Kishë në vendin ku u vranë pesë të rinjtë

Fillimi | Lajme | Maqedoni | Kishë në vendin ku u vranë pesë të rinjtë | Add to Facebook Share
image

Të shtunën do të nisë ndërtimi i një kishe në vendin ku më 12 prill të vitit të kaluar ndodhi vrasja e pesëfishtë.

Këshilli organizativ paralajmëroi se kisha do të jetë në shenjë përkujtimi për të rinjtë e vrarë në afërsi të liqenit të Smillkovcës, ndërsa në vendosjen e gur-themelit të saj do të marrë pjesë edhe kreu i Kishës Ortodokse Maqedonase, imzot Stefani.

Nisma për ndërtimin e kishës është bërë nga bashkësitë lokale të fshatrave Stajkovc, Smilkovc, Creshevë dhe Viniçe të komunës së Gazi Babës së Shkupit. Kisha do të jetë në vendin ku u krye masakra e vrasjes, vetëm disa metra larg autostradës Shkup - Tetovë.  Kisha do të ketë një sipërfaqe prej 150 metra katror, me një hapësirë parku prej 6 mijë metrash katror, ndërsa rreth kishës do të jetë një kambanë, një kryq gjigant, si dhe pesë pisha gjigante në shenjë përkujtimi për pesë viktimat që u vranë në natën e 12 prillit të vitit të kaluar.

Toka ku po planifikohet ndërtimi i kishës është në koncesion të Fejzi Azirit, i cili gjendet në grupin e të akuzuarve për vrasjen. 

Aziri e ka pas marrë tokën me koncesion nga shteti për 30 vite, mirëpo menjëherë pas vrasjes së pesëfishtë kjo tokë i`u konfiskua nga shteti.  

Projekti për ndërtimin e kishës është përpunuar nga kompania ndërtimore Zhikoll, ndërsa nismëtarët kanë theksuar se kanë përfituar shumë donatorë për realizimin e tij. Deri tani nuk konfirmohet nëse pas projektit qëndron ndonjë institucion apo ndonjë subjekt politik.

Për vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc po zhvillohet një proces gjyqësor, ku të akuzuar nga prokuroria maqedonase janë gjashtë shqiptarë. Ata akuzohen për terrorizëm, edhe pse deri më tani nuk është shpalosur asnjë provë që vërteton se ata janë kryerësit e vërtetë të vrasjes. Procesi gjyqësor është në vijim.

Me te lexuarat sot dhe te muajit
ALMAKOS
ALMAKOS ne FACEBOOK
Powered by Disqus