Kongo: Rrëfimet tronditëse të një fëmije ushtar

Fillimi | Lajme | Bota | Kongo: Rrëfimet tronditëse të një fëmije ushtar | Add to Facebook Share
image

“Më dhanë në dorë një kallashnikov dhe më mësuan të vras. Isha vetëm 14 vjeç”. Gestaing flet shumë shpejt, teksa e “ndriçon” me fraza të prera dhe të qarta adoleshencën e tij të errët si ushtar, ndërsa me të njëjtin ritëm shëtit nëpër rrugët në ndërtim të Bunias me motorin e tij të vogël që e përdor edhe si taksi. Përreth tij, kryeqyteti i vendit shndërrohet çdo ditë në një kaos, ku duket se nuk funksionon as ligji dhe as shteti.

Hotele, dyqane dhe bare kanë lulëzuar kudo: qyteti duket se e ka me nxitim të fshijë sa më shpejt plagët e luftës: dy konfliktet e Kongos dhe ai i Iturit, që kanë tronditur të kaluarën jo të largët. Por për Gestaing është thuajse e pamundur të fshijë përgjithmonë plagët që mban brenda. Tani është 24 vjeç dhe punon me një motor të vogël për të transportuar njerëzit. Në vitin 2002, milicitë e UPC-së, Union des Patriotes Congolais të Thomas Lubanga, u futën në shtëpi pa trokitur dhe i morën adoleshencën. Më 10 korrik Lubanga u dënua nga Gjykata Penale Ndërkombëtare e Hagës (e para në histori) me 14 vjet burg, për faktin se kishte detyruar rreth 43 mijë fëmijë të bëheshin ushtarë, të vrisnin e të përdhunonin. Edhe pse akuza kërkonte 30 vjet, ai mori më pak se gjysma. Por për Gestaing kjo gjë nuk ka fare rëndësi. Jeta e tij ka ndryshuar përgjithnjë, që nga dita që mori në dorë armën. “Ushtarët erdhën në fshatin tim, në veri të Bunias. Isha në shtëpi me motrat dhe nënën. Nuk kisha asgjë se çfarë t’u jepja, kështu që më rrëmbyen. Isha vetëm 14 vjeç”. Bashkë me të u “zhdukën” edhe fëmijë të moshës tetë-nëntë vjeç. Me Lubangën,

Gestaing mësoi të gjitha sekretet makabre të “punës” së tij të re: kallashnikovin, vrasjet, prerjet me thika dhe tankhedhësit. “Kam vrarë shumë njerëz, por do duhet të vrisja ose përndryshe më vrisnin. Nuk kisha zgjidhje tjetër”, tregon duke u përpjekur të justifikohet. Rregullat ishin të pathyeshme, sepse përndryshe rezultati dihej. Para se t’i çonin me ndonjë mision “vrasjeje”, vogëlushët deheshin me alkool, hashash apo marijuanë. “Na jepnin shumë për të pirë dhe na thoshin që vetëm kështu mund të jeni të pamëshirshëm. Vriste anëtarët e etnive rivale dhe të gjithë ata që përpiqeshin që t’i mbronin. Dhe jo vetëm.

Gestaing dhe miqtë e tij të vegjël vrisnin për të marrë dhe për të mbrojtur basenin armbajtës të Mongbwalu, rreth 90 kilometra në veri të Bunias, një zonë me pyll të dendur, perla e provincës dhe baza e veprimeve të Lubangës. Në zonën e Mongbwalu-t i mësuan edhe të përdhunojë. “Kam parë miqtë e mi, fëmijë ushtarë, të detyruar të përdhunojnë dhe të tjerë që përdhunonin pa qenë të detyruar, të përfshirë nga dinamika e milicisë”.

Sipas “American Journal of Public Health”, gjatë luftërave të Kongos dhe të Iturit përdhunoheshin 4 gra çdo 5 minuta.

Në Ituri, milicët “gdhendnin” me flakë siglat e tyre në lëkurën e grave të abuzuara. “Kanë qenë muajt më të vështirë të jetës sime. Kam parë me sytë e mi sesi më vdisnin shokët”, thotë duke kujtuar sulmin në fshatrat rreth Mongbwalu-t në vitet 2002-2003.

Gestaing tanimë thuhet se e ka marrë veten nga ato tmerre, edhe pse i kujtohen herë pas here duke i shkaktuar ankth dhe frikë. Psikologët thonë se nëse një i ri i mbijeton një përvoje të tillë të vështirë, ai mbetet me plagë të rënda psikologjike. Organizata “Human Rights Watch”, thotë se mosha mesatare e fëmijëve ushtarë është 13 deri në 17, por disa prej tyre mund të jenë edhe 8 apo 9. Ata përdorin armët në betejë, shërbejnë si detektorë të minave, marrin pjesë në misione vetëvrasëse dhe veprojnë si spiunë apo zbulues. Tani Gestaing thotë se nuk ka frikë nga asgjë. Di të mbrohet dhe të jetë i zoti i vetes. Ndihet i lehtësuar që Lubanga ka marrë dënimin e merituar. Në moshën 24-vjeçare nuk është më një fëmijë, madje nuk është as ushtar.

 

 

Kurse matematikore
Me te lexuarat sot dhe te muajit
ALMAKOS ALMAKOS