Zekolli: BDI nuk ka kurriz ta mbrojë Sheqerinskën, si ajo që e mbrojti Teutën nga PDSH

Fillimi | Intervista | Zekolli: BDI nuk ka kurriz ta mbrojë Sheqerinskën, si ajo që e mbrojti Teutën nga PDSH | Add to Facebook Share
image

Arsim Zekolli, analist dhe diplomat 

 

Z. Zekolli, çfarë reaksione ka pas qëndrimit të shpallur sot? E arriti qëllimin e pritur? 

Ka reagime të ndryshme, kurse efektet duhet t’i gjykojnë tjerët. Ajo që ka qenë vendimtare për hartimin e qëndrimit ka qenë obligimi i jonë si njerëz, qytetarë dhe shqiptarë për shprehjen e qëndrimit parimor – atë të mospajtimit me politikat që bazohen në argumentin e forcës ose të mbivotimit. Qëndrimi i grupit në fjalë (që është në rritje e sipër duke gjykuar sipas rrjeteve sociale) për ngjarjet në Kuvend bazohet në përvojat e shqiptarëve në rastet kur ata si bashkësi ishin në shënjestër direkte të argumenteve të cekura. Kuptohet, nuk synohet nxitja e reagimeve të atyre që edhe ashtu nuk kanë qëndrim kundër ose në favor të ndonjë politike – synohet tek njerëzit e rëndomtë, që ndiejnë se diçka vërtetë nuk është në rregull, por që nuk kanë shkathësi ose mundësi për ta shprehur atë.

Qëllimi ka qenë të inkurajohen njerëzit – që ndjenjat e tyre të instiktit për korrektësi dhe jokorrektësi, gjykimi i tyre i bazuar në kuptimin dhe mendjen e shëndoshë, është më i rëndësishëm dhe më i sinqertë se arsyetimet qeveritare ose partiake. Ju kujtohen ngjarjet para disa vitesh, kur njerëzit e PDSH-së i ndiqnin kolegët e tyre nga BDI-ja në Kuvend. Ju kujtohet edhe reagimi i atëhershëm i Sheqerinskës kundër sulmeve ndaj Teuta Arifit. Sot po ndodh e kundërta, por fatkeqësisht BDI nuk e ka virtytin dhe kurrizin që ta bëjë dallimin mes nderit dhe qyqarisë. Kjo ka qenë arsyeja pse jemi ndier të obliguar si njerëz të reagojmë kundër dhunës – në rastin konkret dhunës ndaj opozitës. Por, ju siguroj që në mënyrë po të njëjtë do të kishim reaguar edhe në rast të veprimit të dhunshëm ndaj Sillvana Bonevës ose Merale Uzeirit, Zijadin Selës ose Aleksandar Spasenovskit. Kuptohet, ka akuza dhe intriga, të mbështjellura me floskula partiake ose etno-patriotizëm të rrejshëm, por qëndrimi i jonë është parimor dhe atyre nuk i kushtojmë vëmendje të posaçme, meqë ua dimë qëllimet.  

E kritikoni BDI-në dhe PDSH-në për sjelljen në Kuvend, gjegjësisht për votimin e Buxhetit. Si e shpjegoni veprimin e tyre, duke e marrë parasysh që kanë kundërshtime mes vete si parti?   

Ky raport shpjegohet me politikën e trashëguar dhe të rrënjësuar të hartimit të buxhetit sipas interesave të qarqeve të ngushta të udhëheqësisë së BDI-së, që përfitojnë në mënyrë direkte nga allësh-verëshet prapa skenës me padronët e tyre nga VMRO-DPMNE, me pak ose aspak efekt mbi qytetarët të cilët kinse i përfaqësojnë. Shikoni udhëheqësinë e BDI-së dhe gjeni ndonjë prej tyre që dallohet në fushën e ekonomisë, përfshirë edhe Ministrin e ekonomisë ose z. Fatmir Besimin. Kur pranoni allësh-verëshe të këtilla, ju bëheni pjesë e shantazheve, qoftë si parti, lider ose ministër. Andaj, shtrohet pyetja se sa autonomi ka BDI në politikbërje, veçanërisht në fushën e ndarjes së mjeteve buxhetore.    

Njëherazi, pas dushit të ftohtë nga Angela Merkel, e cila e shpalli fundin e shpresave për euro-integrime, BDI nuk ka shumë zgjedhje ose hapësirë manovrimi, andaj detyrohet të pranojë dhe ekzekutojë pa shumë hapësirë për ankesa dhe vërejtje. Z. Ahmeti dhe Ministresha Arifi mund të fotografohen dhe ngushëllohen me Fylen dhe Saninon, por realisht, ky grep i ëmbël për shqiptarët nuk jep më asnjë efekt. 

Sa i përket PDSH-së, pas tërë “driblimit” që e bënë gjatë vitit të fundit, nuk jam i sigurt nëse edhe vetë e dinë se cila është politika e tyre. Anash deklaratave maço, të zhurmshme dhe atraktive për mediat për “shkrepse” dhe mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve, nuk shoh ndonjë angazhim konkret të tyre në fushën e të drejtave ekonomike të shqiptarëve. Kjo për dallim nga z. Izet Zeqiri, që me kritikat dhe kritikat e tij precize i futi në hije dy grupet parlamentare. Votimi i PDSH-së kundër buxhetit megjithatë nuk i amneston nga përgjegjësia që si opozitë të reagojnë kundër ngulfatjes së demokracisë dhe shkeljes së deputetëve – në veçanti deputeteve. PDSH-ja e kishte vendin jashtë sallës – nuk ishte patjetër të jenë me LSDM-në ose tjerët, por assesi nuk kanë guxuar të jenë në shoqërinë e atyre që e suspenduan demokracinë me brutalitetin e këtillë. Ndoshta PDSH nuk është fajtore për buxhetin, por gjithsesi se ka përgjegjësi të përbashkët për turpin e maltretimit të deputetëve dhe gazetarëve. 

Çka mendoni, cili është problemi më i madh i Buxhetit – konsiderimi i juaj që i diskriminon shqiptarët ose shuma prej 2.7 miliardë eurove, që nënkupton borxhe të reja për shtetin?

Problemi qëndron në mungesën e transparencës dhe përfaqësimit të barabartë të qytetarëve. Kjo është esenca, krejt tjetra është vetëm shtojcë. Secili prej nesh jeton dhe e zhvillon këtë vend me denarin tonë, qoftë ai i vogël ose i madh dhe ka të drejtë të sheh përfitim nga buxheti. Por, çdo analizë reale e ekonomisë në vend do të tregojë diskriminim frapant të rajoneve ku jetojnë shqiptarët dhe ky fakt nuk mund të fshihet me intriga sipas dëshirës, spineve ose koalicioneve me BDI-në. Për këtë arsye, në qëndrimin tonë është theksuar që ne prekemi nga kjo çështje meqë jemi tatimpagues, madje më tepër se tatimpaguesit e nacionalitetit maqedonas. Kur flitet për miliardat që i cekët – huadhënësve nuk ju intereson nacionaliteti ose besimi fetar i atyre që duhet ta paguajnë borxhin. Qofshin shqiptarë ose maqedonas, borxhin do ta paguan shtresa e mesme, rinia që jeton me rrogë minimale dhe të varfërit. 

Shumë rrallë ka ndodhur që shqiptarët në Maqedoni ta theksojnë rolin e tyre si qytetarë dhe tatimpagues. Interesat politikë më së shpeshi janë artikuluar përmes partive ose organizatave joqeveritare me profilim të qartë politik. A po ndryshon diçka në këtë fushë? Në qëndrimin e shpallur, ju thuani: shoqëria shqiptare në këtë shtet është më e gjerë dhe shumëllojshme se partitë politike. 

Është kjo një përshtypje e gabuar e opinionit maqedonas, për shkak të pengesave gjuhësore. Tek shqiptarët ka debat të ashpër për gjendjen ekonomike dhe shoqërore, që pastaj pasqyrohet kryesisht përmes rënies së numrit të votuesve, si shprehje e pakënaqësisë nga gjendja ekonomike. Akuzat dhe intrigat e këtilla ndaj shqiptarëve shfrytëzohen për fshehjen e qëndrimit të maqedonasve ndaj shqiptarëve, që shpesh herë është injorant. Ka dy momente shumë të rëndësishme, që shpesh herë nuk qartësohen në masë të mjaftueshme në opinionin publik. 

Shqiptarët, si edhe gjithë tjerët, evoluojnë me kërkesat e tyre sipas nevojave të kohës. Njëherazi, e kuptojnë që partitë politike shqiptare janë së pari dhe kryesisht – parti (me interes të ngushtë klanor-profiter), politike (sipas mënyrës së ekzistimit dhe arritjes në pushtet) dhe vetëm në fund janë shqiptare (varësisht nga fitimi ose humbja që mund ta kenë nga theksimi ose shtypja e shfrytëzimit të prefiksit etnik). Kuptohet që ka tendenca për ndryshim dhe ato po fitojnë çdo herë e më tepër zë. Në skenë tani del një gjeneratë e re e të rinjve profesionistë, vërtetë të arsimuar, që nuk pranojnë të jenë pjesëza partiake të politikanëve gjysëm-analfabetë dhe të korruptuar. Falë arsimimit jashtë vendit ose duke i përcjellur shembujt e vendeve tjera, përveç diturisë së fituar, këta të rinj tregojnë që e çmojnë vlerën e dinjitetit personal dhe etikës themelore në shoqëri. Ata nuk janë hiq më pak patriotë se manipuluesit aktualë, nuk pranojnë dhe nuk kanë nevojë për leksione ose përkufizim se çka është patriotizëm dhe çka jo. Përkundrazi, vetëdija e tyre nacionale është shumë më e zhvilluar, më e sinqertë dhe në pajtim me realitetet bashkëkohore, që në vend se përmes slloganeve shprehet me vepra dhe përgjegjësi personale.  

Kur i shihni ngjarjet e djeshme në Kuvend dhe jashtë Kuvendit, çka mendoni, cili rrezik është më i madh – mosdurimi ndër-etnik ose ai ndër-partiak? 

Të dy llojet e mosdurimit (ndër-etnik dhe ndër-partiak) janë shprehje të jashtme të mangësisë dhe problemit tonë të vërtetë – mungesës së sundimit të ligjit. Kur nuk ka sundim të ligjit dhe shtet ligjor, padrejtësia shfaqet në forma të ndryshme, si etnike, partiake, sociale, rajonale, religjioze, etj. Krejt kjo, e kombinuar me fundosjen katastrofale dhe rapide te ekonomisë, do të shkaktojë çdo herë e më tepër tensione dhe ndeshje. Këtu duhet shtuar izolimin aktual dhe vendnumërimin në fushën e integrimeve, me çka fitohet një koktej tejet i rrezikshëm i mosdurimit dhe pakënaqësisë. Frikohem që në kampusin politik maqedonas, këto tensione do të rezultojnë me një ngritje edhe më të fuqishme të njerëzve me muskuj, armë dhe urrejtje manipulative, si që ndodhi me partitë politike shqiptare gjatë viteve të fundit.  

A prisni që ndonjë person normal, i ndershëm dhe ndërgjegjshëm të pranojë të ekspozohet ndaj dhunës dhe pandershmërisë së këtillë? Pra, kjo është trashëgimia që na e kanë lënë zotërinjtë Gruevski dhe Ahmeti, pa i amnestuar edhe të parët tjerë politikë të vendit. Politika e tyre e mobilizimit të anëtarësisë që bazohet në patriotizmin e rrejshëm, poltronizmin dhe servilitetin ndaj liderit mund të sigurojë fitore rejtingu, por heret a vonë ne dhe ata do të ballafaqohemi me disfata historike. 

A besoni se në Maqedoni mund të ndodh bashkimi mbi baza qytetare i maqedonasve dhe shqiptarëve, ose kjo ditë mbetet ende e largët? 

Dallimet etnike janë evidente, ato kanë qenë këtu dhe do të ekzistojnë, andaj nuk duhet të shihen si problem ose pengesë drejt bashkimit. Pyetja është se për çka duhet të bashkohen. Opcionet qytetare, multi-kulturalizmi, bashkësia – këto janë formula të lansuara për motive politike. Ndonëse shpesh janë të ndershme, arsyet megjithatë mbeten politike. Motivet e vërteta për bashkimin e njerëzve çdo herë kanë karakter privat ose grupor, por me dallimet aktuale dhe ndarjet brenda bashkësive etnike, është iluzion të flitet për ndonjë bashkim trans-etnik. Ngritja e vetëdijes së qytetarëve për patriotizmin e rrejshëm, vëllazërinë e bazuar në krim dhe profit, si dhe vështrimi i forcave patriotike në formën e tyre të vërtetë patjetër që do të kontribojnë drejt zhvendosjes së forcave shoqërore. Ky proces ka filluar dhe ai merr kohë, shpejtësia nuk ka rëndësi këtu, por cilësia mbi të cilën ndërtohet ky proces./Intervjua-Almakos

Kurse matematikore
Me te lexuarat sot dhe te muajit
ALMAKOS