Izet Zeqiri: Profesori që u mbajti ligjërata deputetëve!

Fillimi | Lajme | Maqedoni | Izet Zeqiri: Profesori që u mbajti ligjërata deputetëve! | Add to Facebook Share
image

Skicë për portret: Almakos.com

Gjatë këtyre më shumë se dy dekadave pavarësi të shtetit, në parlamentin republikan të Maqedonisë, u ulën edhe shumë deputetë shqiptarë. Shumica nga ata erdhën e shkuan, e një fjalë nuk u doli nga goja, me çka votuesit nuk ua dëgjuan as zërin, e as patën mundësi t’ua vlerësonin diturinë. Pra, në parlament erdhën e shkuan edhe deputetë që të vetmen mbulesë kishin emblemën e partisë, e me të cilën e mbulonin profilin e tyre të munguar individual. Kështu që erdhën e shkuan, e populli nuk e kuptoi pse kishin ardhur, por mbase kështu e kuptoi pse partitë tona janë kundër listave të hapura të kandidatëve për deputet, pra populli e kuptoi  se votonte për ta zgjedhur  “macen e padukshme  në thesin partiak”.  Pra, shumica nga ata erdhën e shkuan dhe vështirë se ndonjëri sot i rikujton emrat e deputetëve nga përbërjet e shkuara të parlamentit republikan. Me çka u dëshmua se shumica e tyre, pozitën e deputetit e kishin kuptuar si mundësi për të gjet një vend pune dhe si të tillë,  ata i numëronin ditët e muajt që të merrnin pagën mujore, e votuesit masnin trashësinë e gabimit që kishin bërë duke i besuar emblemës partiake, pa pyetur për individët që partia kishte radhitur në listën e të zgjedhurve të saj. 

Pa dyshim se deputeti shqiptarë që do mbahet mend nga përbërja aktuale e parlamentit të Maqedonisë, do jetë Izet Zeqiri. Pra, profesori që  në njëfarë mënyre u mbajti ligjërata shumicës së deputetëve tjerë shqiptarë, ai që shumë kolegëve të vet u tregoi se cili duhet të jetë roli i  vërtetë i deputetit, që dëshmoi se të jesh i zgjedhur i popullit, nuk do të thotë të kesh zgjidhur problemin e punësimit, se të jesh deputet do të thotë diçka më shumë se të ngresh dy gishta e t’ia japësh me qira kokën partisë që përfaqëson.

Duke qenë Izet Zeqiri deputet që gjithmonë përgatitej për atë që diskutohej në parlament, duke qenë i përgjegjshëm për pozitën e tij, ai në mos m shumë, fliste kur shumica, apo edhe të gjithë deputet tjerë shqiptarë heshtnin, ai propozonte amendamente kur shumica apo mbase edhe të gjithë kolegët e tij shqiptarë, as që e kishin lexuar ligjin për të cilin partia i kishte urdhëruar të ngrinin dy gishta dhe shkurt,  ai bënte të mundurën, bënte atë që i takonte: zëri i tij në parlament të përcjellë zërat e atyre që e kishin votuar. 

I lindur në vitin 1 967 në f. Xhepçishtë të Tetovës, i  diplomuar në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë, i magjistruar në Fakultetin Ekonomik “Shën Cirili dhe Metodi” në Shkup dhe i doktoruar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ai në parlamentin e Maqedonisë erdhi duke lënë pas vetes  mbi 14 vite përvojë në punën shkencore hulumtuese, pedagogjike dhe akademike nëpër universitete të ndryshme.  Pra, ai u zgjodh deputet duke qenë në pozitën e dekanit të Fakultetit të Biznesit dhe Ekonomisë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Mbase duke ardhur si deputet nga pozita e profesorit, ai e ndjente edhe barrën që të mos i dëshpërojë studentët e tij dhe të dëshmojë se njeriu i aftë e i ditur, çdokund duhet të reflektojë përkushtimin dhe diturinë që ka. Pra, të dëshmojë se shpeshherë edhe orvatja të arrish diçka është sukses, se më e turpshme se  mos realizosh asgjë, është të shtiresh se as dëgjon e as sheh se çka është duke bërë kundërshtari  yt politik. 

Izet Zeqiri tani kandidon për kryetar të Komunës së Tetovës. Dhe pa marrë parasysh si do përfundojë kjo betejë e  tij politike për këtë post, ai i qetë mund ta pret edhe dështimin edhe fitoren. Mund ta pret i qetë ngaqë në mos më shumë, dëshmoi se si duhet të duket politikani i përgjegjshëm dhe i ndërgjegjshëm ndaj besimit të popullit dhe si duhet të duket ai që mbase edhe nuk ia doli t’i realizojë qëllimet e veta politike, por bëri çmos që zëri i votuesve të tij të arrijë deri te veshët e atyre që duhet ta dinë të vërtetën se, mandatet shkojnë e vijnë, se partia të mundëson të ngjitesh edhe aty ku nuk e meriton,  por çdokund njeriu mbahet mend e njihet nëpërmjet profilit individual që ka. E  Izet Zeqiri dëshmoi se politikanë të mire janë vetëm ata që me profilin e vet individual e pasurojnë emblemën partiake, e jo e kundërta: që me emblemën partiak të mbulojnë  profilin e tyre të munguar individual.  Apo thënë edhe me qartë, Izet Zeqiri dëshmoi se nuk është partia ajo që ia shtonë vlerat individit, por individi me vlera e begaton partinë! 

----------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

 Të nderuar lexues të Almakos. com,  për t’i ndihmuar votuesit, në të ardhmen,  do botojmë skica për portrete të kandidatëve për kryetar komunash, por duke i shkëputur ata nga emblema partiake dhe duke mos bërë krahasime me kandidatë kundërshtar të tyre. Pra, do i përfshijmë vetëm ata kandidat që sipas vlerësimit tonë duhet të prezantohen me një skicë për profilin e tyre, pa pretenduar se të tjerët nuk e meritojnë këtë. 

Kurse matematikore
Me te lexuarat sot dhe te muajit
ALMAKOS