BDI-ja edhe betejën kundër kundërshtarëve politik e ka të huazuar nga Gruevski!

Fillimi | Lajme | Maqedoni | BDI-ja edhe betejën kundër kundërshtarëve politik e ka të huazuar nga Gruevski! | Add to Facebook Share
image

Koment: almakos.com

Përfaqësuesit e BDI-së thonë se nuk janë inferior në qeverinë e Gruevskit, por partner të barabartë. Ata i quajtën “masha” të Crvenkovskit të gjithë që kritikojnë partinë e tyre. E në ndërkohë nuk ofruan asnjë argument pse na qenka atdhetari t’i përkrahësh projektet e Gruevskit e tradhti të thuash se VMRO-DPMNE-ja ka koncepte të dëmshme ndaj këtij shteti dhe ndaj shqiptarëve .

Përndryshe BDI-ja e ka shumë të thjeshtë ta dëshmojë se është partnerë i barabartë me VMRO-DPMNE-në qeverinë e Gruevskit. Që BDI-ja të dëshmojë se nuk është vasale e sunduesit të quajtur Gruevski, do mjaftonte që ajo të dilte përpara votuesve të vet e të pranonte: 

-Se projekti “Shkupi 2014” është mbështetur nga kjo parti po aq sa edhe nga VMRO-DPMNE-ja, andaj shqiptarët s’kanë pse të jenë kundër përmendoreve;

-Se BDI-ja e përkrahë mënyrën si ndahen mjetet buxhetore të shtetit dhe se ketë e bënë në emër të një ardhmërie më të mirë për këtë popull, e që kritikues e saj nuk e kuptojnë;

-Se BDI-ja s’ka asgjë kundër botimit të “Enciklopedisë maqedonase” të financuar nga buxheti i shtetit, ngaqë kështu e ndihmon afirmimin tonë të përbashkët e veçanërisht atë të maqedonasve;

-Se kisha në Kalanë e Shkupit nuk është ndërtuar pa pëlqimin e BDI-së, por se kjo parti atë e konsideron objekt të rëndësishëm që do ndikojë në afirmimin e tolerancës ndëreligjioze:

-Se aksioni policorë “Monstra” është ndërmarr pasi BDI-ja – si bashkësunduese e barabartë e shtetit me VMRO-DPMNE - e ka parë listën e shtëpive që do bastisen, se i ka miratuar provat e të dyshuarve si “radikal islamik” që duhet arrestuar, se ka dhënë pëlqim që gratë shqiptare të përcillen nga policë të maskuar.

 Ja sa e thjeshtë është të dëshmosh se je partner i barabartë në qeverinë e Gruevskit, gjë që të çon të mos merresh me ata që e thonë të kundërtën. Ja pra si dëshmohet se je bashkësundues: duke treguar se asgjë nuk bëhet pa pëlqimin tënd. E kur ta dëshmosh këtë, kot e kanë ata që lehin se je vasal. Siç e kanë të kot edhe ata që thonë se të gjithë ministrat e BDI-së n qeveri nuk kanë as aq ndikim në qeveri sa sekretarja e Gruevskit. Por përderisa BDI-ja e pohon të kundërtën, përderisa ajo thotë se shumëçka që bënë qeveria e Gruevskit është në kundërshtim me politikat e saja, kjo do të thotë se ajo merr pjesë në një qeveri ku askush nuk e përfillë për asgjë dhe jo vetëm se është inferior, por më shumë se aq: i shërben si mbulesë një politike që dëmton shtetin dhe popullin tënd në të. Me çka, popullin tënd e çon të shkojë drejtë përçarjeve të reja, të mendojë për parti e liderë të ri,  të shtohen animozitetet grupore.    

Pastaj, BDI-ja shumë lehtë mund t’i demaskojë e t’i bëj të parrezikshme për shqiptarët e këtushëm  “mashat” e Crvenkovskit. Për ta bërë këtë mjafton t’i publikojë emrat e tyre e të tregojë se ajo ka legjitimitet që shqiptarëve të këtushëm t'ua përcaktojë edhe miqësitë e tyre private me cilindo maqedonas. Pastaj do duhet të tregojë e të dëshmojë se sipas cilave fakte na qenka atdhetari të bëhesh shërbëtor i Gruevskit e tradhti të kesh mendim të ndryshëm nga ai i kryesuesve të BDI-së? 

E kur bëhet fjalë për luftën mes “mashave” dhe “vasalëve”, ajo dëshmon vetëm një gjë: se BDI-ja edhe betejën ndaj kundërshtarëve të vet politik e ka të huazuar nga Gruevski dhe atë e zhvillon në stilin - merru me tradhtarët kur nuk je i aftë të bësh atë për çka të ka votuar populli.  Kështu që, BDI-ja arriti të na integrojë në shoqërinë maqedonase vetëm sipas filozofisë populiste dhe asaj për ndërtimin e përmendoreve, autor i së cilave është Gruevskt: përçaje popullin që më lehtë të mund të sundosh me te.  Pra e çoi shoqërinë shqiptare të merret me çështje absurde: të dëshmojë atë që e përmend shpesh një analistë yni – se cili vasalitet është më i mirë, ai që i shërben Gruevskit apo ai që është në shërbim të Crvenkovskit.

Përderisa BDI-ja merret me betejën e huazuar nga Gruevski  – atë të “tradhtarëve” shqiptarë që bashkëpunojnë me Crvenkovskin dhe të “patriotëve” që i shërbejnë Gruevskit – shqiptarët duhet ngutshëm dhe pa mëdyshje t’ia rikujtojnë BDI-së atë që siç duket kryesuesit e saj e kanë harruar: se shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë hallin se cili është sundues më i mirë për ata, por si të bëhen sundues të vetvetes dhe të shtetit ku jetojnë. Ky është çelësi i çështjes, e jo ai që e imponon BDI-ja, e cila është aq e paaftë të prodhojë politika të vetat sa edhe betejën kundër kundërshtarëve të vet politik e ka të huazuar nga Gruevski. Duke dashur kështu të mbulojë të vërtetën se nuk ka asnjë dallim mes asaj të jesh “mashë” e Crvenkovskit dhe “vasal” i Gruevskit. /Almakos

Kurse matematikore
Me te lexuarat sot dhe te muajit
ALMAKOS ALMAKOS