“Divorci” për letra në perëndim

Fillimi | Lajme | Kosovë | “Divorci” për letra në perëndim | Add to Facebook Share
image

Me qindra kërkesa-padi i adresohen në muaj Gjykatës së Qarkut në Prishtinë për të bërë shkurorëzim. Shumica e divorceve bëhet për shkaqe ekonomike e sociale, por ka edhe divorce të “koordinuara” për rregullimin e “letrave” në shtetet perëndimore.

Me qindra kërkesa-padi i adresohen në muaj Gjykatës së Qarkut në Prishtinë për të bërë shkurorëzim. Shumica e divorceve bëhet për shkaqe ekonomike e sociale, por ka edhe divorce të “koordinuara” për rregullimin e “letrave” në shtetet perëndimore.

Një marrëveshje “interne” ndërmjet dy bashkëshortëve kosovarë, për të shpallur divorc në gjykatë, me idenë që burri të shkoj në Gjermani për t’i rregulluar letrat me një femër gjermane, ka përfunduar tragjikisht. Femra e cila fillimisht kishte pranuar kushtin, më vonë nuk ishte pajtuar që i “dashuri” i saj të rri në krahët e një femre tjetër.

Dhe me këtë rast femra kishte shpallur divorc serioz.

“Të dy ishim të papunë dhe pa shpresë për punësim”, rrëfen Z.F.(emri i njohur për redaksinë) fatin e keq që kishte përjetuar me ish-bashkëshortin e saj. Lumturia, siç thotë ajo, iu kishte prishur për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike.

“Për t’i bërë letrat ne duhej t’i paguanim gjermanes një shumë prej 15 mijë eurove. Por, më pas mora vesh se ajo duhej të vinte në shtëpinë tonë për t’u njohur me bashkëshortin tim dhe për të bërë kurorë. Këtë nuk munda ta pranoj dhe vendosa të ndahem nga bashkëshorti, jo siç kisha bërë divorcin me dëshirë, tani me dhimbje po e bëja ndarjen”, rrëfen ajo.

Ky është vetëm një rast i nisur për të mirë (hair) e që përfundon tragjikisht ndërmjet bashkëshortëve. Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, analizat statistikore flasin për një numër në rritje të shkurorëzimeve. Shkaktar kryesor i ndarjeve raportohet të jenë kushtet e rënda socio-ekonomike.

Gjykatat, zyrat e gjendjeve civile, Enti i Statistikave të Kosovës, dëshmojnë për statistika në rritje të divorceve në vend, të cilat për një vit arrijnë deri në 800 veta, vetëm për rajonin e Prishtinës.

“Fatkeqësisht viteve të fundit kemi ngritje të kërkesave, gjegjësisht-padive për shkurorëzim, ku përafërsisht në muaj në gjykatën tonë pranohen diku rreth 50 kërkesa, padi apo propozime e për shkurorëzim”, tha Nehat Idrizi, gjyqtar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Ai tha se varësisht nga vitet lëvizë edhe numri i lëndëve për shkurorëzime.

Sipas Idrizit, numri më i madh i qytetarëve që drejtohen për divorce bëhet me marrëveshje të çiftit (pajtim i dyanshëm për të prish kurorë), por një numër i konsiderueshëm bëhet dhe me padi (pa pajtim).

Idrizi nuk e mohon mundësinë së një numër i divorceve bëhet për shkak të interesit material, me qëllim të sigurimit të dokumentacionit për të jetuar në shtetet perëndimore. Megjithëse, ai tha se në kërkesa-padi, kjo nuk theksohet. “Ka raste kur qytetari nuk ka mundur të rregullojë dokumentacionin - vizën se i dalin pengesa tjera, një nga to si shembull mos dhënia e testit të gjuhës gjermane dhe vije deri te shkurorëzimi se nuk kanë arritur të bashkohen me palën atje dhe se kanë parë të arsyeshme të vazhdojnë, ka kërkesa nga të dyjat palët sikurse vajzat dhe djemtë”, tha ai.

Idrizi thotë se ka raste kur njëri nga bashkëshortët ka kërkuar të kthehet në Kosovë dhe tjetri nuk ka pranuar kështu që kanë ardhur deri tek ndarja. “Ka raste kur burri ka dashur të kthehet në Kosovë dhe gruaja jo, dhe e kundërta gruaja ka kërkuar të kthehet në Kosovë dhe burri të rrijë atje dhe ka ardhur deri tek ndarja”, tha Idrizi.

Ai përmendi edhe disa raste kur shkurorëzimet bëhen nga martesa me shtetase të huaja, martesa këto të bëra në perëndim. “Martesa të përziera dhe vijnë shkurorëzohen. Disa kanë lidhur kurorë këtu, mirëpo edhe nëse kurora është lidhur në Gjermani apo Zvicër, ajo duhet të regjistrohet në gjendjen civile në komunën përkatëse”, shton ai.

Edhe sociologët e konsiderojnë krejtësisht normale divorcin në këtë rrethana. Madje sociologu Shaip Hasani këtë trend në rritje të shkurorëzimeve e konsideron si “katrahurë shqiptare”. Shkurorëzimet në Kosovë ai i sheh si një trend i shoqërisë bashkëkohore nga e cila nuk mund të ndahet as shoqëria kosovare, e cila është pjesë e këtyre trendëve.

Ky problem, sipas Hasanit, te shqiptarët frymon tash e sa kohë. Në këtë situatë ai paralajmëron se familja kosovare është e rrezikuar. “Largësia ndërmjet bashkëshortëve, pastaj rritja e fëmijëve vetëm nga njëri prind, sjellë probleme të ndryshme. Është katrahurë e madhe që ndodh vetëm tek shqiptarët tash e sa kohë për shkak të varfërisë”, tha ai.

Shefqet Buqaj, përfaqësues i zyrës për gjendjen civile në komunën e Prishtinës thekson se brenda këtij tre mujori zgjidhje të martesës ka pasur në këtë komunë 29 raste. Në vitin 2011 kërkesa për certifikata për shkurorëzime në komunë ai thotë se ka pasur gjithsej 94 gjatë tërë vitit.

“Në krahasim me vitin e kaluar sivjet i bie të kemi rritje të numrit tëshkurorëzimeve. Nëse shkohet me këtë trend deri në fund vit numri i shkurorëzimeve sipas një parallogaritje i bie të arrijëderi në 116 raste”.

Remzije Zekolli, koordinatore për të drejtat e njeriut dhe zyrtare për barazi gjinore në Komunën e Vushtrrisë thotë se shifrat e shkurorëzimeve nuk janë reale për sa u përket shkaktarëve e sidomos në rastet kur i adresohen dhunës. Ajo thekson se në nivel të Kosovës është rritur numri i shkurorëzimeve për shkak të ikjes jashtë vendit dhe “sigurimit të letrave si njihet me terminologjinë popullore”.

Faktori ekonomik, sipas saj, ka vënë në pozitë të rëndë sidomos gruan, e cila tani e prej viteve të 90-ta kur ndodhi eksodi më i madh i ikjeve për jashtë vendit, mban barrën e përkujdesjes së familjes, veçanërisht fëmijëve.“Të dy, si burri dhe gruaja po sakrifikojnë, mirëpo është gruaja ajo që po mbetet të përballet me familjen dhe problemet”, thekson Zekolli.

Ndryshe, para luftës në Kosovë, numri i atyre që janë divorcuar ka qenë shumë i rrallë, madje shpeshherë ndarjet kanë qenë “lajm sensacional” për vendin ku kanë ndodhë. Kjo ka qenë për faktin se kultura familjare shqiptare ka qenë e ndërtuar në atë mënyrë. Ndërsa në periudhën e fundit ka ndryshuar botëkuptimi-një bashkëshort deri në vdekje./albinfo