Më 2014 për projekte kapitale, 90 milionë euro më pak se sivjet

Fillimi | Lajme | Ekonomi | Më 2014 për projekte kapitale, 90 milionë euro më pak se sivjet | Add to Facebook Share
image

Nga 1 miliard e 590 milionë euro të parapara për buxhetin e vitit 2014, 531 milionë euro janë planifikuar për projekte kapitale, apo 33 për qind e buxhetit  të përgjithshëm ose rreth 10 për qind të bruto prodhimit vendor, thonë zyrtarë qeveritarë. Gëzim Baxhaku, këshilltar në Ministrinë e Financave, për Radion Evropa e Lirë tha se pas finalizimit të autostradës Vërmicë - Merdare investimet kapitale do të orientohen në ndërtimin e autostradës Prishtinë - Shkup.

Baxhaku tregon edhe projekte tjera ta parapara në projekt buxhet..

“Në projekte kapitale është paraparë edhe vazhdimi i rrugës M2 për Mitrovicë dhe M8 për Pejë. Gjithashtu, kemi edhe projekte të tjera të cilat kanë të bëjnë në rregullimin e çështjeve infrastrukturore, siç janë  ujësjellësit, kanalizimet, ujërat e zeza dhe në përgjithësi kemi pasur parasysh faktin se më këtë buxhet Ministria e Financave, gjegjësisht qeveria e Kosovës, është munduar që ti akomodoi kërkesat e ministrive dhe komunave që kanë të bëjnë më këto projektet shumë të rëndësishme kapitale për vendin tonë”, tha Baxhaku.

Por, anëtarë të Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës nuk janë të kënaqur më shumën e ndarë për projektet kapitale.

Hykmete Bajrami, anëtare në këtë komision dhe njëherësh deputete në Kuvend nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se në projekt buxhetin e vitit 2014, për investime kapitale janë ndarë 90 milionë euro më pak se në buxhetin e këtij viti.

Ajo konsideron se shuma e investimeve kapitale për këtë vit ka shkuar në rritjen e fondit të pagave.

“Fond i cili është rritë për 48 milion dhe gjithashtu ka shkuar në rritjen fondit të mallrave dhe shërbimeve, kryesisht në rritjen e luksit të institucioneve të administratës publike. Gjë që aspak nuk është e pranueshme, sepse kjo rritje nuk sjell rritje ekonomike dhe nuk sjell zhvillim”, tha Bajrami.

Nga 1 miliard e 586 milionë euro, nga buxheti i këtij viti, 621 milion euro kanë qenë të planifikuara për projektet kapitale.

Bajrami, ndërkaq shprehet se ka një trend të rënies së investimeve kapitale, madje siç thotë ajo, qeveria e Kosovës po bart projektet kapitale nga viti në vit.

“Në buxhet janë ndarë për autostradën Prishtinë- Shkup dhe ka detaje tjera të investimeve, ku shumica e tyre vazhdojnë prej viteve të kaluara dhe të këtij viti. Projekte të cilat nuk po përfundojnë, zakonisht Qeveria e Kosovës bën projekte të mëdha dhe të cilat assesi nuk mund t’i përfundojë brenda viti, as shumat që zoton dhe as ato që planifikon. Dhe kështu që projektet kapitale neve na barten nga viti në vit”, thekson Bajrami.

Në anën tjetër eksperti për çështje ekonomike, Ibrahim Rexhepi, thotë se ajo që vërehet tek investimet kapitale në projekt buxhet është mbarimi dhe fillimi i ndërtimit të autostradave.

"Çka do të thotë se kryesisht investimet do të jenë të orientuara nga infrastruktura rrugore, dhe nuk përmendet ndonjë projekt tjetër që do të jetë kapital apo do të  ndikojë në punësimin, zhvillimin ekonomik apo në përmirësimin e ambientit për biznes”, shprehet Rexhepi.

Ministri i Financave Besim Beqaj, ka premtuar se projekt buxheti për vitin 2014, siguron stabilitet makro-financiar, krijon hapësirë për projekte kapitale, por edhe rritje substanciale të pagave për vitin 2014.

Me te lexuarat sot dhe te muajit
ALMAKOS
ALMAKOS ne FACEBOOK
Powered by Disqus