuan dhe në të cilën u përfshinë vetë. Krijuan botëkuptim të hapësirës së mbyllur, sepse gjuha e sektorit të OJQ-ve ishte e abstrahuar nga realiteti dhe ishte më shumë imagjologjike”, tha Apasiev. 

Bashkëbiseduesit thonë se përveç politizimit, sektori joqeveritar në Maqedoni ballafaqohet edhe më një sërë problemesh të tjera, që e dobësojnë pozitën e tij në sistemin politik dhe në shoqërinë e Maqedonisë.

Drejtoresha e Qendrës Maqedonase për Edukim Evropian, Lidija Dimova konsideron se mungesa e dialogut të strukturuar në kuadër të sektorit, por edhe midis organizatave dhe institucioneve është njëri ndër problemet esenciale të këtij sektori. “Një numër i madh i organizatave nuk janë të vetëdijshme për rolin që kanë në sistemin politik dhe jetën shoqërore, por gjithashtu tek institucionet nuk ekziston vetëdije për bashkëpunim dhe konsultim me qytetarët”, tha Dimova. 

Ndërkaq sipas Zhidas Daskallovskit pozita e dobët e sektorit joqeveritar është e ndikuar nga dispozitat ligjore që u mundësojnë organizatave joqeveritare akces në fondet publike. “Donacionet e kompanive për sektorin qytetar nuk u jetësuan për shkak të procedurave të ndërlikuara, të cilat ata duhet t’i ndjekin nëse duan të donojnë në ndonjë organizatë joqeveritare. Ekzistojnë shembuj në vendet e rajonit të Evropës Qendrore, në të cilat qytetarët në fletëparaqitjet tatimore kanë të drejtë të caktojnë se cilat organizata joqeveritare duhet të mbështeten financiarisht”, analizon Daskallovski, i cili është edhe profesor universitar në Universitetin Publik të Manastirit. 

Në analizën e tij komparative lidhur me funksionimin e sektorit qytetar në Maqedoni dhe në vendet e rajonit, Daskallovski sqaron se në Serbi dhe Kroaci ekzistojnë fonde publike për mbështetjen e organizatave qytetare gjatë konkurrimit për fondet e Bashkimit Evropian. “Nevojitet shpërndarje më transparente e fondeve nga ana e Qeverisë së Maqedonisë dhe autoriteteve lokale, sepse ekzistojnë dyshime se të njëjtat u ndahen organizatave të afërta me njërën ose partinë tjetër, që është në pushtetin qendror ose lokal”.

Bashkim Bakiu nga Instituti për qeverisje të mire dhe krijimin e politikave si faktor tjetër numëron mungesën e fondacioneve, sidomos të huaja dhe mungesën e fondeve te veçanta të qeverisë për organizatat joqeveritare në mënyrë që të mund të realizojnë aktivitete te ndryshme. 

Pikërisht problemin e kufizimit të akcesit në fonde krahasuar me vitet 1990 e nënvizon edhe Lidija Dimova nga Qendra Maqedonase për Edukim Evropian. “Patjetër duhet të thuhet se organizatat joqeveritare nuk mund të jenë profesionale që të punojnë dhe të angazhohen për misionin e tyre. Nevojitet dëshira qytetare që të jenë legjitime në veprimin e tyre. Përfundimisht vetë qytetarët nuk janë mjaftueshëm të guximshëm që të përfshihen dhe tu besojnë organizatave joqeveritare pikërisht për shkak të atmosferës jo të lirë, që krijohet nga presioni dhe satanizimi dhe për shkak të reputacionit të rrënuar që u është shkaktuar OJQ-ve nga elitat politike dhe një pjesë e institucioneve”, tha Dimova, duke apeluar tek qytetarët që sa më shumë të angazhohen në organizatat joqeveritare, sindikatat dhe format e tjera të organizimit qytetar për realizimin e disa interesave, të drejtave dhe qëllimeve të tyre.

Ndërsa Vlladimir Millçin nga Fondacioni Shoqëria e Hapur-Soros thotë se partizimi total i shoqërisë, në të cilën dera e punësimit u hapet vetëm atyre që kanë libreza partiake, papunësia dhe varfëria e madhe e eliminojnë solidaritetin si vlerë qytetare. Por Millçin thotë se megjithë vështirësitë, një pjesë e sektorit qytetar nuk është infektuar nga virusi i autizmit shoqëror. 

Aktualisht është duke u realizuar projekti për përforcimin e sektorit qytetar, donator i së cilit është Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar USAID. Kushton 2.5 milion euro, ndërsa në të janë përfshirë “Sorosi” në partneritet me Forumin Arsimor të të Rinjve, Qendrën e komunikimeve qytetare, OJQ “Reaktor” dhe Qendrën për analiza strategjike “Forum”.  

Maqedonia shënoi 20 vjetorin e themelimit si shtet i pavarur dhe sovran. Bashkë me 20 vjetorin e shtetformësisë shënohet edhe 20 vjetori i funksionimit të sektorit joqeveritar, i cili kohëve të fundit po humb forcën e veprimit. 

Organizatat joqeveritare, por edhe ekspertët e konsultuar theksuan se jo vetëm partitë politike dhe institucionet shtetërore e publike, por edhe vetë institucionet qeveritare dhe organizatat joqeveritare duhet të krijojnë ura bashkëpunimi me qëllim që në Maqedoni të ndërtohet shoqëria e mirëfilltë demokratike, ndërsa politika dhe shteti në OJQ-të duhet të shohin partner për bashkëpunim e jo kundërshtar politik. 

(Storja hulumtuese është mbështetur nga rrjeti gazetaresk hulumtues danez SCOOP)

 

Me te lexuarat sot dhe te muajit
struga
ALMAKOS
tav
ALMAKOS ne FACEBOOK
Powered by Disqus