Hajdari: Policia është fajtore për protestat e dhunshme

Fillimi | Intervista | Hajdari: Policia është fajtore për protestat e dhunshme | Add to Facebook Share
image

Analisti i njohur nga Maqedonia Fejzi Hajdari ka dhënë një intervistë për televizionin “Albanian Screen” nga Tirana, ku ka folur për ngjarjet e fundit në Shkup. Ai ka vlerësuar se fajtor për ngjarjet e ditës së shtunë ishte policia maqedonase, pasi ka provokuar pa asnjë shkas protestuesit shqiptarë.  

 

1. Zoti Fejzi, Çfarë po ndodh në Shkup?

Fejzi HAJDARI: Në fakt po ndodh më e keqja... Pas dështimit për integrim në NATO, pas mosmarrjes së datës për fillimin e bisedimeve për integrim në BE, edhe pse vendi ynë Maqedonia ishte lidere e reformave nga të gjitha shtetet e rajonit, pas një kolapsi ekonomik, i cili ka nishane, tipare të krizës në Greqi, dhe më në fund, pas mungesës së perspektivës ekonomike dhe rritjes deficitit shtetërorë , pastaj problemi me emrin me Greqinë etj., në pamundësi për të gjetur një alternativë për dalje nga kjo situatë apo të paktën amortizimin e kësaj situate tepër të vështirë, qarqe të caktuara huliganësh maqedonas të dirigjuara nga distanca, kuptohet dhe nga struktura qeveritare, nëpërmjet akteve naziste të rrahjes brutale të nxënësve shqiptarë pa kurrfarë preteksti, po bëjnë përpjekje ta spostojnë vëmendjen e opinionit nga problemet reale të qytetarëve, sic janë papunësia e madhe, mungesa e vendeve te reja të punës për të rinjtë etj. E gjithë kjo po ndodh në prag të zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen më datë 24 të këtij muaji. 

Tanimë 1 javë me radhë, nxënësit shqiptarë, pothuajse cdo ditë kanë qenë në shënjestër të grupeve huligane maqedonase. Për të qenë absurdi më i madh, për të filluar këtë avaz absurd ndaj nxënësve shqiptarë, kanë shërbyer protestat e disa dhjetëra personave të shoqatës “Dostoinstvo”, që grumbullon kryesisht ish luftëtarë maqedonas që gjatë vitit 2001 luftuan me forcat e UCK-së, të cilët po protestojnë kundër emërimit të Talat Xhaferrit për Ministër të Mbrojtjes, me justifikimin se ai gjatë vitit 2001 paska qenë në radhët e UCK-së. Ky justifikim më duket shumë absurd, sepse zotin Xhaferi menjëherë pas luftës së 2001, ishte një mandat të tërë zëvendësministër i Mbrojtjes, më pastaj dhe deputet, dhe asnjëherë nuk reagoi askush ndaj tij. Pastaj Talat Xhaferi nuk ka qenë në zonën ku ishte luftuar në Tetovë, Kumanovë e Shkup, por gjatë tërë periudhës së luftës ishte në një zonë ku nuk kishte luftime. E thashë këtë për të zhveshur justifikimin e protestuesve maqedonas, të cilët në emër të këtij preteksti, po rrahin nxënës shqiptarë pa pikë faji.

2. Si ka qenë situata dje aty?

Fejzi HAJDARI: Dje gjendja ishte e qetë dhe në dimensionin e analizimit të pasojave. Ishte një qetësi që fliste shumë, që të ndjellte frikën se çfarë do të ndodh në ditën e radhës. Njerëzit komentonin zhvillimet, pa patur një përgjigje adekuate. Mungesa e reagimeve adekuate dhe te menjëhershme të partive të këtushme shqiptare, hidhte një vello misteri mbi zhvillimet e ditëmëparshme.

3. Arsyeja e protestës së të shtunës ishte dhuna e ushtruar nga një 

grup huliganësh sllavo-maqedonas ndaj një grupi fëmijësh shqiptarë. 

Pse kjo dhunë e papritur ndaj fëmijëve? A ka dhënë policia ndonjë arsye? 

A u kapën autorët e dhunës ndaj fëmijëve?

Fejzi HAJDARI: Policia jo që nuk ka dhënë arsye, por ajo protestat e shqiptarëve të së shtunës, nxitoi t’i vlerësojë si të dhunshme, ndërsa ato të njëditëmëparshme të huliganëve maqedonas, nuk i cilësoi si të tilla, megjithëse ishin shumë më të dhunshme. Të gjitha kamerat televizive sillnin sekuenca filmike ku huliganët maqedonas gjatë protestave, me shkopinj dhe gur, godisnin pjesëtarët e njësisë speciale policore, ndërkohë që policët nuk u sollën kështu edhe ndaj shqiptarëve. Përkundrazi, akoma pa mbërritur ne vendin e paralajmëruar, policia turmën e protestuesve shqiptarë filloi ta ndjekë me gaz lotsjellës, por edhe duke i tërhequr zvarrë disa nga protestuesit. Pra, thjeshtë, sikurse edhe në shumë raste të deritanishme, policia maqedonase përdor dy kute trajtimi: Të dhunshmin ndaj shqiptarëve dhe atë paqësore ose të padhushëm ndaj maqedonasve. Kjo ka revoltuar në masë të madhe qytetarët shqiptarë. Kjo sjellje e policisë e cila dirigjohet nga ekzekutivi, gjithnjë e më tepër revolton dhe provokon shqiptarët. Gjitha ndodhitë e mëpastajme ishin pasojë e sjelljes së policisë 

4. Pse degjeneroi protesta e shqiptarëve të shtunën në akte dhune? Kujtojmë që u dogj një autobus dhe pati përleshje kur policia i ndaloi shqiptarët që kalojnë në qendër të Shkupit?

 

Fejzi HAJDARI: Më besoni se shqiptarët janë popull shumë paqësor edhe gjatë protestave. Këtë jam më se i bindur, dhe e them duke u bazuar nga protestat e deritanishme. Janë pikërisht qarqe qeveritare maqedonase të cilat në këto rastesh infiltrojnë njerëz të instrumentalizuar nga pushtetit, ata të cilët i japin kahje tjetër respektivisht të dhunshme protestës. Pra, thjeshtë ata futen në mesin e turmës, protestuesve, me qëllim që revoltën e prindërve të nxënësve të rrahur, ta kanalizojnë në drejtimin e caktuar dhe në këtë mënyrë, pushteti të arrijë protestat t’i paraqes të dhunshme. Asnjë prind nuk e ka dëshiruar një gjë të tillë, jam thellësisht i bindur. Për ta ilustruar këtë, po ju sjellë një shembull se si instrumentalizohen protestat. MPB në kumtesën e saj ndër të tjera ka theksuar se, citojë, një grup protestuesish kanë hedhur gur mbi Muzeun e Holokaustit, gjë që s’u dëshmua me ndonjë argument. Pra qëllimi është i qartë se kinse shqiptarët janë ata që nuk i duan hebrenjtë. Gjithsesi se kjo s’është aspak e vërtetë, por pjellë e policisë maqedonase, për t’i njollosur shqiptarë. Paramendoni protestuesit maqedonas dogjën dhe flamurin kombëtarë shqiptare pa ndonjë pretekst dhe askush asgjë nuk tha.

5. Cili ka qenë reagimi i faktorit politik shqiptar në Maqedoni? Po i përgjegjësve politikë maqedonas?

Fejzi HAJDARI: Politika shqiptare në qeveri dhe opozitë, shumë pak dallojnë njëra nga tjetra, sa i përket reagimeve. E para, reagojnë me shumë vonesë dhe në mënyrë shumë joadekuate. Dhe e dyta, më e rëndësishmja, ata duke qenë të vetëdijshëm se kryeministri Gruevski (por dhe të mëprashmit) si pyet për asgjë, e më së paku për këto gjëra, sillen në pozicion qesharak dhe absurd: Të reagojnë dhe të gjejnë një formë që të mos e ngacmojnë kryeministrin Gruevski! Për ta argumentuar pohimin e mësipërm, më duhet të sjellë një fakt: Asnjëherë gjatë incidenteve të deritanishme gjatë 20 vite demokraci, në rastet kur është përdorë dhunë e skajshme ndaj shqiptarëve, faktori politikë shqiptarë nuk ka arritur ta detyrojë policinë të kap autorët ose te ndriçoje rastin. Paramendoni tanimë dy herë rrihen nga 10 nxënës shqiptarë, që realisht për t’i rrahur dhjetë nxënës shqiptarë aq shpejtë, nevojiten 20 sulmues maqedonas. Dhe paradoksi, asnjë maqedonas nuk arrestohet. Madje përvoja e deritanishme tregon, se edhe në raste kur janë kapur autorët e pakt, ata pas ca ditësh janë lëshuar të lirë në shtëpi. Kjo është e pashpjegueshme dhe absurde. Potenca politike shqiptare në vendimmarrje, është shumë e vogël për të mos thënë asfare.

5. A mendon se këto ngjarje duhen vendosur edhe në kontekstin e deklaratave nacionaliste të bëra së fundmi nga politikanë të Shqipërisë dhe Kosovës? (Le të ndjekim sinkronet: Çfarë tha Berisha dhe Thaçi në Shkup, çfarë tha Berisha dhe Thaçi në Tiranë). 

Fejzi HAJDARI: Mendoj se është e kundër zoti Xhafo. Këto deklarata aspak nuk i kane trimëruar shqiptarët, por u trimëruan maqedonasit për t’i rrahur shqiptarë, rrjedhimisht për t’i ulur atyre dinjitetin e fituar me konfliktin e armatosur të 2001-shit. Mendoj se pikërisht këtu konsiston i gjithë ky skenar. Dikujt i pengon krenaria shqiptare dhe dinjiteti i 2001-shit, prandaj me çdo kusht lufton të njëjtin për ta përplasur për tokë. Jo pak në këtë drejtim, me pa potencën e tyre, në mënyrë indirekte ndihmojnë dhe paaftësia e partive shqiptare. Madje shumë aktuale është këtu deklarata më qesharake që kam dëgjuar nga goja e një kryeministri shqiptar, e kam fjalën për deklaratën e kryeministrit Hashim Thaci në Shkup, citojë: Ne do të jemi gardian i shqiptarëve të Maqedonisë! Shumë qytetarë shqiptare ne Shkup, sot të dëshpëruara tani pyesin: Ku është gardiani Thaci? Pra, deklaratat e tilla me tamam ishin vetëm për konsum ditor politik.

7. Mendon se janë deklarata të tilla që sjellin të tilla shpërthime të tensioneve etnike, apo është albanofobia, pra mënyra përçmuese si na shohin fqinjët tanë, ajo që ka sjellë deklaratat nacionaliste si një paralajmërim se faktori shqiptar në Ballkan sot është më i fortë se kurrë dhe nuk i pranon të tilla trajtime dhe qëndrime?

Fejzi HAJDARI: Unë nuk jam i prirur që deklaratat për bashkimin e shqiptarëve në një shtet, duke qenë anëtare të BE-së, t’i shoh si nacionaliste. Një kërkesë e tillë e shqiptarëve do ishte shume legjitime dhe e natyrshme. Nuk jam unë nga ata politikanë të kompleksuar që për t’u dukur si të mençur dhe moderuara, preferojnë sillen si më katolik se Papa, apo më kosmopolit se kosmoplitët botërorë. Gjithsesi se shqiptarët kanë nevojë për një nacionalizëm progresistë, të tipit gjermanë e slloven – ta duan të veten mbi gjitha, ta cmojnë dhe të luftojnë për vlerat kombëtare, sic bëjnë të gjithë popujt e civilizuar. Janë pikërisht shtetet që kufizojnë me shqiptarët, ato që kërcenojnë popuj me zhdukje. Shqiptarët gjithandej në Ballkan, jo se më pëlqen mua, por janë rraca më ë zgjuar dhe rrjedhimisht më tolerante dhe më humane. Për këtë flet historia e dikurshme, e djeshme dhe e sotme. Ne nuk kemi nxitur asnjëherë luftëra në Ballkan, janë fqinjët tanë. Ne ishim ata që u integruam ne perandoritë tjera dhe të cilave u dhamë bijtë e tanë më të aftë dhe më të mirë. Shqiptaret është e vërtet se janë forcuar si faktor ne Ballkan, por me e vërtet se kjo, është e vërteta e hidhur por reale, se shqiptaret akoma janë larg te qenurit faktor i forte ne Ballkan, edhe pse i kane te gjitha parakushtet dhe kushtet. 

8. Si i keni pasqyruar ju ngjarjet në faqet e para të gazetës Lajm?

 

Fejzi HAJDARI: Të jesh gazetarë shqiptarë në Maqedoni, sidomos të jesh pronar apo botues mediesh, është shumë më e vështirë se sa në Tiranë dhe Prishtinë. Sepse, këtu njëherë je në rrezik nga diskriminimi apo degradimi nga vetë organi përkatës që te jep lejen e punës, dhe e dyta, rrjedhimisht dhe më e keqja, politika shqiptare në Maqedoni jo që nuk mundohet të avancojnë mediat në gjuhën shqipe, por e bënë të kundërtën, ata përdorin lloj-lloj makinacione, obstruksione, forma dhe metoda, për të pamundësuar ushtrimin e lirshëm të profesionit të gazetarit. Ata duan t’i shuajnë mediat shqiptare me qëllim që të ketë vetëm një media të shkruar dhe elektronike (vizive) kuptohet nën kontrollin e rreptë të tyre, me qëllim që e vërteta të shpaloset sipas dëshirës së tyre. Ne jemi media e vetme shqiptare që kemi qasje opozitare. 

Ngjarjet e fundit i kemi ndjekur në tërësi, konform mundësive dhe nevojave te lexuesve. Megjithëse rrethanat e krijuara, nuk mundësonin qasjen e gazetarëve në pjesë të ndjeshme, sic ishte vizitat ne spital tek nxënësit e rrahur shqiptarë, pastaj në pjesë ku u zhvilluan protestat e dhunshme dhe ku kishte demolime. Këtë po e pamundësojnë pjesëtarët e policisë, por në të shumtën e rasteve pengojnë edhe persona civilë të pauniformuar. Ata sillen në mënyrë arrogante dhe nuk lejojnë as për të siguruar informacion e as për të filmuar. Megjithatë me ndihmën e sakrificës së gazetarëve tanë dhe disa qytetarëve që na kanë ndihmuar në këtë drejtim për të siguruar informacioni, ia kemi dal të sigurojmë pasqyrimin e kënaqshëm të zhvillimeve të fundit./Almakos

 

Me te lexuarat sot dhe te muajit
ALMAKOS
ALMAKOS ne FACEBOOK
Powered by Disqus