Andriq: Mediat e lira janë viktima e parë e diktaturës

Fillimi | Intervista | Andriq: Mediat e lira janë viktima e parë e diktaturës | Add to Facebook Share
image

Ivan Andriq, një nga ish liderët e lëvizjes “Otpor”, sot deputet i Partisë Liberal Demokrate në parlamentin Serb, fundjavën e kaluar mori pjesë në një tribunë të organizuar nga instituti “Liberta” ku u diskutua për situatën e krijuar në Maqedoni pas ngjarjeve të 24 janarit. Në një intervistë për “Lajm-Almakos” ai nuk përgjigjet drejtpërdrejtë në pyetjen nëse mbajnë krahasimet e pushtetit aktual në Maqedoni me regjimin e Millosheviqit, mirëpo thekson se tendenca e parë e çdo regjimi diktatorial është ngulfatja e lirisë së mediave. Andriq po ashtu rreth asaj nëse opozita në Maqedoni mund të bëhen ndryshime pa pjesëmarrje edhe të shqiptarëve, kurse flet edhe për rezolutën e fundit serbe për Kosovën.  

Pas ngjarjeve të 24 janarit opozita në Maqedoni ka shtuar akuzat për regjim diktatorial në pushtet të cilin shpeshherë e krahason edhe me regjimin e Millosheviqit. Cili është mendimi juaj, a kanë të bëjnë këto akuza me realitetin, apo janë vetëm tentim për të përfituar duke krijuar imazh të keq? 

Un nuk do të kisha folur për situatën këtu, pasi nuk e njoh situatën aq sa duhet dhe mendoj se dikush që nuk është nga Maqedonia nuk ka të drejtë të bëjë aso vlerësime. Mirëpo mund të ju tregoj se si ishte situata në Serbi në kohën e Millosheviqit dhe secili mund të bëjë vlerësime për ngjashmëritë. Karakteristika e parë e shoqërisë të cilën e udhëhiqte Millosheviqi, ishte mungesa e plotë e lirisë së medieve. Nuk ekzistonte asnjë mundësi që opozita të shprehë qëndrimet e veta ndaj ndonjë teme. Opozita paraqitej te mediat nën kontrollin e Millosheviqit vetëm atëherë kur bëhej fushatë kundër saj. Opozitarët stigmatizoheshin si kriminelë, narkomanë, mercenarë të CIA-s, kurse në fazën e fundit edhe si bashkëpunëtorë të shqiptarëve nga Kosova. Domethënë me gjithçka që regjimi mendonte se është negative, me atë e ndërlidhte opozitën. Nga ana tjetër, nuk ekzistonin institucionet. Parlamenti nuk kishte kurrfarë kuptimi. Në atë kohë në Serbi opozita dy tre herë bukvalisht është nxjerrë nga Parlamenti me dhunë nga ana e policisë dhe ka munguar çfarëdo debati dhe ballafaqimi normal. Deputetët ishin një grup i personave të dëgjueshëm të Qeverisë. Nga ana tjetër, dallim i qartë mes Serbisë dhe Maqedonisë ekziston në pjesën paraqitëse, por në thelb nuk besoj se ka dallim. Millosheviqi ka dalë nga luftërat, duke filluar që nga Sllovenia, Kroacia, Bosnja që në fund të përfundojë ekspeditën e përgjakshme të tij në Kosovë, prandaj rreziqet kanë qenë shumë më të mëdha si për opozitën, poashtu edhe për njerëzit e pushtetit, sepse dihet që numri më i madh i tyre përfundoi në Tribunalin e Hagës. Këtu mund të sqarohet vendosmëria dhe motivi i tyre për të qëndruar në pushtet, sepse  humbja e pushtetit për ta nuk ishte vetëm kalimi në opozitë po thjeshtë ishte shkuarje në Hagë. Kjo pasqyrohej në mënyrën se si ata angazhoheshin për të ruajtur pushtetin, përmes luftës së ashpër kundër opozitës dhe gjithçkaje që i pengonte, e që në fund ishin edhe pakicat kombëtare. Politika negative ndaj palicave nuk ishte e theksuar aq shumë gjatë luftërave, sepse Millosheviqi, si çdo diktator tjetër dëshironte të tregojë se është tolerant dhe se kujdeset për të gjithë, por në fund kur ranë të gjitha maskat regjimi e tregoi fytyrën e vërtetë. Do ta përmendi si shembull rastin e përfaqësuesit të boshnjakëve nga Sanxhaku, Sulejman Ugljanin, i cili sot është ministër në Qeveri. Kundër tij në vitin 1998 u ngrit padi për terrorizëm edhe pse ishe përfaqësues dhe lider i një pakice kombëtare. Ai më pas ishte i detyruar ta lëshojë vendin deri më 5 tetor të vitit 2000. Këto janë simptomat e fundit të diktaturës, kur veçmë humben të gjitha kriteret e normalitetit. 

Deri tani përfaqësuesit e opozitës shqiptare nuk kanë treguar gatishmëri të përkrahin kërkesat e opozitës maqedonase për ndryshime. A mundet të ndodhin ndryshime në një shtet binacional si Maqedonia, pa involvimin më aktiv të njërës prej dy bashkësive më të mëdha etnike në kërkesat për ndryshim?  

 

Kjo është çështje shumë e rëndësishme, ndoshta në fund të gjithë këtyre proceseve do të kuptojmë se kjo është çështje kyçe. Megjithatë, duhet të dallojmë disa gjëra. Unë nga përvoja ime personale 15 vjeçare në politikë, mund të them se në çdo vend të botës, e posaçërisht në vende siç është Maqedonia, me rëndësi është që të ketë një bazë, një tolerancë dhe ndëretnicitet. Thjesht thënë, kjo duhet të jetë baza e çdo veprimi politik. Un nuk e di nëse janë të mundshme ndryshimet nëse nuk marrin pjesë partitë shqiptare, këtë do ta tregojë koha, mirëpo mendoj se nëse dikush dëshiron të sjellë ndryshime, një nga çështjet që duhet të jetë  bazë e atyre ndryshimeve është përfshirja e të gjitha entiteteve. Si çdo vend që ka karakteristikat e veta, karakteristikë e Maqedonisë është binacionaliteti i saj, por kjo vetëm e shton nevojën për të punuar më tepër për ndryshime. Në anën tjetër, kuptohet se gjithmonë ekziston rreziku që dikush që kundërshton ndryshimet demokratike, të sulet në drejtim të konflikteve ndërnacionale. Për këtë arsye edhe është e kuptueshme një lloj frike e pakicave nacionale që marrin pjesë në procesin e ndryshimeve. Njësoj ka qenë situata edhe në Serbi. Nëse ju jeni përfaqësues i një komuniteti etnik, obligim i juaji është që të mbani llogari për atë komunitet, kjo është gjë normale. Mendoj se ajo frikë duhet të tejkalohet, sepse nuk është e mundshme që në një vend si Maqedonia vetëm maqedonasit të sjellin ndryshimet. Kjo ishte e pamundur edhe në Serbi, sepse atje ndryshimet nuk i sollën vetëm serbët, por edhe boshnjakët, hungarezët, rumunët, shqiptarët e jugut, e kështu me radhë. Mendoj se kur dikush që kundërshton ndryshimet, ai bëhet i paskrupullt në aspektin e respektimit të demokracisë, dhe lehtë mund të stimulojë konflikte ndëretnike, që është problemi i vetëm më i madh se mungesa e demokracisë.  

Këto dy probleme në fakt gjithmonë janë të ndërlidhura mes vete. Kjo posaçërisht ka qenë e theksuar gjatë regjimit të Millosheviqit, i cili njëkohësisht ishte edhe jodemokrat edhe  nxiste luftëra kundër popujve tjerë.  Krejt kjo shkaktoi konfliktet e përgjakshme të cilat i dimë gjithë ne. Të jem i sinqertë, kjo në Maqedoni ndoshta nuk është e mundur të ndodhë, edhe pse kohën e fundit të gjithë ne që jetojmë në shtetet fqinje, gjatë tërë kohës përcjellim ngjarjet në Maqedoni dhe gjatë tërë kohës e parashtrojmë pyetjen nëse është i mundur konflikt ndëretnik. 

Megjithatë duhet të pranojmë se reagimet e bashkësisë ndërkombëtare  pas 24 janarit nuk i përngjanin reagimeve ndaj një regjimi diktatorial. 

Gjithsesi se reagimet e bashkësisë ndërkombëtare nuk ishin përkrahje e asaj që ndodhi. Kur situatat nuk janë shumë të qarta, faktori ndërkombëtar sipas natyrës së gjërave bashkëpunon me Qeverinë. I mbetet bllokut opozitar ta tregojë forcën e vetë për disa përcaktime dhe përkrahja gjithsesi se do të vijë. Edhe pse gjithmonë gjatë jetës time kam qenë përkrahës i orientimit evropian dhe euroatlantik, nuk mendoj se përkrahja e Bashkimit Evropian dhe SHBA –ve është vendimtare.  

 

Ata qëndrojnë anash, ofrojnë gjithë ndihmën e nevojshme për Qeverinë dhe vendin, kurse ju mbetet qytetarëve ta rregullojnë shoqërinë në mënyrën në të cilën dëshirojnë. Nëse në një shoqëri shumica e qytetarëve dëshiron anëtarësimin në BE, do të arrijë edhe ndihma evropiane. Megjithatë duhet të theksohet se vlerë evropiane nuk janë mediat e mbyllura, refuzimi i debatit rreth amendamenteve të opozitës dhe ekzistimi i tensioneve etnike. Nuk mund të thoni se këto dukuri përkrahen nga Bashkimi Evropian dhe faktori ndërkombëtar. Përkrahja e bashkësisë ndërkombëtare është e rëndësishme dhe ajo gjithmonë është në anën e atyre që kanë të drejtë. 

Si i vlerësoni hapat e deritanishëm të opozitës, pas ngjarjeve të 24 janarit? 

 Nuk dua të komentoj konkretisht, sepse nuk jam i njoftuar në detaje. Thelbësore është se kush do të arrijë të mobilizojë numër të mjaftueshëm të qytetarëve. Me këtë mund të matet suksesi dhe niveli i demokracisë. Në demokraci ideale të gjithë marrin pjesë në mënyrën e tyre. Për të marrë pjesë secili në këtë proces, duhet të ketë informatë të plotë. Kjo do të thotë se nevojiten mediume të lira, liri e përgjithshme e debatit dhe mungesa e çfarëdo lloj rreziku për shkak të mendimit të shprehur. Në çdo vend në mënyra të ndryshme qytetarët kanë bë ndryshime demokratike. Se si do të bëhen këto ndryshime në Maqedoni, duhet të vendosin vetë qytetarët. Obligim i politikanëve është që të mos lejojnë që të fitojë letargjia. Individi në vetvete është revolucionar. Shkathtësia e politikanëve është që të  tërheqë interesimin e qytetarëve. A është duke e arritur një gjë të tillë opozita në Maqedoni, un me të vërtetë nuk mundem ta them. Ai që do të japë më tepër nga vetvetja që mesazhin e vet ta përcjellë deri te qytetari i fundit në Maqedoni, ai do të fitojë. Gjithkund dhe gjithmonë ka qenë kështu. 

 

Rezoluta serbe për Kosovën e parëndësishme 

 

Si e komentoni rezolutën e fundit serbe për Kosovën? Cili mendoni se do të jetë reflektimi i kësaj rezolute në raportet Serbi – Kosovë dhe cili do të jetë reflektimi i saj në rajon? 

Mendoj se ajo rezolutë nuk do të ketë ndonjë reflektim të rëndësishëm në rajon. Është me rëndësi gatishmëria si nga pala serbe po ashtu edhe nga pala kosovare për dialog. Mendoj se kjo gatishmëri në Serbi tani është më e thellë, sepse ata që një kohë kundërshtonin tani e zhvillojnë dialogun. Dhe meqë është vendosmëria kaq e thellë, njëfarë zgjidhje me siguri do të arrihet. Mendoj se nëse jeni mjaft të mençur, në dialog dhe në politikë për gjithçka mund të gjeni zgjidhje. Që të arrihet zgjidhje afatgjate, patjetër duhet kalojë një kohë e besimit të ndërsjellë. Mendoj se tani është me rëndësi të krijohet besim dhe të këmbëngulim në të. E di se kjo është e mërzitshme, mirëpo mendoj se në politikë ndonjëherë zgjidhjet duhet të jenë të mërzitshme. 

Ju personalisht, por edhe aktivistë të Lëvizjes “Otpor” të cilën e keni drejtuar më herët, kanë marrë pjesë në trajnimin e aktivistëve joqeveritarë në vendet që u përfshinë nga “Pranvera Arabe”, prandaj prej së afërmi i njihni gjërat. A mund të na thoni çka e pret Maqedoninë – një dimër i zakonshëm ballkanik, apo pranverë arabe në mes të dimrit? 

Gjithkush që ka një lloj të tillë të përvojave, ato përvoja duhet t’i shkëmbejë. Gjithkujt që nuk është i lirë apo mendon se nuk është i lirë, ju duhet të ja përcillni përvojën se si duhet të vijë te liria. Mirëpo nuk duhet bërë krahasime. Këtu duhet qytetarët e Maqedonisë të sjellin ndryshimet, në rast se vlerësojnë se ato janë të nevojshme. Është e saktë se aktivistë tanë kanë marrë pjesë në ndarjen e përvojave me aktivistë në vendet që u përfshinë nga pranvera arabe, mirëpo përvoja e atjeshme nuk mundet të kopjohet me automatizëm në Maqedoni. Çdo vend i ka veçoritë e veta. Maqedonia e ka si veçori binacionalitetin, që e përmendët më parë. Prandaj askush nuk mundet të japë përgjigje se si duhet të ndodhin ndryshimet në Maqedoni, apo si duhet të sillen shqiptarët. Këtu është me rëndësi këmbëngulësia dhe bindja se keni të drejtë. Nëse arrihet kjo, atëherë ndryshimet sigurisht do të ndodhin./Almakos

Kurse matematikore
Me te lexuarat sot dhe te muajit
ALMAKOS ALMAKOS