Kim Mehmeti: Maqedonia si përbindësh që ushqehet me fatkeqësinë e shqiptarëve

Fillimi | Lajme | Maqedoni | Kim Mehmeti: Maqedonia si përbindësh që ushqehet me fatkeqësinë e shqiptarëve | Add to Facebook Share
image

Publicist Kim Mehmeti është prononcuar lidhur me protestën që u zhvillua sot në Shkup e që kishte për qëllim kundërshtimin e arrestimeve të shqiptarëve që u bënë në kuadër të operacionit “Monstrumi”, ku u shfaq haptazi pakënaqësia e etnitetit shqiptar ndaj këtyre arrestimeve. 

Në një bisedë të shkurtë për lajmet qendrore të TV 21 nga Prishtina, lidhur me situatën aktuale në Maqedoni, shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti ka pohuar se ajo është shumë e acaruar shumë. 

“Është e acaruar shkaku se Maqedonia herë- herë lë përshtypjen se është si një konstrukt që kohë pas kohe ndjen nevojë të ushqehet me fatkeqësinë shqiptare. Shpeshherë të krijohet përshtypja se sa herë që policia maqedonase nuk është në gjendje të zgjidh ndonjë problem, si rasti i vrasjes monstruoze që ndodhi në Shkup, ajo e ka kriminelin kujdestar në mesin e shqiptarëve të këtushëm”, thotë  Mehmeti.  

Madje, ai shprehet se edhe nëse policia nuk arrin ta gjejë vrasësin, ajo e trillon atë. Sipas tij, edhe në këtë rast bëhet fjalë për inskenime të ngjashme. Këtë bindje, analisti Mehmeti, e mbështet edhe në rastet e tjera nga e kaluara, siç ishte rasti i “Sopotit”, kur u dënuan shqiptarët të cilët vuajtën shtatë vite burg, ndërsa pas shtatë viteve u liruan që ta dëshmojnë pafajësinë e vet. Ai e përmendi edhe rastin e njohur si “Rashtanski Llozja”, në të cilin u vranë shtetas pakistanezë, emigrant që në Maqedoni kishin ardhur të siguronin bukën e gojës ndërsa u ekzekutuan nga policia sikur të ishin terroristë. E gjitha kjo është aq irrituese saqë e çon shqiptarin e këtushëm të pyetet: Kush dhe si mund ta shpëtojë atë nga torturat e institucioneve shtetërore. 

Duke komentuar arrestimet e fundit, Kim Mehmeti tha se nuk duhet harruar se kësaj radhe ndodhi diçka që kurrë nuk iu ka ndodhur shqiptarëve të Maqedonisë: Nënat, motrat dhe gratë e burrave të këtushëm u morën nga policët maqedonas të maskuar. “Ato u çuan nëpër stacionet policore pa ditur njeri se ku do i çonin.  Andaj, me të drejtë shqiptarët e Maqedonisë pyeten se si është e mundur një gjë e tillë. Dhe kjo e tyre, mbase, në thelb të saj e përmban pyetjen se kush ata duhet t’i mbrojë në këtë shtet”, tha Kim Mehmeti në edicionin e lajmeve të Rtv21, transmeton Almakos.

Në pyetjen se a besojnë shqiptarët në partitë politikë të cilat i përfaqësojnë në institucionet shtetërore, ai u shpreh se ato parti prej moti e kanl humbur kredibilitetin. Mirëpo, sipas tij, ato nuk e kanë humbur një mundësi tjetër.

“Partitë politike shqiptare nuk e kanë humbur mundësinë që ti mbushin kutitë e votimit, nuk e kanë humbur mundësinë që t’i shantazhojnë shqiptarë e këtushëm me një vend pune me kushtin që t’i votojnë ato. Kjo është ajo që i mban në pushtet ato, e jo besimi i popullit. Ju nëse e vëreni edhe në ato incizime që i publikojë Ministria e Punëve të Brendshme, dominonin dhe me plot pompozitet prezantoheshin fotot e ish ushtarëve të UCK – së. Në këto incizime paraqiteshin vetëm simbole etnike e jo religjioze. Gjë që njeriun e shëndoshë mendërisht e çon të shtrojë pyetjen: mos vallë Gruevski është duke e vazhduar luftën e 2001-shit kundër shqiptarëve? Mua më habit se si këtë pyetje nuk e shtrojnë dhe si këtë nuk e vërejnë këta “zotrinjtë” e BDI – së, të cilët janë shokë të Gruevskit? Si ata nuk e vërejnë se ai është duke e përdhunuar fëmijën e tyre – simbolin e UCK – së, simbolin që atyre iu mundësojë të vinë në qeveri dhe të jenë aty ku janë sot, të marrin haraç prej shqiptarëve dhe të harrojnë se aty janë për t’i mbrojtur interesat e shqiptarëve, e jo që ta mbrojnë Gruevskin nga shqiptarët, siç veprojnë shpeshherë”, shprehet Mehmeti. 

Në pyetjen se a do të qetësohet situate në rast se qeveria do të ndërmerrte ndonjë veprim për zbutjen e saj, publiicitsti Kim Mehmeti u shpreh Maqedonia është aq e butë sa që ngjan në një qull, i cili gjithnjë e më shumë deformohet. 

“Ne jemi duke pritur 20 vite që elitat politike të vetëdijesohen. Shqiptarët e Maqedonisë që 20 vite dëshmojnë se nuk kanë asgjë kundër popullit maqedonas. Ata në vazhdimësi e dëshmojnë se i përkasin një populli që ngërthen në vetvete ylberin madhështor shumë religjioze. Shqiptarët e Maqedonisë në vazhdimësi e dëshmojnë se duan një Maqedoni perëndimore, ata tash e 20 vite iu japin legjitimitet partive politike që në fund çdo gjë të përfundojë prej një aksioni policor në tjetrin, prej një proteste në tjetrën”, thotë publicisti Kim Mehmeti. 

Ai shton se në protestat e sotshme kishte diçka pozitive sepse shqiptarët e Maqedonisë së pari herë e kuptuan dhe e manifestuan se nuk duhet të protestojnë vetëm kundër Gruevskit, pasi që Nikolla Gruevski atyre asgjë nuk iu ka premtuar, por duhet të protestojnë përpara selive partiake shqiptare dhe t’i pyesin krerët partiak se kënd në të vërtetë përfaqësojnë ata. 

Mehmeti në fund të kësaj interviste shtron publikisht pyetjen se vallë partitë politikë shqiptare i përfaqësojnë interesat e popullit të tyre, apo kanë shkuar në qeveri, si dikur, që shkonin komunistët për ta mbrojtur regjimin nga shqiptarët. Nëse është kështu, pohon Mehmeti,  atëherë partitë politike shqiptare mund të bëhen lirisht degë të VMRO –  DPMNE – së dhe mos të gënjejnë se janë mbrojtësit e të drejtave të shqiptarëve. Almakos

 

 

 

Kurse matematikore
Me te lexuarat sot dhe te muajit
ALMAKOS