Telenovela e Ragipit

Fillimi | Lajme | Kosovë | Telenovela e Ragipit | Add to Facebook Share
image

Ragip Bangolli nga Fushë Kosova e gjeti gruan, të cilën e lajmëroi të humbur disa ditë më parë. Arjeta Miftari është martuar në Gjakovë. Ajo për burrë ka marrë Ramadan Mustafën, shokun e ngushtë të tij. Gjakovari ishte ndarë me dy gratë e para që ia kishte gjetur Ragipi, kurse e treta iu bë gruaja e tij. Arjeta i gëzohet dashurisë së re.

E tëra i ngjan një telenovele.Por, e keqja është se dashuria tashmë duket e dështuar. Madje shumë keq e shkatërruar. Ditë më parë Express raportoi se Ragip Bangollit (25), një të riu nga Fushë Kosova nga komunitetit ashkali, i ka humbur gruaja.

Duke i lënë dy vajza të vogla në shtëpi, derisa ai nuk gjendej aty, papritur Arjeta Miftari ishte zhdukur.

Tash, pesë ditë më vonë, për Ragipin ka dy lajme. I pari i mirë, kurse i dyti i keq.

Lajmi i mirë për të është se Arjeta është gjallë e shëndosh. Bile shumë e lumtur.

Por, lajmi i keq për Ragipin është se përveç që bashkëshortja e la atë dhe dy vajzat, ajo është martuar në Gjakovë.

Që situata të jetë edhe më keq, Arjeta është martuar me shokun më të ngushtë të Ragipit.

Qëndrimi në burg i Ragipit në periudha të ndryshme kohore duket se ka bërë që ndërmjet Arjetës dhe Ramadan Mustafës nga Gjakova të lindin shkëndijat e dashurisë.

Dashuria ndërmjet Ramadanit dhe Arjetës del të kishte qenë më e fortë sesa ajo para martesore ndërmjet saj dhe Ragipit. Madje edhe sesa shtatë vjet martesë ndërmjet tyre.

Për ta gjetur Arjetën, e cila tash është ish bashkëshorte e tij, Ragipi kishte lajmëruar edhe policinë.

Por, disa ditë më vonë, Ragipin e mori në telefon një nga familjarët e tij.

Ishte muhabeti në telefon që atij ia ndau zemrën në gjysmë.

Atij i thanë se gruaja i është martuar në Gjakovë.

Por, tronditja për të nuk mbaroi këtu.

“Ramadani ishte shoku im më i ngushtë. Kemi hangër bashkë në shtëpinë time, e veç gjumi na ka nda, derisa unë shkova në burg”, thotë Ragipi për Express.

E tash pas bukës dhe gjumit, pa dëshirën e tij, Ragipi ndan me shokun e ngushtë edhe dashurinë me gruan.

“Kur e mora vesh që ajo ka ik me shokun tim ma të ngushtë, zemra m’u thye. Veç hajt mu, po nuk e di qysh ka mujt me i lan çikat e vogla”, thotë Ragipi.

Ashtu i mërzitur, ai kishte shkuar në Gjakovë. Por, zemra nuk i kishte bërë derman që të shkojë në shtëpinë e shokut e ta shohë gruan si nuse të tij.

Për këtë arsye kishte shkuar në polici.

“Shkova në polici e nga aty e thirra në telefon Ramadanin. M’u lajmëru vetë Arjeta. Nisi të me vet për cikat qysh jon....por asaj me i pas interesu.... nuk i kish lan”, thotë ai.

Ashtu i mllefosur nga ikja e gruas dhe martesa e saj me shokun e ngushtë, Ragipi u kthye në shtëpi.

Por, i mllefosur edhe më shumë. Dashuria e tij e madhe për Arjetën thotë se iu shua me katër qershor. Përgjithmonë!

“Edhe nëse lyp me u kthy... nuk e kthej....kur pe di ku ka qenë.... e për kë më ka lan mu... le ta di ajo se vajzat për të janë si të vdekura. Nuk ka me i pa kurrë e përjetë me sy”, thotë i mërzitur Ragipi.

E për shokun e tij!?

Ragipi e fajëson shumë edhe atë.

“Kurrë nuk ia kisha bë shokut këtë”, thotë ai.

“Qysh nuk i ka ardh marre. Unë dy herë vetë ia kam gjet nuset..., e dy here e kam martu...e tash të tretën... ma mori gruan time”, tregon Ragipi.

Tash thotë se është dorëzuar.

Ka vendosur ta lë ish-gruan e lirë të jetojë me ish shokun e tij e të kujdeset vetëm për dy vajzat.

Por, edhe Arjeta ka vendosur të nisë një jetë të re.

Madje ajo beson se jeta e saj është histori shumë e gjatë sa as një libër nuk i zë motivet që e shtyn të ikë. Vetë Arjeta është më e re se 25 vjeç.

E kontaktuar nga Express, Arjeta tregon se është e dashuruar marrëzisht me Ramadanin.

Dashuria ndërmjet tyre kishte lindur gjatë kohës sa Ragipi ishte në burg.

Arjeta thotë se Ragipi, tash ish bashkëshorti i tij, kishte ushtruar dhunë ndaj saj.

“Ai ma shumë kohë ka kalu në burg se jashtë. E sa here u liru, kam hjek prej tij. Ka bo me mu çka nuk bohet me një gru”, thotë Arjeta për Express.

E kulmi i dhunës që Ragipi ushtroi mbi të, sipas Arjetës, ishte një ditë para ikjes së saj.

“Krejt trupin e zi e kam hala. Kjo asht arsyeja që vendosa me i lan çikat e me ik. Shpirti ish ma i amel se krejt”, thotë ajo.

“Për këtë punë edhe jam dal prej shpie e nuk jam kthye më..., e as nuk e kam në plan me u kthye. Mirë jam me Ramadanin”, thotë Arjeta nëpërmjet telefonit.

Tash beson se ka gjetur qetësinë shpirtërore në krahët e burrit të ri, i cili ishte edhe shoku i ngushtë i ish burrit të saj.

Arjeta thotë se vajzat nuk i ka harruar. Për to tregon se po i mungojnë dhe ndjen mall.

Por, i jep gajret vetes.

“Edhe pa to do të mësohem. E rëndësishme asht që me Ramadanin po duhemi edhe po kaloj mirë. Ishalla gjithmonë na shkon kështu”, lutet ajo.

Javën që kaloi, humbja e Arjeta Miftarit u lajmërua në polici.

Ajo ishte larguar nga shtëpia vetëm dy ditë pasi Ragip Bangolli ishte liruar nga burgu.

 

Kurse matematikore
Me te lexuarat sot dhe te muajit
ALMAKOS ALMAKOS