Xhaferri: Islami radikal nuk ka ndikim në Maqedoni

Fillimi | Lajme | Maqedoni | Xhaferri: Islami radikal nuk ka ndikim në Maqedoni | Add to Facebook Share
image

Intelektuali i njohur shqiptar, Arbën Xhaferri, analizon zhvillimet e fundit në hapësirën shqiptare, por edhe jep mundësitë për zgjidhjet. Si një vëzhgues i vëmendshëm deri në detaje, në një intervistë për “Shqip”,  Xhaferri, duke folur për Presidentin e ri të Shqipërisë, thekson se njerëzit me ndikim po kërkojnë dikë të kontrollueshëm “që nuk turbullon ujërat”, por zgjidhja vjen vetëm nga zgjedhja nga populli. Ndërkaq për situatën aktuale në Maqedoni, politikani që firmosi (bashkë me Ahmetin) Marrëveshjen e Ohrit, nuk ka dilema: Nuk ka rrezik për një kanalizim fetar të politikës së shqiptarëve. Por çështja është se aty ku shqiptarët janë më të shtypur, ka dualizëm kulturor…

Ngjarjet e fundit kanë rritur tensionin në Maqedoni, duke sjellë një përplasje të re sociale. Por që këtë radhë, duket se ka pasur edhe një katalizator më shumë për t’i hedhur benzinë zjarrit-feja. Si do ta konsideronit veprimin e qeverisë së Shkupit dhe reagimin e shqiptarëve?

Zhvillimet e fundit në Republikën e Maqedonisë janë pasojë e shumë faktorëve globalë dhe lokalë. Nga aspekti global, e gjithë bota është e ballafaquar me një frymë revolucionare që vjen nga disa qarqe të shteteve, përkatësisht shoqërive myslimane. Këto ngjarje të terrorizmit spektakolar shënojnë vazhdimësi me lëvizjet anarkiste të shekullit XIX që, duke krijuar anarki synonin t’i nxjerrin jashtë binarëve qeveritë për të krijuar kështu rrethana lehtësuese për vendosjen e një rendi të ri shoqëror. Te disa qarqe radikale islamike në botë, pas dështimit të komunizmit, ekziston tendenca për vazhdim të misionit të kësaj ideologjie totalitariste, por me një dallim esencial; totalitarizmi fetar është më i rrezikshëm, ngaqë legjitimitetin e mbështet mbi një ide të pakontestueshme, atë të Zotit. Çdo aksion që ndërmerret, me cinizëm arsyetohet me vullnetin e Zotit. Ata që rezistojnë të pranojnë këtë lloj të manipulimit masiv kërcënohen me vdekje dhe lloje të ndryshme të presionit. Armiku më i madh i kësaj utopie të re, këtij totalitarizmi është dyshimi, mendja kritike. Ideologët e kësaj utopie, që pos një retorike shterpe nuk ofrojnë asgjë tjetër, janë shumë të brengosur nga politika e myslimanëve të kënaqur nga sistemi i vlerave perëndimore, siç janë shqiptarët dhe bëjnë çmos që t’i bëjnë për vete. Aktivitetin e tyre proselitist, këto qarqe e zhvillojnë në tërë rruzullin tokësor, prej SHBA-ve e deri në Maqedoni. Natyrisht gjejnë individë që për para, ose për shkak të frustracioneve, fiksacioneve të ndryshme pranojnë të jenë pjesë e një makthi të këtillë planetar. Për të qenë korrekt, ndikimi i tyre në hapësirat shqiptare nuk është aq i madh sa mendohet. Asnjë parti politike që ka tendencë të kësaj natyre, në zgjedhjet demokratike nuk arrin ta mbushë normën elementare. Ata duken të zhurmshëm ngaqë pas aktivitetit të tyre, qëndrojnë sisteme të fuqishme financiare, politike arsimore etj. Ideologët e islamit radikal, me mendësi totalitariste, nuk mund të tolerojnë eksitimin e myslimanëve që janë të kënaqur nga demokracia perëndimore, prandaj bëjnë çmos që ta prishin këtë harmoni. Së këndejmi ata bëjnë çmos që shtetet islame të mos e njohin pavarësinë e Kosovës, atë kurorë të një politike parimore që nuk e keqpërdor religjionin për qëllime politike. Nga ana tjetër, shtetet që kanë telashe me shqiptarët, veçmas me politikën e tyre properëndimore bëjnë çmos që ta zhvendosin politikën shqiptare nga shtrati demokratik perëndimor. Natyrisht se ata do të gjejnë individë të këtillë, që do të përhapin bindje se shqiptarët janë elementë i dyshimtë, njëfarë kolone e pestë i radikalizmit islamik në mes të Europës së krishtere. Në këtë fazë, zhvillohet projekti dekontekstualizimit të shqiptarëve. Ata duhet të perceptohen si element i huaj. Në Maqedoni, ky projekt zhvillohet në formë vulgare, duke filluar nga fundi i Luftës së Parë Botërore, kur shqiptarët me presion sistematik shpërnguleshin në Turqi e deri te zhvillimet e fundit. Maqedonia, përkatësisht qarqe me ndikim të pamohueshëm në politikë, nuk hezitojnë që të ndërmarrin aksione spektakolare për t’i paraqitur shqiptarët si element i huaj, ose të paktën të krijojnë përçarje në shoqëritë shqiptare. Jam i bindur se e gjithë kjo politikë nuk do të arrijë të shndërrojë shqiptarët në fundamentalistë, por do ta rrisë vigjilencën dhe vetvetiu do t’i këndellë mendjet e kontaminuara nga një totalitarizëm i ri…

Me humbjen e besimit të klasës politike shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, duket se po krijohet një kanalizim i ri i pakënaqësisë së njerëzve. Në Kosovë e Shqipëri te nacionalizmi, ndërsa në Maqedoni te feja. Si e shikoni perspektivën?

Kam drojë se bëhet një padrejtësi ndaj shqiptarëve të Maqedonisë. Ata sistematikisht dhe skematikisht përkufizohen si një segment kombëtar që është kontaminuar me bindje fetare, atipike për shqiptarët e tjerë. Ç’është e vërteta tek ata vërehen elemente që e përcaktojnë përkatësinë e tyre fetare. Mirëpo këto elemente nuk janë në funksion të identifikimit të tyre si përkrahës të një politike radikale fetare. Këto elemente kanë ekzistuar edhe atëherë kur ideologjia fundamentaliste, integraliste nuk ka ekzistuar. Shtrohet pyetja përse në Shqipëri dhe Kosovë ekziston nacionalizmi, ose tendenca e rritjes së tij, ndërkaq në Maqedoni paraqitet tendenca e shquarjes së fesë? Përgjigjja është vazhdimisht e thjeshtë: aty ku shqiptarët janë të lirë, ata i theksojnë, i shtetërizojnë karakteristikat etnike, ndërkaq aty ku janë më pak të lirë, ose aty ku mbi ta ekziston mbikëqyrja, paraqiten dualizma kulturorë. Aty ku shqiptarizma nuk është e rrezikuar, zakonisht nuk shfaqet nacionalizmi, ndërkaq aty ku rrezikohen interesat kombëtare shfaqet nacionalizmi mbrojtës nga agresiviteti i nacionalizmit shtetëror i popullit tjetër. Duhet me kujdes të bëhet dallimi në mes tyre. Këto fenomene janë më të vjetra se demokracia dhe përvojat e reja politike. Sipas përvojave të deritashme, perspektivën e shoh te evropianizimi i shoqërive shqiptare, tek iluminizmi europian, te thellimi i tolerancës, te shekularizmi, te shteti ligjor, te demokracia…

Mos është mbyllur epoka e dy partive shqiptare në Maqedoni dhe duhet një sistem tjetër?

Shtetet më demokratike të botës, si SHBA-të, por edhe shumica e shteteve europiane janë dypartiake, përkatësisht një partiake. Në SHBA, kur fitojnë republikanët, ata nuk kanë nevojë të bëjnë koalicione molisëse, por partia fituese ka kapacitete që vetë ta formojnë qeverinë. Kam një rezervë ndaj monolitizmit politik partiak, ngaqë në këto raste edhe tradhtia është monolite, totalitare, si në periudhën e komunizmit. Shpëtimi duhet kërkuar te forcimi i institucioneve, te respektimi i ndarjes dhe pavarësisë së pushteteve, te gazetaria e pavarur dhe hulumtuese, te krijimi i opinionit publik etj. Këto janë disa nga standardet pa të cilat nuk mund të ndërtohet shteti modern…

Shqipëria tani zgjedh presidentin dhe shumë po kërkojnë një president që të jetë me integritet dhe njeri me autoritet që të ketë ndikim edhe në trevat shqiptare, pasi situata kërkon njerëz me peshë. Sipas jush, cili do të ishte identikiti i presidentit të ri dhe a keni ju një propozim?

Këto tipare të presidentit i kërkojnë qytetarët, ata që nuk kanë ndikim të drejtpërdrejtë në këtë proces. Ata që kanë ndikim, kërkojnë të kundërtën: një president-pulë, që nuk e turbullon ujin. Kjo situatë është e njëjtë sidomos në shtetet ish-komuniste. Shikoni se çfarë farse krijohet në Rusi, ose në Serbi.

Njerëz me integritet moral dhe virtyte tjera ka në çdo shoqëri, por tani për tani, ata janë të panevojshëm, prandaj zgjidhja duhet kërkuar te zgjedhjet e drejtpërdrejta.

Me te lexuarat sot dhe te muajit
ALMAKOS
tav
ALMAKOS ne FACEBOOK
Powered by Disqus