Intervista/ Vlera Gjakova: Gruaja nuk lind si e tillë, por bëhet

Fillimi | Intervista | Intervista/ Vlera Gjakova: Gruaja nuk lind si e tillë, por bëhet | Add to Facebook Share
image

Përkrahja e të rinjëve çdoherë ka qenë prioritet i Almakos. Me domeos, rinia nga çdonjëri duhet të konsiderohet si një e mirë që shoqërinë e shtyn drejt progresit, me mendime kunërthënëse, e herë - herë me veprime në dukje të pamatura, por që realisht e bëjnë shoqërinë shqiptare të ec përpara.

Duke patur parasysh këtë, Almakos ka realizuar së fundmi një intervistë me zëdhënësen e parë shqiptare në EVN - Maqedoni, Vlera Gjakova, e cila pos tjerave është një ndër femrat më të suksesshme nga brezi i ri. 

Ajo në këtë intervistë flet për fillimet e karrierës së saj si gazetare në BIRN të Kosovës, punën në sektorin joqeveritar, menaxhimin e marrëdhënieve me publikun në Komunën e Çairit, përvojën e fituar nga "Coca - Cola", pse u largua nga gazetaria dhe NGO-të, si dhe për eksperiencat që është duke i fituar aktualisht në kompaninë EVN.

Almakos: Fillimisht ju keni punuar si asistente dhe gazetare në BIRN të Kosovës i njohur me emisionin Jeta në Kosovë, sa keni arritur ta kuptoni realitetin kosovar nëpërmjet gazetarisë?  

Vlera Gjakova: Ishte viti 2006 kur Kosova nuk ishte ende shtet i pavarur, ballafaqohej me shumë probleme sociale, ekonomike e politike. BIRN përmes hulumtimeve, monitorimeve dhe mbikëqyrjes për nga afër të institucioneve publike e punës së qeverisjes sillte shumë reforma në shoqërinë kosovare, ku kemi padyshim projektin më të suksesshëm të BIRN-it, emisioni Jeta në Kosovë. 

Sapo kisha mbushur të 18-at dhe të punosh për së afërmi me Jeta Xharrën dhe producentin e JNK-së Faik Ispahiu, duhet të zotosh një guxim, fleksibilitet në punë, transparencë dhe mbi të gjitha drejtësinë ndaj punës, që nënkupton të raportosh të vërtetën me fakte! JNK ka thyer akullin e gazetarisë hulumtuese në Kosovë duke krijuar linkun më të rëndësishëm “qytetar-gazetar”, me një besueshmëri të madhe, nga ku padyshim se me një energji të punës të tillë prek shumë afër realitetin kosovar... JNK për herë të parë ka trajtuar tema që në atë kohë ishin tabu si homoseksualiteti, dhuna në familje, mbulesa e femrës, dhe shumë të tjera, e mos t’i numëroj reportazhet hulumtues që ndryshuan realitetin kosovar, ku besoj se shumica e shqiptarëve si në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri e në diasporë janë të njohur me natyrën e JNK-së, dhe kjo na motivonte që të mos ndalemi. Normalisht që kur prek çdo ditë gjithë këtë jetë në Kosovë, zhurmën e ndodhive që asnjëherë nuk ndaleshin, të bën të ndihesh më komod nga ajo që të rrethon, sepse duke kuptuar nga afër realitetin kosovar të shtynte edhe më shumë të prekësh këtë pikë për të mirën e qytetarëve, për të mirën e Kosovës. 

Almakos: Gjatë qëndrimit tuaj në Kosovë përpos punës që keni bërë në BIRN, studimeve për Politikat Publike,  ju keni punuar edhe për kompaninë "Coca Cola" për Marketing Komunikime në Kosovë, si ndodhi i gjithë ky ndryshim nga gazetaria në marketing? 

Vlera Gjakova: Jam adhuruese e madhe e pijes Coca – Cola (qesh). Njohjen me marketingun e startova në BIRN, ku për një kohë të shkurtë tregova sukses në sektorin asokohe të sapo hapur të marketingut. Mbase, kjo ishte një nxitje që të zbërthejë më shumë marketingun, por padyshim se duhet të jetë dëshira e madhe për të fituar përvoja të reja, sfidë e re për të njohur dhe prekur një realitet krejtësisht tjetër nga BIRN-i, ku satisfaksioni i konsumatorit radhitet në rend të parë, ku përmes strategjive të krijuara në komunikim zhvillohet dhe implementohet vëmendja e konsumatorëve ndaj produkteve, në pajtim të vazhdueshëm për cilësinë dhe po, ndryshimet mbesin çdoherë të nevojshme për shoqërinë e sidomos në atë moshën ku sapo ke filluar të ndjesh nevojën, për të ndërtuar diçka të re përmes ndryshimeve. 

Almakos: Keni qenë mjaft aktive në sektorin joqeveritar duke marr pjesë në shumë projekte evropiane e lokale, si në edicionin e parë të projektit evropian “European Rails of Peace” ku jeni shpërblyer edhe si Ambasadore e Paqes, në dokumentarin mjaft impakt në Kosovë “Beyond differences” nga iniciativa e Talk for Tomorrow. Çka kishin të veçantë këto pjesëmarrje për ty?

Vlera Gjakova: Sektori joqeveritar ka karakter ngushtë të lidhur me realitetin, që një shoqëri përballet në përditshmëri, ku përmes formave të ndryshme mundohet të sjell ndryshime në shoqërinë e saj, ndërsa projektet me karakter të tillë kanë qenë padyshim shumë integruese në ndërtimin e karakterit tim dhe atë profesional. Isha kualifikuesja më e re nga 150 studentët pjesëmarrës në edicionin e parë të projektit  “European Rails of Peace”, i cili kishte për qëllim qe të rinjtë e Ballkanit kryesisht nga Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia si dhe nga Evropa, duke besuar në rëndësinë që të mësuarit, udhëtimet dhe shkëmbimi i përvojave se bashku mund të luajë si forcë shoqërore kohezive, për të edukuar njëri tjetrin që të kuptojnë dhe respektojmë diversitetin. Të gjithë pjesëmarrësit për një muaj u shpërndamë në shtete të ndryshme nëpër Evropë dhe promovuam kauzën e dialogut ndëretnik në Ballkan përmes bisedave e duke u shprehur individualisht por në të njëjtën kohë duke thithur vetëdijen evropiane. Impakti ka qenë tej i madh nga vetë fakti që të gjithë ne, të rinjtë, dëshmuam se jemi të gatshëm të ndryshojmë ciklin e konfliktit dhe të sigurojmë një të ardhme të begatshme për brezat e ri, por që nevojiten oportunitete për të ndërtuar kapacitetin e tyre në mënyrë për ta bërë këtë sa më të dukshme. Ndërsa në dokumentarin “Beyond diferrences” isha nga 10 studentët të përzgjedhur nga Kosova, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina ku jetuam për 5 ditë së bashku në një apartament të Prishtinës. Duke jetuar së bashku dëshmuam se përmes të mirës dhe të keqes nuk është vështirë për të vazhduar tutje, për një të ardhme më të mirë. Nga kjo bashkëjetesë e frytshme, ne 10 studentët sot e kësaj dite bashkëpunojmë në projekte të ndryshme për zhvillimin e vetëdijes shoqërore. ... Dhe për ta rrumbullakuar, çdo pjesëmarrje nëpër projekte të ndryshme e OJQ ka veçantinë e saj, por është çdoherë e rëndësishme se kush ka dëshirë të mësojë prej tyre dhe ta transferon në shoqëri, dhe kush jo! 

Almakos: Sa ju ka ndihmuar puna juaj si zëdhënëse në komunën e Çairit në hapat e mëtejshëm të karrierës suaj?

Vlera Gjakova: Padyshim se shumë sepse, për herë të parë preka nga afër profesionin e zëdhënëses.  Nuk ishte një sfidë e lehtë të jesh zëdhënëse e një prej komunave më të mëdha në Maqedoni, mirëpo falë bashkëpunimit të shkëlqyeshëm me kryetarin, z. Izet Mexhiti ne kemi qenë shumë më pranë qytetarëve dhe halleve të tyre. Përgjegjësia që të jesh në shërbim të qytetarëve të komunës së Çairit ishte prioriteti ynë, ku çdo ditë ballafaqoheshim me sfida nga më të ndryshmet dhe të gjitha ato duhej t’i menaxhonim në një kohë rekord. Më kujtohet se si gazetarët interesoheshin se çfarë po ndodh në Çair, me pyetje nga më të ndryshme shpesh herë dhe provokative, të adresuara herë për komunën e herë për kryetarin, ishin sfiduese për mua që të kuptojë natyrën e zëdhënëses e cila më ndihmoi që t’i përkushtohem edhe më shumë këtij profesioni. 

Almakos:  Jeni vetëm 25 vjeçare, dhe tashmë gati se një vit punoni si zëdhënësja dhe PR e parë shqiptare në kompaninë austriake për energjetikë EVN, cili është impakti që ju keni ndërtuar gjatë kësaj periudhe? 

Vlera Gjakova: Vetëm kur e mendoj se EVN shpërndan dhe furnizon me energji elektrike 800000 konsumatorë në Republikën e Maqedonisë, një numër ky që çdo ditë na rikujton si mua, por edhe të punësuarit tjerë, që duhet vazhdimisht të bëjmë përpjekje që konsumatorët të jenë në qendër të përpjekjeve tona. S’do mend që 19 Qendrat Energjetike të Konsumatorëve (QEK) e transferuan mënyrën e shërbimit me implementimin e sistemeve bashkëkohore informative, me investimet e mëdha si dhe shërbimet e ndryshme që i promovojmë në vazhdimësi mund të janë vetëm disa nga indikatorët që e bëjnë EVN model i kompanisë kontemporane. Normalisht, që është nder dhe kënaqësi që në një moshë të re të më besohet posti i zëdhënëses nga një kompani kaq profesionale. Departamenti i komunikimit ku unë punoj udhëhiqet nga znj. Lençe Karpuzovska, dhe 4 kolegë të tjerë profesionistë, të cilët punojnë në formë interaktive në përmirësimin e vazhdueshëm të komunikimit dhe realizimin e objektivave të parashtruara si interne ashtu dhe eksterne. Si urë lidhëse mes EVN-së dhe konsumatorëve, përpiqemi të jemi sa më profesionist dhe korrekt në informim dhe sa më të kapshëm për konsumatorin. Padyshim se bashkëpunimi i shkëlqyer mes Bordit Drejtues të EVN-së, dhe departamentit të komunikimit është motivuese në inkorporimin e punës së përditshme, që bëjmë në kompani për konsumatorët dhe është ndjenjë e veçantë t’i prekësh gjithë këto eksperiencash për së afërmi. 

Almakos: Jeni një feministe mjaft e zëshme, si e shihni pozicionin e femrës shqiptare në Maqedoni?

Vlera Gjakova: Do të kisha filluar t’i përgjigjem kësaj pyetjeje me thënien e feministes së njohur franceze Simone de Beauvoir ku në librin e saj  të pavdekshëm “Le Deuxlene Sexxe” në shqip “Gjinia tjetër”  thotë se “Gruaja nuk lind si e tillë, por bëhet. Asnjë ligj biologjik ose okonomik nuk cakton formën që qenia femërore merr nga shoqëria.” Nëse bëjmë krahasimin me demokracinë bashkëkohore perëndimore atje i kushtohet një vëmendje e veçantë pozitës së gruas ndërsa në vendin tonë gruaja shqiptare normalisht që ka vëmendje, por rrugëtimi i këtij procesi ka nevojë për një forcë më të madhe në liri dhe ndryshimin e mendimet të krijuar në shoqërinë tonë, kryesisht nga gjinia e kundërt. Unë besoj shumë se gruaja duhet të luftojë për të drejtat e saja si qenie njerëzore, dhe vetëm duke luftuar për pavarësinë e saj mund të sjellë ndryshime në shoqëri duke i thyer tabutë e krijuara e paushalle. Gruaja shqiptare në Maqedoni duhet të mundohet edhe më shumë të jetë objektive dhe realiste për të drejtat e saja, duhet të largojë dozën e frikës që i tangon në zhvillim. Por, nëse e krahasojmë një dekadë më parë dhe sot, përfaqësimi i gruas shqiptare është rritur dukshëm në institucionet shtetërore dhe më gjerë ku këtë e dëshmon edhe përfaqësimi im në EVN, por patjetër që nevojiten një përpjekje më e madhe kolektive në vëmendjen e gruas. 

Almakos: Njiheni për stilin tuaj të veçantë dhe pasionin tuaj ndaj stilizmit-modës, është vetëm pasion apo diçka më shumë? 

Vlera Gjakova: Ju faleminderit për komplimentet... po, kreativiteti i botës së modës është një ndër pasionet e mija qysh si e vogël. Në fillim kur fillova të krijojë stil, kisha keqkuptime me familjen për stilin të çuditshëm e me shumë ngjyra, sepse çdoherë kur më blinin ndonjë fustan apo xhinse, unë i transferoja në versionin tim duke i qepur, prerë e vendosur tak-tuk ndonjë detaj... Me kalimin e kohës u mësuan të më shohin “ndryshe” (qesh). Jam adhuruese e madhe e këpucëve ku shpesh herë familja tallet duke më thënë se “duhet të të hapim një dyqan vetëm me këpucët e tua” dhe ata që më njohin e dinë se jam shumë e dhënë pas shishirëve. Në gardërobën time mund të gjesh vetëm disa palë xhinse, apo pantallona, por një banç fustanesh. 

Nëse flasim se nga çka inspirohem për stilin tim them se jam e fokusuar në vitet e ’60, ku femra mbarte në vete feminitetin duke shfaqur bukurinë e saj, të dizajnuar sipas formës së trupit që të duket sa më elegante, por në të njëjtën kohë dhe e thjeshtë. 

Në vazhdimësi ndjek trendet e modës por nuk është që obsesionohem për ndonjë markë, për mua është çdoherë e rëndësishme materiali, forma si është dizajnuar-qepur dhe sa është kualitet. Mendoj se krijimi i një stili flet çdoherë për karakterin e një njeriu, për atë mendoj se është shumë e rëndësishme të krijohet komoditeti i karakterit të stilit që tek ne është ende mjaft i zbehtë. 

Kohëve të fundit jam duke punuar në një projekt më konkret për të shënuar pasionin tim ndaj stilizimit. Shpresoj që përpjekjet e mija të kenë rezultate pozitive në të ardhmem. 

Almakos: Krejt në fund, jemi në prag të festave të fundvitit, cilat janë planet e Vlerës për Vitin e Ri 2014? 

Vlera Gjakova: Planet e mija për 2014 do të qëndrojnë në përkushtimin tim ndaj punës si zëdhënëse dhe PR (Marëdhënie me Publikun) në EVN, si dhe me disa projekte të reja të cilat do t’i bëjë publike në kohë.

Foto: Nikolla Martinovski

Me te lexuarat sot dhe te muajit
struga
ALMAKOS
tav
ALMAKOS ne FACEBOOK
Powered by Disqus