Pse hesht Naim Tërnava, e flet Shefqet Krasniqi?

Fillimi | Lajme | Kosovë | Pse hesht Naim Tërnava, e flet Shefqet Krasniqi? | Add to Facebook Share
image

Derisa në Kosovë sa vjen e ashpërsohet debati pas ligjëratës së hoxhë Irfan Salihut, nga Bashkësia Islame e Kosovës ende nuk ka asnjë qëndrim të prerë lidhur me ngjarjet e fundit.

Sa më shumë zgjat heshtja e institucionit fetar islam në Kosovë, aq më të zjarrta bëhen polemikat midis mbrojtësve dhe sulmuesve të ligjëratave të Irfan Salihut.

Derisa dje në media qarkulluan lajmet se hoxhë Salihu është suspenduar nga puna e tij dhe se ndaj tij janë ndërmarrë masa disiplinore, këto pretendime u demantuan nga Bashkësia Islame e Kosovës. 

“Bashkësia Islame e Kosovës përgënjeshtron këtë informacion të plasuar nga RTK. Një gjë e tillë nuk qëndron, përderisa me rastin në fjalë, kryesia do të merret konform Kushtetutës së BIK-ut dhe ligjeve në fuqi. Pas shqyrtimit dhe ndjekjes së procedurave të rregullta ligjore të BIK-ut, kryesia do të del me një deklaratë apo qëndrim publik për opinionin kosovar”, thuhej në reagim e BIK-ut. 

Lajmi i parapriu edhe një debati të ashpër në foltoren e Kuvendit të Kosovës midis grave deputete dhe deputetit të Partisë së Drejtësisë, Gëzim Kelmendit.

Kundër hoxhë Irfan Saliut dhe gjuhës së tij, siç quhet diskrimunese ndaj femrës shqiptare, reaguan ashpër dhe njëzëri gratë deputete të Kosovës  të cilat e hodhën poshtë kategorisht cilësimin e hoxhë Saliut për moralin e femrës në Kosovë bashkë me kërkesat e tij “për një moral tjetër” në këto hapësira.

Mirëpo, në mbrojtje të tij doli vetëm deputeti i Partisë së Drejtësisë dr. Gëzim Kelmendi, i cili u tha atyre se fillimisht duhet t'i kërkojnë falje Bashkësisë Islame dhe qytetarëve të Kosovës sepse ato me dorën e tyre kanë votuar kundër mbulesës në shkolla.

Kjo i hapi rrugë një polemike të ashpër midis ministres për Integrime Evropiane dhe imamit Shefqet Krasniqi.

Citaku ishte shumë e zëshme lidhur me ligjeratën që fliste për moralin e femrës shqiptare, gjë që ngjalli reagimin e Hoxhë Shefqet Krasniqit, i cili i ka sugjeruar asaj që të merret me punët e saj e jo më hoxhallarët.

Por, kjo këshillë e Shefqet Krasniqit nxiti kundërpërgjigjen e ministres të Integrimeve Europiane, e cila tha se do të merret me punët e saj, mirëpo se liberalizimi s’ka asnjë kuptim nëse vendi shndërrohet në një shtet talibanesk.

Përndryshe, edhe lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj një njoftimi në formë deklarate, në emër të Forumit Rinor Mysliman. Sipas kësaj lëvizjeje, kjo deklaratë është e stërmbushur me gjuhë përbuzëse. Në të gjenden ofendime nga më të papranueshmet, për gratë, për qytetarët e Shqipërisë, për fshatarët, për banorët e Krujës, për viktimat e trafikimit, por edhe fyerje personale e familjare për deputeten e VV-së, Alma Lama.

Edhe Qeveria e Kosovës përmes një reagimi ka dënuar, siç është shprehur, aktin e ulët të fyerjeve të drejtuara ndaj deputetes së Kuvendit të Kosovës, Alma Lama, duke rikujtuar se liritë dhe të drejtat e qytetarëve, me theks të veçantë liria e shprehjes janë të garantuara me dokumentin më të lartë shtetëror, Kushtetutën e Republikës së Kosovës. 

Mirëpo, përkundër të gjitha këtyre zhvillimeve, kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, nuk ka denjuar të thotë publikisht asnjë fjalë lidhur me këto zhvillime. Heshtja e tij është zëvendësuar me zërin e imam Shefqet Krasniqi, i cili me deklarimet e tij ka zgjuar edhe më shumë reagime, jo vetëm në radhët e politikanëve, por edhe të opinionistëve të ndryshëm.

Ndërkohë, kohë më parë, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, u bëri thirrje institucioneve të sigurisë që t’i kontrollojnë mirë kufijtë, pasi vlerëson se në Kosovë po hyjnë individë të dyshimtë, të cilët përmes aktiviteteve fetare po synojnë indoktrinimin e rinisë me frymë ekstremiste. Tërnava, në një intervistë për Radio Kosovën pati porositur të gjithë xhematlinjtë, të gjithë vëllezërit dhe motrat tona, që të mos bien pre e asnjë interesi të ngushtë, pavarësisht nga vjen ai. Pasi, sipas tij, nuk ka radikalizëm vetëm në fenë islame por edhe në fetë tjera, dhe ato janë pranishme në Kosovë

Kjo deklaratë e Tërnavës kishte nxitur reagimin e Sindikatës së Pavarur të Bashkësisë Islame të Kosovës, sipas të cilëve kërkesat e Tërnavës ishin në kundërshtim të plotë me veprimet e tij.

“Tërnava para se të shkoj aq larg te kufijtë e shtetit tonë, ai së pari duhet të ndalet dhe ta pastrojë oborrin e vet që e ka nën përgjegjësinë e tij direkte, e të cilin që nga viti 2003 e deri më sot e ka stërmbushur me ideolog të vehabismit dhe të lëvizjeve tjera politike islame, si dhe kolaboracionist dhe bashkëpunëtorë të tjerë të lëvizjes shiite, të cilët së fundi po veprojnë në vendin tonë nën petkun e ‘Islamit’”, thuhej në reagimin e kësaj sindikate, të lëshuar nga Idriz Billali../Almakos